1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Shqipëria e pastruar nga minat

Shqipëria konsiderohet si vend i pastruar plotësisht nga minat dhe lëndët luftarake të paplasura, në rreth 120 km vijë kufitare me Kosovën. BE ka akorduar rreth 5 milion euro mbështetje për programin shqiptar të minave.

default

Viti 1999, si pasojë e konfliktit në Kosovë, u shoqërua me pasoja mjaft negative dhe për zonën verilindore të Shqipërisë, kryesisht në qarkun e Kukësit. Në një gjatësi prej rreth 120 km në kufirin mes Shqipërisë e Kosovës deri në kufi me Malin e Zi në pjesën veriore, por dhe 20 km në brendësi të territorit shqiptar u rregjistrua një ndotje e rrezikshme me mina dhe municione thërmuese, si dhe mbetje të materialeve luftarake të shpërndara në mënyrë të dukshme dhe të padukshme. Ky përbënte një kërcënim serioz për jetën e njerëzve, të bagëtive dhe të gjithë ambjentit në 39 fshatra të Kukësit, Tropojës e Hasit.

Nga rënia në kontakt me minat dhe materialet e tjera të pashpërthyera nga viti 1999 kanë humbur jetën 34 vetë. Ndërkohë që rreth 240 të tjerë arritën të mbijetojnë, duke marrë lëndime të ndryshme, ose duke humbur pjesë të trupit. Autoritetet ushtarake e policore të Shqipërisë si dhe organizatat joqeveritare nuk u lanë te vetme në përballimin e aksionit për pastrimin dhe rivitalizmin e gjithë zonës së infektuar. Qeveritë e Gjermanisë, SHBA, Austrisë, Belgjikës, Kanadasë etj., Programi për Zhvillim i Kombeve të Bashkuara, PNUD, UNICEF-i, Kryqi i Kuq Ndërkombëtar, si dhe organizata e institucioneve të ndryshme kanë kontribuar jo vetëm për kthimin e territorit të sigurtë për komunitetin, por dhe rehabilitimin e riintegrimine viktimave prej minave.

EU Minen Albanien

Shefi i Delegacionit të BE për Shqipërinë, ambasadori Helmuth Lohan.

Njëri prej kontribuesve më të rëndësishëm ndërkombëtarë për Programin Shqiptar të Veprimit ndaj Minave, AMAP, është Bashkimi Europian. Prej vitit 2003 dhe në vijim programet mbështetëse të BE-së kapin një vlerë prej 5.07 milion euro.

Shefi i Delegacionit të BE për Shqipërinë, ambasadori Helmuth Lohan, thotë për DW se objektivi kryesor në këtë suport ka qënë që Shqipëria të bëhet një vend i pastruar tërësisht nga minat. Si një kontribut në përmbushjen me sukses të detyrimeve të Konventës për Ndalimin e Minave kundër Personit. “Ne kemi financuar së bashku me organizata e subjekte të tjera duke u përqëndruar në pjesën verilindore të vendit. Dhe në fakt prej nëntorit të vitit të kaluar ky objektiv është arritur. Ne kemi mbuluar pastrimin e zonës, parandalimin dhe sensibilizimin e popullatës për aksidente të mundshme, si dhe për rehabilitimin e viktimave nga shpërthimet, kemi ndihmuar për riintegrimin ekonomik të tyre”.

Ambasadori Lohan ka qënë vetë në kontakte me të lënduar nga minat dhe familjarë të tyre. Ai shprehet i kënaqur që secili prej tyre ka marrë mbështetje shëndetësore, psikologjike dhe ekonomike, si një ndihmë konkrete për rehabilitim e riintegrim. “E rëndësishme është që vendin e frikës dhe të pasigurisë për jetën atje e ka zënë normaliteti, si dhe angazhimi i banorëve për ti shfrytëzuar burimet natyre, të lëvizin lirshëm për cdo aktivitet në familje ose më gjerë në komunitet”

Arben Braha, drejton Qëndrën Shqiptare e Veprimit ndaj Minave.

Arben Braha, drejton Qëndrën Shqiptare e Veprimit ndaj Minave.

Arben Braha q ë drejton Qëndrën Shqiptare e Veprimit ndaj Minave, thotë se asistenca e BE është shtrirë në disa faza. Për periudhën e parë nga viti 2003 deri në vitin 2006, shpjegon ai, operacionet u fokusuan në rritjen e kapaciteve lokale për pastrimin e zonës. Në fazën e mëvonshme qëllimi ishte për të ngritur e fuqizuar infrastrukturën shëndetësore në zonat problematike.

Që të plagosurit të mos detyroheshin të udhëtonin drejt Tiranës, por t`i kryenin të gjitha proceset në spitalin rajonal të Kukësit, thotë Braha për DW “Duke blerë pajisje të reja për fizioterapinë, por dhe kryesisht për repartin e protezimit dhe trajnime të personelit. Projekti i tretë, të cilin akoma e vazhdojmë, BE e ka bashkëfinacuar me PNUD-in në një vlerë 600 mijë euro dhe kjo është kryesisht për mbështetjen e qëndrës tonë. Ky projekt vazhdon deri në gusht e mendohet se do të shtyhet deri në fund të vitit, që të bëjë të mundur mbylljen me sukses të të gjithë programit”.

Shqipëria e pastruar nga minat

Shqipëria e pastruar nga minat

Arben Braha tregon dhe një efekt të drejtëpërdrejtë të rikthimit në normalitet të jetës në ish zonat e infektuara, që ka të bëjë me menaxhimin e kufijve. “Tashmë policia është e sigurtë për të lëvizur dhe kontrolluar të gjithë territorin gjatë vijës kufitare. Është bërë dhe përmirësimi i infrastrukturës së policisë kufitare”.

Qendra Shqiptare e Veprimit ndaj Minave e ka parë mbështetjen e donatorëve ndërkombëtarë dhe si një impuls për aplikimin e projekteve me fqinjët. “Në kuandrin e mbështetjes, kryesisht të BE-së, ka patur dhe projekte të zhvillimit rajonal, të bashkëpunimit me Kosovën, me Malin e Zi dhe me Maqedoninë. Tashmë janë dy projekte që zhvillohen”.

Nga këto projekte me fqinjët shkëmbehet eksperienca dhe informacioni, për ti dhënë përparësi zgjidhjeve për ato probleme që janë të ngjashme për të gjithë vendet partnere. “Për ta shndërruar aksionin antiminë në ide dhe programe konkrete për zhvillimin e turizmit, të përmirësimit të infrastrukturës dhe rritjen e shkëmbimeve ekonomike e tregëtare”, thotë për DW Arben Braha, drejtues i Qendrës Shqiptare të Veprimit ndaj Minave.

Autor: Arben Muka

Redaktoi: Aida Cama

  • Data 15.07.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/OJbM
  • Data 15.07.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/OJbM