1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Shqipëri: Opozita kthehet në kuvend pas ndërmjetësimit nga Brukseli

Pas gjashtë muajsh bojkot opozita u rikthye në kuvend. Marrëveshja u arrit me ndërmjetësimin e europarlamentarëve Eduard Kukan dhe Knut Fleckenstein dhe jo nga vullneti politik i palëve.

Pas gjashtë muajsh bojkot opozita e djathtë u rikthye të mërkurën (24.12.2014) në Parlament dhe mori pjesë në seancën e fundit parlamentare te këtij viti. Ata votuan pro së bashku me deputetët e maxhorancës rezolutën që i dha fund bojkotit parlamentar të opozitës. Sipas kësaj rezolute palët bien dakort që maxhoranca të përdorë shumicën e cilësuar në votime me konsensusin e opozitës, të respektohet në mënyrë sistematike Kushtetuta dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese; të dekriminalizohet Parlamenti dhe institucionet publike nga individë me rekorde kriminale.

Rikthimi i opozitës së djathtë në Parlament, një zhvillim politik pozitiv i shumëpritur, nuk erdhi si rezultat i negociatave dhe arritjes së marrveshjes mes palëve. Ai u realizua me ndërmjetësimin e europarlamentarëve Eduard Kukan dhe Knut Fleckenstein, duke ҫuar kështu në hullinë e një tradite të klasës politike në Shqipërinë post-komuniste pothuaj prej një çerek shekulli. Në dy dekadat e fundit, bojkotet e Parlamentit janë zgjedhur si një instrument i preferuar i opozitave, të majta apo të djathta. Albert Rakipi, Drejtor i Institutit për Studime Ndërkombëtare në Tiranë paraqet për DW arësyet pse ka ndodhur kështu:“Për fat të keq konsensusi politik mes palëve në Shqipërinë post-komuniste rezulton diçka e rrallë. Marrdhëniet mes palëve janë karakterizuar nga mosmarrveshje të thella dhe konflikti politik ka shërbyer si instrument për t'i zgjidhur ato. Elitat politike kanë përdorur në mënyrë konstante faktorin e jashtëm, BE apo institucionet e tij si konkretisht Parlamentin Eiuropian në, si palë të treata. Kjo ka sjellë që elitat politike të zhvillojnë një kulturë varësie nga faktori ndërkombëtar. Fakti është që pas më shumë se dy dekadash, Shqipëria nuk po tregon vullnet politik, për t'iu larguar kësaj kulture. Dhe kjo nga ana tjetër tregon se vendi është ende larg për t' iu bashkuar BE-së, ku kultura e konsensusit dhe kompromisit përbën një parim të egzistencës së vetë BE-së. Zgjidhja e mosmarrveshjeve mes maxhorancave dhe opozitave përmes faktorit ndërkombëtar tregon gjithashtu kapacitete të pakta të elitave politike dhe faktorëve të tjerë vendas për të menaxhuar situate të tilla politike” thotë analisti Albert Rakipi.

Albert Rakipi Albanien

Eksperti Albert Rakipi

Zëvendësimi i konsensusit dhe marrveshjeve politike mes palëve me konfliktin ekstrem politik lidhet edhe me traditën e dobët demokratike në Shqipëri. Përsëritja e bojkoteve është një tregues i kokëfortësisë dhe se kjo traditë ne nuk po shfuqizohet. Lutfi Dervishi, analist i pavarur në Tiranë, thotë për DW: “Bojkoti është përdorur si një instrument politik dhe ka lënë mënjanë, pa i përdorur mjete të tjera demokratike. Mendoj se kjo është bërë për të sensibilizuar faktorin ndërkombëtar, faktorin e jashtëm për shkak të legjitimitetit të munguar brenda vendit. Ky legjitimitet është tentuar të merret nga jashtë dhe në këtë rast kjo u arrit” thotë Lutfi Dervishi.

Rezoluta - fundi i bojkoteve në Shqipëri ?

