1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Shqipëri – rruga drejt qeverisjes së territorit dhe zhvillimit ekonomik

Qeveria e re e kryeministrit Rama - fund shkatërrimit të potencialeve të mëdha ekonomike të territorit.

default

Gjetja e një modeli të ri për të qeverisur territorin dhe zhvilluar ekonominë e Shqipërisë u shfaq këtë javë si prioritet i qeverisë së majtë, të kryeministrit të zgjedhur Edi Rama, kryetar i PS, që do të marrë detyrën pas pak ditësh, në fillim të shtatorit. Sipari i strategjisë për ta realizuar këtë prioritet u hap këtë javë në Tiranë me zhvillimin e konferencës ndërkombëtare, “Shqipëria e Gjeneratës tjetër”, të organizuar nga Partia Socialiste, me pjesëmarrjen e arkitektëve, urbanistëve dhe ekonomistëve të njohur nga vendet e BE dhe SHBA.

Kreu i qeverisë së re të Tiranës, Edi Rama, e përshkroi si “emergjencë kombëtare” daljen nga situata jashtë kontrollit, ku sipas tij, ndodhet territori i Shqipërisë. Ai theksoi se qeveria e re “do të ndërpresë inercinë e shkatërrimit të potencialeve të mëdha, që ka territori shqiptar për zhvillim ekonomik e social”.

Çfarë e ka shkatërruar dhe nxjerrë jashtë kontrollit institucional territorin e Shqipërisë?

Këto potenciale shfaqen vërtet të dëmtuara rëndë gjatë këtyre 20 viteve të ekonomisë së tregut të lirë dhe iniciativës private. Ligjet, që në vendet me demokraci të konsoliduar drejtojnë ekonominë e tregut edhe iniciativën e lirë, në Shqipëri, edhe pse u hartuan sipas standarteve të BE, deri më sot ose janë deformuar në zbatimin e tyre, ose nuk janë zbatuar fare. Në mënyrë të përsëritur BE ka konstatuar hendekun e thellë, që ekziston në Shqipëri mes ligjeve të mira të standartit europian dhe moszbatimit të tyre. Ligjet në letër, kombinuar me korrupsionin dhe mosndëshkimin e tij sollën zaptimin dhe tjetërsimin e pronave dhe aseteve publike, ndërtimet kaotike, mes të cilave 300 mijë ndërtime informale pranë qendrave të banuara, buzë detit, lumenjve dhe liqeneve. Për pasojë territori i vendit përfshirë rrugët kombëtare, pasuritë natyrore, rezulton i dalë jashtë administrimit dhe kontrollit institucional. Gjithë territori i Shqipërisë vuan nga ndotja dhe është i mbuluar nga hedhurinat. Më tepër se kudo kjo gjendje e rëndë shfaqet në bregdetin e Shqipërisë, në zonat turistike të Durrësit, Vlorës, Sarandës, ku ndërtimet pa kriter prej betoni dhe ndotja kanë ulur ndjeshëm potencialet e tyre ekonomike. Në situatë të rëndë ndodhen monumentet e kulturës, ndërtesat dhe objektet historike.

Shqipëria e gjeneratës së re - ndryshimi fillon me ligjin

Artan Shkreli, kryetar i shoqatës kombëtare të arkitektevë të Shqipërisë.

Artan Shkreli, kryetar i shoqatës kombëtare të arkitektevë të Shqipërisë.

Ndryshimin e kësaj situate, kreu i qeverisë së re të Tiranës e sheh në “qasjen e integruar, shndërrimin e shtetit nga ndjekës impotent i zhvillimeve, në drejtues”. Ndryshimi tanimë është ideuar dhe konkretizuar në grupe pune me ekspertë vendas dhe të huaj .

Artan Shkreli, kryetar i shoqatës kombëtare të arkitektevë të Shqipërisë, një nga moderatorët e konferencës kombëtare” Shqipëria e gjeneratës tjetër” thotë për DW se vënia në kontroll e territorit dhe rivitalizimi i potencialeve të tij ekonomike kalon në disa faza. “Në krye të tyre qëndron evidentimi i situatës, në të cilën ndodhet territori i Shqipërisë, pra “skaneri” i tij për të bllokuar dëmtimin e mëtejshën. Juristë dhe ekspertë të fushave të tjera, që lidhen me territorin dhe ekonominë janë ngarkuar të hartojnë akte ligjore për të ndaluar katastrofën ndërtimore, në prag të së cilës ndodhet Shqipëria. Jemi në një gjendje të jashtëzakonshme dhe po përgatitet një paketë ligjore për t' iu përgjigjur kësaj emegjence kombëtare. Krahas paketave dhe nismave ligjore do të realizohet planifikimi në bazë të analizave dhe studimeve të territorit. Do të ketë një plan strategjik të asistuar nga ekspertët ndërkombëtarë. Do të realizihet një “open system”, krahas ekspertëve ndërkombëtarë do të përfshihet edhe komuniteti”, thekson Z. Shkreli.

Shkatërrim i ndërtimeve të paligjshme dhe moratorium 6 mujor në zonat bregdetare

Ekspertët ndërkombëtarë, që erdhën këtë javë në Shqipëri, propozuan që vendosja e kontrollit mbi territorin do të paraprihet me fazën e shkatërrimit të ndërtesave të jashtëligjshme në bregdet dhe miratimit nga Parlamenti të një moratoriumi 6 mujor për të ndaluar ndërtimet dhe zhvillimet industriale. Kjo do të mundësojë që ekspertët të realizojnë studime për ndërtime të planifikuara dhe të integruara në bregdet.

Simbolet e së kaluarës komuniste

Shembja e Piramidës në qëndër të Tiranës u kundërshtua edhe nga ekspertët e huaj.

Shembja e Piramidës në qëndër të Tiranës u kundërshtua edhe nga ekspertët e huaj.

Në çështjet dhe sfidat e shumta, që territori për një “Shqipëri të gjeneratës tjetër” paraqet, bën pjesë edhe qëndrimi ndaj ndërtimeve dhe simboleve të periudhës së komunizmit. A duhet të fshihen, apo mbeten ato? Ideja zotëruese e ekspertëve vendas dhe atyre ndërkombëtarë, pjesëmarrës në konferencën ”Shqipëria e gjeneratës tjetër” ishte që të mos fshihen, por të mbeten duke rinovuar vlerat e tyre historike dhe kulturore. Shembja e Piramidës në qëndër të Tiranës për të ndërtuar Parlamentin e ri, vendim i cili ngjalli një debat të zjarrtë publik, u kundërshtua edhe nga ekspertët e huaj. Ata sugjeruan që Piramida të mbetet si dëshmi e historisë dhe të shërbejë për performanca arti, apo leksione.

Politika liberale apo konservatore?

Në këtë nismë shumëdimensionale për të vendosur kontroll mbi territorin dhe zbatuar një model të ri të zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik qeverisë së re Rama do t'i duhet të përvijojë politikat përkatëse. Liberale apo konservatore? “Nëse bëhet fjalë për shkatërrim të rregullave të lojës, për moszbatim të tyre, politikat do të jenë konservatore, jo liberale. Nëse ato i shërbejnë zhvillimit, meritës, do të jenë liberale”, thotë arkitekti Artan Shkreli.