1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Shqipëri: pro dhe kundër deklarimit të përkatësisë etnike dhe fetare

Vendimi i qeverisë së Tiranës për të përfshirë në pyetësorët e Regjistrimit të Popullsisë vetëdeklarimin për përkatësinë etnike, fetare dhe gjuhën amtare është pritur me qëndrime pro dhe kundër në opinionin publik.

Stacion autobusi në Tiranë.

Shqipëria ka tipare specifike lidhur me përkatësinë fetare të banorëve të saj. Ndalimi i besimit fetar nga regjimi komunist solli një ateizëm të detyruar. Por njerëzit në moshë të pjekur e ruajtën besimin fetar edhe gjatë diktaturës, pasi feja ishte bërë pjesë organike e konstitucionit të tyre shpirtëror. Liria e besimit fetar, pas rënies së diktaturës komuniste, solli dy fenomene: kalimin e një pjese të ateistëve në besimtarë dhe përqafimin nga brezi i ri i feve të reja, që u futën në Shqipëri si bahai, jehovai, protestantët etj . Këto veçori duken se janë baza e qëndrimit të popullsisë ndaj vetëdeklarimit për përkatësinë fetare.

Për qytetarët besimi është diçka private dhe nuk shohin arsye për ta deklaruar në formularët e regjistrimit.

"Besoj, por nuk kam ndonjë përkushtim, nuk ndjek ritet. Nga origjina familjare jam e krishterë, por nuk shkoj në kishë. Ndërkohë më pëlqen të kem njohuri për besime të tjera fetare. Kohët e fundit kam studiuar budizmin dhe fenë indu. Më janë dukur shumë interesante. Feja të mëson të kryesh vepra të mira. Vetëdeklarimi i përkatësisë fetare më duket thjesht një statistikë, që nuk më shkakton ndonjë problem”, thotë nje grua e re. Ndërsa një tjetër nuk dëshiron ta deklarojë besimin: "Besoj tek Zoti. Ai është një për të gjithë. Jam myslimane. Por nuk dua që në regjistrimin e popullsisë të them se cilës fe i përkas. Besoj, kjo është diçka që më përket mua. Pse duhet ta them?” I këtij mendimi është edhe një 60 vjeçar : "Jam ateist dhe këtë gjë e kam për vete. Nuk kam pse këtë ta vetëdeklaroj në Regjistrimin e Popullsisë, ku duhet të jap të dhëna më të rëndësishme për veten sesa se besoj apo nuk besoj. Kësaj pyetjeje nuk do t'i përgjigjem fare (...)."

Të dhënat duhet të jenë të krahasueshme për të përcaktuar lëvizjet e popullsisë

Milva Ekonomi, eksperte për çështjet e regjistrimit të popullsisë.

Milva Ekonomi, eksperte për çështjet e regjistrimit të popullsisë.

Ndërkohë ka pyetje që çdo qytetar duhet t'u përgjigjet pasi pa përgjigjet e gjithësecilit informacioni që synohet të mblidhet nga Regjistrimi i Popullsisë nuk do t'i përgjigjet realitetit. Milva Ekonomi, statisticiene, eksperte për çështjet e regjistrimit të popullsisë shpjegon: "Informacioni në regjistrim grumbullohet përmes dy lloj pyetjesh: të qënësishme dhe jo të qënësishme. Të parat janë të domosdoshme në çdo Regjistrim sepse ato bëjnë të mundur krahasueshmërinë e të dhënave mes vendeve të ndryshme. Pyetjet e paqenësishme janë ato që i takojnë një vendi, i cili merr mbi vete përgjegjësinë që t' i bëjë ose jo.”

Të dhënat që grumbullohen nga pyetje të rëndësishme si p.sh. për numrin e popullsinë rezidente dhe atë të pranishme në ditën e regjistrimit, apo për numrin e personave që mungojnë më pak se 12 muaj në territorin e një vendi, duhet të jenë të krahasueshme me ato të vendeve të tjera. Krahasueshmëria i jep mundësi EUROSTAt-it të shikojë sesi lëviz popullsia në vendet fqinjë apo në botë. Pikërisht për këtë kategori pyetjesh Kombet e Bashkuara japin asistencë teknike dhe përcaktojnë rekomandime të unifikuara për të gjitha vendet.

