1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Shqipëri: PS dhe PD kërkojnë rishqyrtimin e vendimit të KQZ-së për rezultatet e zgjedhjeve të 28 qershorit

Dy forcat politike kryesore ne Shqiperi, Partia Socialiste dhe ajo Demokratike kane derguar të martën (14.7.) ne Kolegjin Zgjedhor kerkesa per rishikim te vendimeve te KQZ-së lidhur me rezultatet e numerimit te votave.

default

KQZ po i afrohet nxjerrjes së rezultatit zyrtar përfundimtar dhe nominimit të 140 deputetëve të Parlamentit të Shqipërisë, të dalë nga zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit. Ky rezultat do të bëhet publik vetëm kur ky komision dhe më pas Kolegji Zgjedhor, pranë Gjykatës së Apelit në Tiranë, të kenë gjykuar dhe dhënë përgjigje ankesave të subjekteve politike, pjesëmarrëse në garën e 28 qershorit.

Leonard Olli, zëdhënës i KQZ, thotë për DW se ankesat, ndonëse të natyrave të ndryshme kanë vetëm një qëllim : "ndërhyrjen në rezultat ose ndryshimin e tij. KQZ ka hyrë tani në procesin e certifikimit të rezultatit dhe të shpërndarje nominale të mandateve të deputetëve për të gjitha ato qarqe ku nuk ka kërkesa ankimore."

Duke paraqitur konkretisht situatën në KQZ lidhur me ankesat e subjekteve politike zëdhënësi i KQZ thotë se : "Në KQZ kanë mbëritur 19 kërkesa ankimore, nga të cilat 4 kanë të bëjnë me procedrat parazgjedhore, pra me proceduarat e regjistrimit ose çregjistrimit të subjekteve politike. Pjesa tjetër, prej 15 ankesash është pas zgjedhore. Përmes tyre palët kërkojnë rishqyrtiin e fakteve për të ndryshuar rezultatin."

Vendimet e KQZ-së nuk janë përfundimtare

KQZ është njëlloj Gjykate e Shkallës së Parë dhe vendimet e tij për ankesat e subjekteve politike nuk janë përfundimtare. Është Kolegji zgjedhor pranë Gjykatës së Apelit, institucioni që shqyrton vendimet e KQZ, i konsideron të drejta apo i hedh ato poshtë. Vendimi i Kolegjit zgjedhor ështe i pa apelueshënm dhe i formës së prerë. Kodi Zgjedhor e detyron KQZ-në të zbatojë vendimin e Kolegjit zgjedhor. Ky kod, i zbatuar për herë të parë në zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit, pati një martesë të suksesshme me teknologjinë elektronike të përdorur po për herë të parë në Shqipëri, në procesin e votimit dhe të numërimit të votave. Produkti i pëbashkët i martesës: transparence maksimale e procesit.

"Kodi i ri elektoral solli përmirësime të konsiderueshme të procesit, kryesisht atij të përmbylljes së numërimit, që tani ka procedura më të detajuara që pengojnë bllokimin e numërimit të votave, fenomen i konstatur në zgjedhjet e mëparshme parlamentare. Ndërkohë që përdorimi i teknologjisë elektronike i dha fund sherreve të zgjatura mes subjekteve politike, duke shkurtuar kohën e nxjerrjes së rezultatit. Sa për ilustrim: rezultati i zgjedhjeve parlamentare te korrikut 2005 doli pas dy muajve, në shtator ndërsa tani është cështje ditësh", thotë Leonard Olli.

Sa do të jetë numri i këtyre ditëve Leonard Olli nuk mund ta përcaktojë, pasi ai varet nga gjykimi që Kolegji Zgjedhor do t’ u bëjë ankesave të subjekteve zgjedhore për vendimet e KQZ. Sot në këtë Kolegj ka mbërritur ankesa e PS-së ndaj vendimit të sapomarrë të KQZ për të mos rinumëruar votat në qarkun e Beratit, ku PS pretendon të ketë nje deputet më shumë. Një ankesë tjetër, ajo e PD, kërkon që Kolegji Zgjedhor të shqyrtojë vendimin e KQZ , që i dha PS, dje, më 13 korrik, mandatin e deputetit të nëntë në qarkun e Fierit.

Subjektet politike duhet të marrin përgjigje brenda 10 ditëve

Tomë Ndreca, një nga tetë anëtarët e Kolegjit Zgjedhor thotë për DW se " brenda 10 ditëve ky Kolegj duhet të gjykoje dhe t’ u kthejë subjekteve politike një përgjigje për ankesat e tyre."

Trupi gjykues i Kolegjit Zgjedhor përbëhet nga gjyqtarë të Gjykatave të Apelit në rrethe të ndryshme të Shqipërisë, që zgjidhen një herë në katër vjet dhe varen nga Këshilli i lartë i Drtejtësisë, kryetar i të cilit është Presidenti i Republikës.

Vendimi që duhet të marrë Kolegji Zgjedhor ndaj ankesës së socialistëve opozitarë, për hedhjen poshtë nga KQZ të kërkesën së tyre për rinumërim të votave në qarkun e Beratit, mund të krijojë premisa të reja për të majtën opozitare. Në një rast hipotetik që ky Kolegj të detyrojë KQZ të pranoje rinumërimin e votave në Berat dhe nëse nga ky rinumërim PS merr një deputet më shumë, atëhere numri i mandateve të opozitës së majtë arrin në 67. Nëse kjo mund të ndodhë atëhere opozitës i hapet rruga për të tentuar të negociojë me Ilir Metën e LSI-në. Bashkë me 4 deputetët e tij e majta opozitare do të kishte 71 deputetë, numër i domosdoshëm ky, që përbën një maxhorancë të aftë për të krijuar qeverinë. Loja politike për ta risjellë të majtën në pushtet apo për ta lënë në opozitë , në rastin e mësipërm potencial, do të ishte krejt në duart e Ilir Metës.

Autore: Ani Ruci

Redaktoi: Sonila Harasani

  • Data 14.07.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/Ip5d
  • Data 14.07.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/Ip5d