1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Shqipëri: Fëmijët keqpërdoren për tubimet elektorale

Sipas organizatave dhe aktivistëve për të drejtat e njeriut fëmijët në Shqipëri angazhohen nga subjektet politike, të djathta ose të majta, si sfond ose në rradhët e para të tubimeve duke tundur flamuj e banderola.

Manifestim në Tiranë

Manifestim në Tiranë - Fëmijët përdoren si sfond gjate fushatës elektorale.

Partitë politike i kanë ndezur motorët për fushatën elektorale, megjithëse në bazë te ligjit ajo ende nuk ka nisur. Udhëheqësit e partive konkurente janë duke zhvilluar tubime masive, apo dhe kontakte prezantuese, në rrethe të ngushta mbështetësish. Sa vjen dhe më shumë ngrihet adrenalina politike, e cila tërheq vëmendjen e opinionit publik, i interesuar për programet, strategjitë, përbërjet e stafeve etj. Por, aktivistët e të drejtave të njeriut po shprehin shqetësim për fenomenin e përsëritur në ditët elektorale, atë të përdorimit të fëmijëve në këtë proces. Ata po apelojnë për më shumë vëmendje, që nga çdo subjekt politik, të mos shkelen liritë dhe të drejtat e fëmijëve, që ata të mos bëhen thjesht pjesë e fasadës së një gare të të rriturve. Dy herë në pak ditë ka reaguar dhe Institucioni i Avokatit të Popullit, për të evituar abuzimin me fëmijët në fushatë.

Altin Azizaj

Altin Azizaj, ngre zërin kundër shfrytëzimit të fëmijëve për qëllime politike

Edhe organizatat joqeveritare po e ngrenë zërin ndaj këtij fenomeni negativ. Altin Hazizaj, drejtues i qëndrës shqiptare për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve, thotë për DW se ka ardhur koha që për këtë problem të vendosen standarte për të mos lënë gjërat në spontanitet dhe inercinë e përdorimit politik. "Ajo që kemi vënë re në të gjithë aktivitetin elektoral, qoftë djathtas e qoftë majtas është se fëmijët janë të vendour ose në sfond, ose në rradhë të parë duke mbajtur pankarta ose flamujt e tyre. Ata janë vendosur atje thjesht për tu shfrytëzuar, për të thirrur rroftë ky apo ai, ndërkohë që askush nuk ka menduar për respektimin e të drejtave të tyre. Për aq kohë sa i kanë aty, madje në rradhë të parë, përfaqësuesit e partive politiki duhet t`i drejtohen dhe atyre, si një elektorat më vete. Fëmijët nuk votojnë vërtet sot, se ata këtë do ta bëjnë nesër, Por që tani, ata duhet të fillojnë të krijojnë bindjen për shtetin e tyre, çfarë shërbimesh iu ofron ai. Megjithëse nuk kanë të drejtën e votës ata nuk duhet thënë që të mos dinë".

Hazizaj shpjegon se në kontakte për drejtues të partive kryesore, me deputetë dhe përfaqësues të administratës është kërkuar trajtim i veçantë për fëmijët gjatë aktivitetit elektoral. Organizata e tij nuk është kundër pjesmarrjes së fëmijëve në aktivitete të ndryshme elektorale, që bëhen në bashki e komuna, në ambjent të hapur apo të mbyllur. Por sipas tij angazhimi duhet të jetë i garantuar nga përmbushja e disa kritereve baza. "Kriteri kryesor është, që ata të mos detyrohen të jenë aty ku ata nuk duan të jenë. Gjithashtu fëmijët që vijnë të jenë të shoqëruar nga prindërit, ose persona të tjerë si kujdestarë, të cilat janë të trajnuar paraprakisht për kujdestarinë ndaj tyre të tyre. Tjetër është që politikanët tu drejtohen atyre si një subjekt elektoral më vete. Nga organizatorët duhet të merren masa, që fëmijët gjatë një aktiviteti politik elektoral të jenë të siguruar për mirëqënien e tyre. Pra pjesmarrja të mos jetë e dëmshme për shëndetin psikologjik dhe fizik të tyre, nga njerëzit e tjerë që ndodhen aty".

Qendra shqiptare për mbrojtjen e fëmijëve, në bashkëpunim me organizata të tjera joqeveritare si dhe aktorë të ndryshëm të shoqërisë civile me fillimin zyrtar të fushatës elektorale, do të organizojnë një proces ndërgjegjësimi për politikanët dhe publikun, për një kujdes të trajtimit të fëmijëve në këtë periudhë. Kjo do të konkretizohet me postera e spote në media, si dhe organizimin e forumeve të debatit me aktorë të ndryshëm social politikë.

Autor: Arben Muka

Redaktoi: Aida Cama



  • Data 12.05.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/HoXH
  • Data 12.05.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/HoXH