1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Shqipëria hapa prapa në luftë kundër korrupsionit

Raporti më i fundit "Indeksi i Perceptimit të Korrupsionit 2012“ e ka renditur Shqipërinë në vendin e 113-të. Duke rënë me 18 pozicione krahasuar me një vit më parë, Shqipëria zë vendin e fundit në rajon.

Transparency International e vlerëson Shqipërinë me 33 pikë në luftën e saj kundër korrupsionit. Sipas të dhënave më të fundit dhe raportimeve të detajuara të TI-së, rezulton se Shqipëria renditet në vendin e 113 në listën me 176 shtete, duke pasur një performancë më të dobët se shtetet fqinje. Në raport Kosova renditet në vendin e 105-të, Serbia në vendin e 86-të dhe Kroacia në vendin e 62-të. I vetmi shtet që ka ruajtur të njëjtat nivele të një viti më parë mbetet Maqedonia, në vendin e 69-të. Kriter i renditjes së vendeve, ashtu si çdo vit ka qenë niveli i korrupsionit në sektorin publik.

Përfaqësuesit e Transparency International në Shqipëri, thanë se "Shqipëria dhe Kosova janë shtetet me performancën më të dobët në rajon dhe Evropë në luftën kundër korrupsionit". Ata i bënë apel klasës politike shqiptare që të vijojë luftën kundër korrupsionit në zbatim të konventës së OKB-së dhe standardeve ndërkombëtare.

Në renditjen zyrtare të TI-së, Shqipëria mban të njëjtin pozicion me Etiopinë, Guatemalën dhe Nigerin.

Shtetet e prekura nga kriza

Disa prej vendeve të eurozonës të cilat aktualisht po përballen me krizën e ashpër financiare dhe me nivele të larta papunësie, kanë pasur gjithashtu performancë të dobët në luftën kundër korrupsionit. Greqia është vlerësuar me 36 pikë nga Transparency International, duke mbajtur rezultatet më të ulëta krahasuar me vendet e tjera të prekura nga kriza. Thuajse e njëjta situatë paraqitet dhe për Italinë, e cila renditet në vendin e 72-të, me 52 pikë. Shtetet të cilat janë vlerësuar më pozitivisht, pavarësisht masave të ashpra të shtrëngimit dhe protestave masive, janë Spanja dhe Portugalia. Spanjollët mbajnë vendin e 30-të në listën e TI-së me 65 pikë, ndërsa portugezët në vendin e 33-të, me 63 pikë.

"Të parët dhe të fundit" e listës

Transparency International ka renditur në tre vendet kryesore të listës, shtetet e Danimarkës, Finlandës dhe Zelandës së Re, duke i vlerësuar me 90 pikë. Ata pasohen nga shtete të tjera të zhvilluara, si Suedia, Zvicra, Norvegjia dhe Gjermania. Në fund të listës janë vendosur Afganistani, Koreja e Veriut dhe Somalia, të cilat edhe për këtë vit nuk kanë shënuar asnjë ecuri pozitive në luftën kundër korrupsionit të sektorin publik.