Pyetjet për përkatësinë fetare, etnike dhe gjuhën amtare bëjnë pjesë në grupin e pyetjeve jo të qenësishme

Donatella Zindato, eksperte evropiane për çështjet e regjistrimit të popullsisë.

Donatella Zindato, eksperte evropiane për çështjet e regjistrimit të popullsisë.

Donatella Zindato, eksperte europiane për Regjistrimin e Popullsisë, shpjegon qëllimin e asistencës së Komisionit Ekonomik të Kombeve të Bashkuara për Europën. “Kjo asistencë synon të lehtësojë dhe përmirësojë krahasueshmërinë e të dhënave në nivel evropian. Kjo realizohet përmes rekomandimeve për metodologjinë dhe teknologjinë e kryerjes së regjistrimit të popullsisë. Pyetjet për përkatësinë fetare, etnike dhe gjuhën amtare bëjnë pjesë në grupin e pyetjeve jo të qenësishme për krahasueshnmërinë e të dhënave të prodhuara nga çdo rregjistrim. Karakteristikat etno- kulturore jane çështje jo thelbësore. Vetëdeklarimi i përkatesisë fetare, etnike dhe gjuha amtare jane çështje që çdo vend i zgjedh vetë t'i bëjë ose jo. Vendet që kanë popullsi me etni të ndryshme apo vendet multietnike mund të dëshërojnë të mbledhin informacion lidhur me përbërjen etnike të popullsisë, gjuhën amtare apo fenë” - thotë ekspertja europiane, Donatella Zindato

Por a përbën vetëdeklarimi përkatësisë fetare dhe asaj etnike një standard ndërkombëtar të domosdoshëm për t'u aplikuar? “Nuk janë standarde kusht as në BE, as në Kombet e Bashkuara. Çdo vend në bazë të situatës që ka merr vendim për t'i përfshirë ose jo në pyetësor”, thotë specialistja Milva Ekonomi.

Mbledhja e saktë e të dhënave për përkatësinë fetare e vështirë teknikisht

Nisur nga situata në Shqipëri, ajo shpreh rezerva për vërtetësinë e të dhënave lidhur me përkatësinë fetare të banorëve. “Që të bësh pjesë në një grup me një përkatësi fetare të caktuar duhet: së pari, të jesh regjistruar në entet e kultit, që kanë regjistrat e tyre fetarë. Së dyti, të jesh praktikant i riteve fetare dhe së treti, ta kesh besimin tënd fetar diçka të brendshme, organike. Të gjitha këto nuk bashkohen tek një individ dhe e bëjnë të vështirë, që të dhënat për përkatësinë fetare të mblidhen në mënyrë të saktë dhe të jenë të vërteta".

Në Shqipëri njihen zyrtarisht tre grupe etnike: ai grek, maqedonas dhe malazes dhe dy grupe etno-kulturore: romët dhe vllehët. Shqipëria nuk mund të konsiderohet si vend multietnik. Pavarësisht nga kjo, vetëdeklarimi i përkatësisë etnike dhe i gjuhës amtare për eksperten Ekonomi është i vështirë teknikisht për t'u realizuar. Vështirësive teknike u shtohet edhe situata e vështirë ekonomike në Shqipëri.

“Kemi një situatë që lidhet shumë me varfërinë dhe me lëvizjen e njerëzve, të cilët për arësye nga më të ndryshmet e kanë patur të vështirë të integrohen në shoqëri të tjera si psh në Greqi. Si pasojë e djegies së regjistrave themeltarë të shtetasve, gjatë trazirave të vitit 1997, ata janë deklaruar grekë për të marrë një lejeqëndrimi, ose për të marrë një ndihmë ekonomike në zonën ku ata banojnë, në Jug të Shqipërisë dhe në zona të tjera. Kjo do të ulte masën e popullsisë shqiptare" thotë Milva Ekonomi .

Për vetë përmasën subjektive që ka përkatësia etnike dhe fetare, rekomandimet e Kombeve të Bashkura theksojnë rëndësinë e garantimit të transparencës dhe të së drejtës për të mos iu përgjigjur pyetjeve ku kërkohet vetëdeklarimi.

Autor: Ani Ruci

Redaktoi: Eliana Xhani

  • Data 06.02.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/LufC
  • Data 06.02.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/LufC