1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Shqipëri: Zëvendëskryeministri Ilir Meta jep dorëheqjen

Pas akuzave për korrupsion, pas transmetimit të një videoje, zëvendëskryeministri dhe ministri i Ekonomisë dhe i Energjetikës, Ilir Meta dha dorëheqjen. Pa mbaruar hetimet, Berisha foli për video të montuar.

Ilir Meta flet për dorëheqjen para mediave

Ilir Meta flet për dorëheqjen para mediave

Në videon në fjalë shihej zëvendëskryeministri dhe ministri aktual i Ekonomisë dhe i Energjetikës Ilir Meta së bashku me ish-ministrin e Ekonomisë dhe të Energjetikës Dritan Prifti, duke folur për procedurat e një tenderi për një koncesion energjetik si dhe për emërime aktivistësh dhe simpatizantësh partiakë në administratë.

Po ashtu Ilir Meta (LSI) deklaroi se është gati të heqë dorë nga imuniteti i tij si deputet dhe se ia ka kumtuar këtë edhe Kryetares së Parlamentit.

Meta tha se e ndërmerr këtë hap "për të kontribuar në luftën kundër korrupsionit dhe të forcimit të shtetit ligjor" duke shprehur megjithatë dyshimet e tij se videoja është e montuar dhe përdoret për t'i bërë "shantazh dhe sulm me karakter politik".

Prokuroria e Përgjithshme njoftoi se pas regjistrimit të padisë ka nisur hetimet duke bërë fillimisht ekspertizën e videos së transmetuar. Po ashtu në Prokurori është marrë në pyetje për rreth katër orë ish-ministri i Ekonomisë, Dritan Prifti.

Reagime në opinionin publik

Kjo ngjarje ka shkaktuar reagime të forta në opionin publik shqiptar dhe përfaqësues të shoqërisë civile zhvilluan të enjten (14.01)një protestë, në të cilën kërkuan dorëheqjen e zëvëndëskryeministrit dhe të ministrit të Ekonomisë Ilir Meta. Ata deklaruan se këto protesta do t'i vazhdojnë, deri sa Meta të japë dorëheqjen.

Duke komentuar këto zhvillime për DW, drejtori i zyrës së fondacionit gjerman Friedrich Ebert (FES)në Tiranë, Michael Weichert, tha: "Këto ngjarje duhen marrë shumë seriozisht, sidomos duke u nisur prej faktit se çështja e luftimit të korrupsionit është një gur themeli dhe element për matjen e integrimit të Shqipërisë dhe aftësisë së saj për të përmbushur kriteret për bisedimet për pranim në BE. Për këtë kjo ngjarje ka shkaktuar edhe reagime të ashpra në opinionin publik shqiptar."

Gjithsesi duke u nisur nga parimi universal juridik i prezumimit të pafajësisë, Weichert shton: "Nga ana tjetër duhet marrë në konsideratë se dëshmitë për të cilat thuhet se janë të qarta, kudo dhe sidomos në rastin e Shqipërisë, duhet të peshohen dhe hetohen me kujdes, për të vërtetuar nëse vepra penale për të cilën pretendohet, vërtet mund të mbështetet edhe me dëshmi. Kjo gjë me siguri që do të vazhdojë për një farë kohe dhe duhet të presim se çdo të thonë për këtë instucionet përkatëse, pra prokuroria."

Në mbrojtje të partnerit të vogël, por për nga rëndësia të madh, të koalicionit qeveritar doli kryeministri shqiptar, Sali Berisha. Pa pritur përfundimet e hetimeve, Berisha e cilësoi përmbajtjen e videos si të montuar.

"Në sfondin e mosmarrëveshjeve tepër të polarizuara politike" - deklarata të tilla, që videoja konsiderohet menjëherë si diçka e fabrikuar nga opozita sipas Weichert-it janë - "për të ardhur keq, por jo që nuk priten". "Unë mendoj - vazhdon ai - se duhet pritur çfarë do të thonë organet kompetente përpara se e gjithë çështja të etiketohet si jorelevante dhe për të bëhen përgjegjëse institucione të tjera politike."

Ndërkohë dy "aktorët" e videos po e vazhdojnë luftën ndaj njëri-tjetrit nëpër media. Ish-ministri Prifti pretendoi në një bisedë televizive se disponon edhe dokumente të tjera që flasin për korrupsionin e zëvendëskryeministrit Ilir Meta. Kurse Ilir Meta vazhdon të këmbëngulë se videoja është e montuar dhe mjet për t'i bërë shantazh.

Mosmarrëveshjet dhe akuzat e ndërsjellta Meta-Prifti kanë filluar që nga shtatori i vitit 2010, kur Dritan Prifti u shkarkua prej kryesisë së partisë nga ky post nën akuzën për korrupsion. Prifti vetë nuk ishte i pranishëm në atë mbledhje të kryesisë së LSI-së.

DW.COM

  • Data 14.01.2011
  • Autor Pandeli Pani
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/zxZz
  • Data 14.01.2011
  • Autor Pandeli Pani
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/zxZz