1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Shqipëria bashkëpunon me fqinjët për përballimin e përmbytjeve

Shqipëria po bashkëpunon për kapërcimin e situatës së rëndë edhe me vendet fqinje. Ministri i Energjetikës Dritan Prifti, tha për DW se ka kontakte të rregullta me homologët në Kosovë, Maqedoni e Mal të Zi.

Bashkëpunim intensiv me fqinjët - ministri i Energjetikës, Dritan Prifti

Bashkëpunim intensiv me fqinjët - ministri i Energjetikës, Dritan Prifti

Prej 24 orëve në rajonet më të prekura kanë ardhur për ndihmë një ekip i specializuar i Forcave Mbrojtëse të Kosovës. Nga Italia është thirrur një prej ekspertëve me të mirë të digave dhe ujëmbledhësve të hidrocentraleve. Edhe shoqata e kryqit të Kuq Shqiptar, ka apeluar për mbështetje tek organizatat simotra të vendeve fqinjë.

Për përballimin e situatës së krijuar në pjesën veriperëndimore të vendit nga moti i keq dhe tejmbushja e liqeneve të hidrocentraleve autoritetet zyrtare janë duke kontaktuar dhe bashkëpunuar me vendet fqinjë. Ministri i Energjetikës, Dritan Prifti, tha (07.01) për DW, se kjo është e diktuar dhe nga lëvizja e ujërave në territore të përbashkëta me ta.

"Me Kosovën kemi patur kontakte më të shpeshta, pasi situata jonë mund të shkaktojë atje probleme, nëse gjëndja do të përkeqësohet. Përmbytjet veç zonës së Shkodrës mund të kalojnë pastaj dhe në pjesën e Kosovës, . sidomos po të na duhet neve që të hapim portën tjetër të shkarkimit në Fierzë. I kemi njoftuar për ata për situatën e i mbajmë në informim të përditshëm. Kemi njoftuar homologët tanë në Malin e Zi. Informacionin që marrim ne në terren ua japim dhe atyre për të njohur sa më afër situatën."

Kontakte me bashkinë e Ulqinit

Dritan Prifti thotë për DW se është në kontakte të vazhdueshme dhe me kryetarin e bashkisë së Ulqinit , pasi dhe atje janë regjistruar disa përmbytje, si pasojë e kushteve të krijuara në zonën e Shkodrës dhe të Nënshkodrës. Kemi patur kontakte dhe me autoritetet maqedonase, thotë Ministri i Energjetikës Prifti.

"Unë i kam dërguar një letër Maqedonisë për t'i informuar dhe ata për situatën dhe për të kërkuar nëse është e mundur një rritje më e madhe të nivelit të Liqenit të Ohrit. Pra për të bërë më pak shkarkime në Drin në këtë periudhë, që ne kemi vështirësi".Një ekspert i njohur nga Italia për digat dhe ujëmbledhësit e hidrocentraleve ka mbërritur sot në Shqipëri, ndërkohë që ministri Prifti pritet që të raportojë mbasdite vonë para ambasadorëve të vendeve të BE-së të akredituar në Tiranë.Organizatat joqeveritare mbështesin

Por bashkëpunimin rajonal po e aplikojnë dhe organizatat joqeveritare humanitare. Njëra prej tyre, e cila ka aktivistë dhe vullnetarë në zonat më të dëmtuara të pjesës veriperëndimore të vendit është shoqata e Kryqit të Kuq Shqiptar, KKSH. Ajo për momentin është e fokusuar tek ndihmat ushqimore dhe ato sanitare për njerëzit e shpërngulur nga banesat.

Mr. Zamir Muça, sekretar i përgjithshëm i Kryqit të Kuq të Shqipërisë

Mr. Zamir Muça, sekretar i përgjithshëm i Kryqit të Kuq të Shqipërisë

Zamir Muça, sekretar i përgjithshëm i KKSH-së, thotë se kanë apeluar për ndihma emergjente pranë delegacionit të Federatës Ndërkombëtare të Kryqit të Kuq për Europën, me qendër në Budapest. Është fjala për përdorim të fondit të emergjencës, që Federata parashikon në periudha emergjente. Dhe kjo është pjesë e asistencës, që do të ofrohet në vijim për popullatën në zonat e përmbytur, kryesisht në rrethet e Shkodrës e Kurbinit. Muça thotë për DW se më të shpejta kanë qenë reagimet nga homologët ne vendet e rajonit:

"Kanë shprehur gatishmërinë e tyre shoqatat simotra të Kryqit të Kuq të Maqedonisë, të Kosovës e të Malit të Zi. Por me situatat e pritshme kjo mbështetje do të jetë dhe nga shoqatat e tjera simotra në Ballkan. Që kanë shprehur gatishmërinë e tyre . Për të ndihmuar në aspekte të ndryshme të menaxhimit të kësaj emergjence. Duke filluar nga ndihmat materiale e ushqimore dhe deri tek ekipet e shpëtimit, nëse do të jetë e domosdoshme për të ardhur".

Zamir Muça thotë se solidariteti mes partnerëve nga vendet e rajonit është një përvojë e konsoliduar dhe e provuar me sukses në raste të tjera të ngjashme. Kjo bëhet dhe më e domosdoshme kur nga pasojat e motit të keq dhe të ngritjes se nivelit të ujrave ne liqene e lumenj nuk është prekur vetëm Shqipëria, por dhe vende të tjera përreth.

Autor: Arben Muka/ Tiranë

Redaktoi: Auron Dodi

DW.COM

  • Data 08.01.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/LNts
  • Data 08.01.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/LNts