1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Shqipëri: hyn në fuqi ligji i Vetting-ut hapet rruga përzbatimin e reformës në drejtësi

Në Shqipëri hyn në fuqi ligji i Vetting-ut dhe hapet rruga përzbatimin e reformës në drejtësi. Gjykata Kushtetuese vendos të hedhë poshtë kërkesën e Partisë Demokratike për ta shpallur ligjin antikushtetues.

Viti 2017, që do të mbrrijë pas disa ditësh , mund të hyjë në histori. Që javët e  tij të para pritet të fillojë zbatimi i Ligjit të Vetting-ut, motorit të Reformës të shumëpritur në Drejtësi. Ligji i ka gjasat që të bëhet funksional menjëherë pas vendimit të sapo marrë të Gjykatës Kushtetuese për ta rrëzuar kërkesën e PD-së në opozitë për ta shpallur atë antikushtetues. Me shumicë votash- 6 anëtarë të Gjykatës Kushtetuese votuan pro ligjit të Vetting-ut dhe 2 kundër. Gjykata. më e lartë në Shqipëri, la në fuqi ligjin që ajo pezulloi para 2 muajsh pas ankimit të PD-së, sipas së cilës ligji në fjalë cënonte të drejtat e njeriut dhe i mundësonte qeverisë kontrollin e sistemit të drejtësisë. Në marrjen e vendimit të saj Gjykata Kushtetuese pati mbështetjen e Komisionit të Venecias, trupës më të lartë këshillimore të Këshillit të Europës që dha opinion pozitiv për Ligjin e Vetting-ut.

” Dispozitat e Ligjit të Vetting-ut  nuk shkelin nenet e Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut. Në tërësi  ky ligj është pozitiv. Ligji i Vetting-ut është  i nevojshëm për Shqiperinë”, vlerësoi ky komision në opinionin e tij. Por në vendimin e Gjykatës Kushtetuese pati ndikimin e vet edhe presioni në rritje i shoqërisë civile me peticione dhe thirrje të shumta për të mos u bërë pengesë në zbatimin e reformës duke e shpallur ligjin antikushtetues. Pa lënë menjëanë e rolin e apeleve këmbëngulëse të politikanëve të nivelit të lartë të vendeve të BE-së për ta filluar pa vonesë znbatimin e reformës, më i freskëti prej të cilëve, ai i Ministrit gjerman të Shtetit për Çështje Europiane,  Michael Roth, i cili vizitoi (19.12) Tiranën. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese konsiderohet historik nëse kihet parasysh edhe konflikti i intertesit që gjyqtarët e saj kanë me Ligjin e Vetting-ut, pasi edhe ata, siç këshillon Komisioni i Venecias, do t'i nënshtrohen skanerit të Vetting-ut për burimin e pasurive të tyre dhe pastërtisë së  figurës.

B-ja do ta mbështesë Shqipërinë

Reforma në Drejtësi është mbështetur fuqimisht që në fillimet e saj, rreth dy vjet më parë nga BE-ja dhe SHBA-ja. Kjo mbështetje i ka dhënë konsensus ndërkombëtar kësaj reforme. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese, që e vlerësoi në përputhje me Kushtetutën Ligjin e Vetting-ut dhe e la atë në fuqi, u vlerësua dhe u përshëndet fuqimisht prej tyre. Në një deklaratë për mediat BE nxit autoritetet e Tiranës të nisin me shpejtësi zbatimin e vlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve. "Komisioni Europian do ta mbështesë Shqipërinë për kryerjen e një procesi Vetingu tërësor dhe të besueshëm, duke udhëhequr Operacionin Ndërkombëtar të Monitorimit”, theksohet në deklaratë. Ndërsa SHBA-ja në deklaratën e saj u bën thirrje "të gjitha partive politike dhe drejtuesve të Shqipërisë të respektojnë vendimin e Gjykatës Kushtetuese , të punojnë me shpejtësi, për të zbatuar të gjitha reformat historike të sistemit të drejtësisë”theksohet në këtë deklaratë. Kryeministri Edi Rama përshëndeti vendimin e Gjykatës Kushtetuese duke shkruar në rrjetet Sociale, se "Ata (PD) e vonuan por nuk mundën ta ndalonin atë.  Tani ka ardhur koha të shohim zbatimin e ligjit të Vetting-ut”.

Çfarë pritet të sjellë Vetting-u?

Vetting-u synon që në Shqipëri të mos ketë më të paprekshëm, që dora e drejtësisë të kapë dhe të dënojë jo "peshq të vegjël” si deri më tani por "peshkaqenë” , pushtetarë dhe zyrtarë të lartë të korruptuar duke nisur kështu shembjen e cultures së pandëshkueshmërisë, pothuajse "të betonizuar " gjatë viteve të tranzicionit.  Të 71 nenet e tij përcaktojnë qartë se si do të realizohet procesi i vlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve. Ata do të kontrollohen për pasuritë e tyre, lidhjet e mundshme me krimin e organizuar dhe aftësitë profesionale. Gjithë procesi vendimmarrës në vlerësimin e gjyqtarëve dhe të prokurorëve do të mbikqyret nga vëzhguesit ndërkombëtarë. Sipas ligjit, gjetjet e vëzhguesve ndërkombetarë gjatë procesit të vlerësimit janë një provë thelbësore. Nëse këto gjetje refuzohen nga strukturat përkatëse që do të bëjnë vetting-un, atëhere ato detyrohen të japin me shkrim arësyet e vendimit të tyre për një gjyqtar apo prokuror, që përjashtohet nga sistemi i drejtësisë si i inkriminur apo i korruptuar apo që mbetet në sistem. Në muajt e parë të vitit 2017 do të shihet ecuria e zbatimittë ligjit të Vetting-ut, por duke pasur këmbët në tokë reformës në drejtesi do t'i duhen vite që të japë rezultatet e saj.

Ligji i Vetting-ut dhe negociatat e anëtarësimit me BE-në

 

Zbatimi i ligjit të Vetting-ut dhe rezultatete tij në muajt e pare të vitit 2017 përbëjnë kushtin kryesor nga BE-ja për Shqipëinë për hapjen e negociatavetë anëtarësimit. Nëse rezultatet janë positive dhe të prekshme atëherë Komisioni Europian pritet t'u sugjerojë vendeve anëtare të BE-së hapjen e negociatave. Në prag të vendimit të (22.12) të Gjykatës Kushtetuese , PD ështe ankimuar në këtë gjykatë për një ligj tjetër të paketës kushtetuese të Reformës në Drejtësi, të votuar edhe me votën e opozitës më 22 korrik 2016. Fjala është për organet e Këshillit të Lartë të Gjyqësorit dhe Këshillin e Lartë të Prokurorisë. PD-ja i këkon Gjykatës Kushtetuese që të shpallë antikushtetuese disa dispozita të këtij ligji,pikërisht ato që kanë të bëjnë me mënyrën sesi Parlamenti zgjedh 10 anëtarët e këtyre këshillave. Gjykata Kushtetuese ka për detyrë të shqyrtojë aneksën e PD-së brenda 4 muajve. Burime nga kjo gjykatë thanë për DW se ankesa e re e PD-së nuk e bllokon zbatimin e Ligjit të Vetting-ut.