1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Shqipëri: Kapitali gjerman shton interesin

Shfrytëzimi i burimeve natyrore mbetet një zgjedhje prioritare e investitorëve të huaj në Shqipëri. Sipas një raporti të Bankës së Shqipërisë sektori i energjisë po e zgjeron gjeografinë e investitorëve të huaj

default

Të dhënat e Bankës së Shqipërisë në këtë raport flasin për 2,62 miliardë euro investime të huaja në Shqipëri në vitin 2010 . Në krye të listës prej 30 vendesh të botës që kanë investuar në Shqipëri vazhdon të mbetet Greqia, e ndjekur nga Italia dhe Gjermania. Ndërsa më pas vijnë Austria dhe Kanadaja që kanë rritur praninë e kapitalit të tyre në Shqipëri: Kanadaja me 177 milion euro, kurse Austria me 150 milionë euro. Investim më i madh i kapitalit kanadez në Shqipëri mbetet ai i kompanisë “Bankers Petroleum” në nxjerrjen e përpunimin e naftës, ndërsa i kapitali austriak pas pranisë në tregun bankar me Reifeissen Bank është rritur me kompanitë EVN dhe Verbund që kanë investuar 170 milion euro në sektorin e energjisë.

Në foto, Eneida Guria

Në foto, Eneida Guria

Eneida Guria, Drejtore Ekzekutive e Agjensisë Shqiptare për Investime dhe Zhvillim, thotë për programin shqip të DW-së se ka një interes në rritje të investitorëve gjermanë dhe austriakë në sektorin e energjisë. “Gjermania dhe Austria kanë në Shqipëri një prani shumë të madhe në sektorin energjitik”, thotë Eneida Guria.

Sektori energjitik ka rezultuar një zgjedhje prioritare në bashkëpunimin ekonomiko- financiar të Gjermanisë me Shqipërinë. Amplituda e projekteve gjermane në këtë sektor shkon që nga reabilitimi i hidrocentraleve të Bistricës, ndërtimi i unazës së transmetimit të energjisë në Jug të Shqipërisë deri tek krijimi i sistemeve rajonale të transmetimit me Kosovën, Malin e Zi dhe Maqedoninë, me një financim prej më shumë se 200 milion euro. Një projekt tjetër është ai i reabilitimit të digave dhe pajisjeve elektrike në hidrocentralet mbi lumin Drin për të garantuar siguri në rastet e përmbytjeve kronike në zonat veriore të Shqipërisë.

Zgjerim i interesave të kapitalit gjerman në Shqipëri

Edhe pse sektori i energjisë zë vend prioritar në investimet gjermane vitet e fundit tregojnë një zgjerim të interesave edhe në sektorë të tjerë. Kështu ky vit shënoi edhe ardhjen në Shqipëri të kompanisë gjermane Dräger, me seli në Lübeck, një nga më të njohurat në fushën e prodhimit te produkteve të sigurisë së jetës në sektore të tillë si shëndetësia, minierat, petrokimia, emergjencat civile, ushtria dhe policia. Dräger ka një të ardhur vjetore prej 2,3 miliardë eurosh dhe është prijëse në fushën e këtyre produkteve. Burime zyrtare nga kjo kompani pohojnë për programin shqip të DW se kjo kompani e sheh Shqipërinë si një “qendër për të mbuluar edhe kërkesat e Kosovës, Maqedonisë dhe Malit të Zi me produktet e saj.”

Në foto, Annette Kasten

Në foto, Annette Kasten

Annette Kasten, Sekretare e Përgjithshme e Shoqatës gjermane të Tregëtisë dhe Industrisë në Shqipëri, e njohur me inicialet DIHA, shoqatë që përfaqëson interesat e kompanive gjermane në Shqipëri thotë se interesi i kapitalit gjerman për të investuar në Shqipëri ështe i shumëllojshëm. "Shqipëria është një vend me shumë potenciale, një vend interesant për kompanitë gjermane për të investuar. Psh. në transportin detar në portin e Durrësit ka një konsorcium gjermano- shqiptar ASC, Albanian- Stevedoring Company, që merret me ngarkim – shkarkimin e anijeve me një teknologji moderne. Shqipëria duhet të zhvillohet si një vend që përgatitet të jetë kandidat për anëtarësim në BE”, thotë Annette Kasten.

Në Shqipëri ka shumë zyra arkitektësh dhe inxhinierësh, që drejtohen nga ekspertë gjermanë, kompania gjermane Rofix prodhon materiale ndërtimi dhe kompania e mirënjohur farmaceutike Profarma është blerë nga një konsorcium gjerman. “Në selinë e DIHA-s, në Tiranë vijnë investitorë gjermanë nga sektorë të ndryshëm: që nga ai i prodhimeve të bukës, qumështit, drurit deri tek përfaqësues të kompanive që kanë supermerkatet gjermane me çmime ekonomike si Aldi, Lidl apo Netto, që mund të rezultojnë të suksesshme madh në Shqipëri” - thotë Annette Kasten.

Autor: Ani Ruci

Redaktoi: Esat Ahmeti