1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Shqipëri: Dita e votimeve 2017 më pak e nxehtë sesa koha

OSBE/ODHIR: Dita e zgjedhjeve qe e ngarkuar dhe gjatë procesit të votimit pati edhe vonesa dhe disa parregullsi, por liritë themelore u zbatuan.

Garuesit kanë bërë fushatë të lirë dhe liritë themelore u zbatuan, por administrata e politizuar  e zgjedhjeve – komisionerët, numëruesit etj. që caktohen prej partive poltike – e ulën besimin në proces, theksuan vëzhguesit ndërkombëtarë. Po ashtu OSBE-ja theksoi se besimin publik në procesin elektoral  e kanë ulur edhe akuzat për shitblerjen votave. 

Më pak e nxehtë sesa koha

Shefi i misionit të vëzhguesve afatshkurtër, Roberto Battelli, theksoi se dita e zgjedhjeve qe e ngarkuar dhe gjatë procesit të votimit pati edhe vonesa dhe disa parregullsi përfshirë ndërhyrje të aktivistëve partiakë të autorizuar, por se megjithatë "dita e djeshme ishte më pak e nxehtë sesa koha”.

OSBE-ja kritikoi edhe raportimin e nxituar të mediave dhe thashethemet rreth zgjedhjeve, duke theksuar se "Shqipëria mund të bëjë më mirë".

Shqipëria sipas Battellit bëri me këto zgjedhje një lëvizje për t'u shënuar drejt Europës.

Njohja e rezultateve element kyç për procesin demokratik

Eurodeputeti Eduard Kukan tha se nuk ka dyshim që procesi zgjedhor dje ishte i organizuar mirë, por duhet të presim deri në fund se si do të bëhet kalimi i pushtetit dhe a do ta përshëndesin humbësit fituesin. Kukan i ftoi partitë politike që ta njohin rezultatin.

"Jemi të ndërgjegjshëm për rëndësinë e kësaj gare, që përbën një hap të rëndësishëm për Shqipërinë. Jemi të inkurajuar nga ndërmjetësimet politike që çuan në pjesëmarrjen e Partisë Demokratike në zgjedhje. Dëshirojmë që rezultati të njihet nga të gjithë, kjo është kyçe për procesin demokratik” – tha eurodeputeti Eduard Kukan.

Më tej Kukan shtoi se ne e mbështësim Shqipërinë për integrimin në Europë, por kushti është që të plotësohen kërkesat dhe reformat – dhe kryesorja është ajo në drejtësi.