Bojkotet e përsëritura të Parlamentit prej secilës parti që ka qenë në opozitë e kanë shoqëruar jetën politike të Shqipërisë në këto dy dekada të fundit, lenë hapësirë të shtrohet pyetja sesa e qëndrueshme do të jetë rezoluta e sapomiratuar. “Nuk ka siguri që paskëtaj bojkoti nuk do të përdoret në Shqipëri si një instrument politik. Bojkoti përdoret me masë, si mjet demokratik, mund të ndodhë bojkoti i një seance parlamentare, por jo për gjysmë viti! Kjo mënyrë të bëri opozitë më bën të mos kem siguri apo bindje që nga bojkoti i fundit janë nxjerrë mësimet e duhura”, thotë Albert Rakipi.

Edhe analisti i pavarur Lutfi Dervishi është skeptik për qëndrueshmërinë e marrveshjes. Ai mendon se ka një mungesë të theksuar sinqeriteti mes palëve. Si ilustrimn të skepticizmit të tij, ai sjell si shembull një nga pikat e rezolutës, atë për dekriminalizimin e Parlamentit dhe institucioneve publike nga individë me rekorde kriminale. “Nuk ka as sinqeritet, as transparencë. Palët pranojnë që në Parlament ka deputetë të kriminalizuar por pse nuk publikojnë se cilët janë? Listat e deputetëve nuk u bënë transparente nga asnjëra palë para zgjedhjeve parlamentare të qershorit 2013. Sistemi zgjedhor u ndryshua dhe u bë i tillë që individë me rekorde kriminale të futeshin në Parlament përmes zgjedhjes jo direkte nga votuesit, nga qytetarët , por përes listave të partive politike. Edhe pse kjo ndodhi, tani nuk shoh vullnet politik nga palët që të veprohet, dekriminalizimi i Parlamentit shtyhet për në kalendat greke, përmendet Gjykata Kushtetuese, Komisioni i Venecias por kryesori është vullneti politik i palëve. Ajo që ka ndodhur është që palët janë dakort që Parlamenti ka deputetë me rekorde kriminale. Kjo është shumë e rëndë për Parlamentin e një vendi që synon anëtarësimin në BE” , thotë Lutfi Dervishi.

Lutfi Dervishi politischer Analyst in Albanien

Analisti Lutfi Dervishi

Domosdoshmëri - ndryshim i sistemit zgjedhor

140 deputetët e Parlamentit aktual të Shqipërisë janë zgjedhur sipas listave të partive politike në zbatim të sitemit zgjedhor që u përdor në zgjedhjet parlamentare të qershorit 2013. “Meqënëse sipas kodit zgjedhor ata që konkurrojnë për deputetë nuk votohen nga qytetarët atëhere .nuk janë qytetarët që kanë amnistuar individë me rekorde kriminale, janë partitë politike, kryetarët e partive që bëjnë listat e kandidatëve për deputetë. Hyrja në Parlament dhe institucione publike e individëve me rekorde kriminale nuk është fenomen shqiptar, ndodh edhe në vende të tjera. Ajo që duhet bërë në Shqipëri është ndryshimi i sistemit zgjedhor, deputetët duhet t'i zgjedhin qytetarët. Por sidoqoftë, rreziku nuk shmanget plotësisht pasi nuk përjashtohet fenomeni i blerjes së votove”, thotë Albert Rakipi.

Ndërmjetësimi i europarlamentarëve Kukan dhe Fleckenstein nuk normalizoi vetëm jetën parlamentare në Shqipërinë me statusin e vendit kandidat për anëtarësim: publiku i gjerë e di tanimë që mes deputetëve ka persona me rekorde kriminale! Ky fakt është një shtytje për një rol më aktiv të shoqërisë civile, më vigjilent, dhe debate më të zgjeruara për një cilësi të të zgjedhurve në Parlament, ku në CV e tyre të mos ketë asnjë hije dhe asnjë problem me shtetin dhe ligjin.

DW.COM