1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Shqipëria dhe Serbia kërkojnë intensifikimin e kooperimit mes tyre

Marrëdhëniet Tiranë-Beograd do të jenë në të ardhmen më dinamike, më të hapura, më të sinqerta dhe me prirjen për të ecur përpara, tha ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Edmond Panariti.

default

Vizita dy ditore në Tiranë e ministrit të Jashtëm të Serbisë Ivan Mrkiç ishte një sinjal se dy vendet kërkojnë t'i kthehen bashkëpunimit mes tyre në fushat me interes reciprok. Këtë frymë përcollën në mënyrë të përbashkët të martën paradite dy shefat e diplomacisë Mrkiç dhe Panariti në një takim me median.

Ministri i Jashtëm i Shqipërisë duke bërë bilancin e raporteve Tiranë - Beograd, shprehu besimin se ato do të vijonin në të ardhmen të ishin, siç tha ai, më dinamike, më të hapura, më të sinqerta dhe me prirjen për të ecur përpara.  "I përcolla ministrit Mrkiç gatishmërinë dhe vendosmërinë e përsëritur të Shqipërisë për të materializuar vullnetin e sinqertë politik, me hapa dhe vendime konkrete, të cilat do t'i jepnin përmbajtje reale dhe substancë përpjekjeve tona në këtë kuadër", tha Edmond Panariti, duke kujtuar se marrëveshjet mes dy shteteve për njohjen reciproke të diplomave apo marrëveshje të tjera që janë në proces janë piketa konkrete në kooperimin e institucioneve nga të dy palët.

"Koha e humbur duhet të lihet pas për të parë nga e ardhmja"

Shefi i diplomacisë serbe, Ivan Mrkiç pranoi që në fillim se takime të këtij rangu përfaqësimi kanë munguar prej kohësh, por "shpresoj se ato do të shpeshtohen në të ardhmen. Historia nuk ka qenë fort e predispozuar që të zhvillojmë marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Serbisë". Por sipas tij kjo kohë e humbur duhet të lihet pas për të parë nga e ardhmja.

Në kohën kur Ivan Mrkiç mbërriti në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Shqipërisë për të folur me homologun Edmond Panariti, një grup aktivistësh të Aleancës Kuq e Zi u tubuan shumë pranë godinës duke shprehur zemërim dhe kundërshti për takimin. Me pankarta dhe flamuj kombëtarë, nën një vëzhgim të rreptë të forcave të rendit, aktivistët e përshkruan ndalesën e Mrkiçit si "një akt i turpshëm antikombëtar që fyen çdo shqiptar". Një grup përfaqësuesish të Aleancës e pritën me protestë dhe të hënën pasdite mbërritjen në aeroport të ministrit të punëve të jashtme të Serbisë.

Në takimet me minoritetin serb asnjë media të Shqipërisë

Kritike dhe skeptike për këtë vizitë u deklarua të martën dhe Partia, Drejtësi, Integrim dhe Unitet, një aleate e koalicionit qeveritar, e njohur për mbrojtjen e interesave të popullsisë çame. Sipas PDIU axhenda e ministrit Ivan Mrkiç ishte e mbushur me mister në pjesën kur ai ka zhvilluar bisedime me përfaqësues të minoritetit serb. "Siç kuptohet në këto takime nuk ka patur asnjë media të Shqipërisë, gjë që i bën këto takime në territorin shqiptar, takime sekrete nga të cilat nuk duhet pritur ndonjë gjë e mirë. Serbia nuk mund të fitojë kauzat e humbura në histori me zgjerimin e hartës së minoritetit të vet atje ku nuk ekziston" - thuhet me të tjerave në një deklaratë zyrtare të PDIU-së.

Por gjatë takimit me gazetarët ministri Ivan Mrkiç duke folur mbi bisedimet me përfaqësuesit e minoritetit serb në Shqipëri tha se "ata ndihen qytetarë të Shqipërisë dhe ata janë besnikë të atdheut të vet. Por dëshirojnë të ruajnë trashëgiminë dhe gjithçka që i lidh emocionalisht me shtetin amë".