1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Shqipëri: Ballafaqimi me të shkuarën ende në nxemje

Në dhjetëvjeçarin e fundit Shqipëria ka përparuar shumë në përballjen me të kaluarën komuniste. Jo sa duhet, mendojnë përfaqësuesit e institucioneve, që merren me të. Ata kërkojnë hapjen e dosjeve të sigurimit.

Admirina Peçi sheh me kureshtje të madhe qindra fletorkat e zverdhura e të rrjepura, të radhitura me kujdes nëpër raftet e metalta. Është hera e parë për drejtoreshën e kërkimeve të projektit "Bunkart" që viziton Arkivin e Stasi-t në Berlin. Atë dhe disa përfaqësues institucionesh që merren me të shkuarën, i ka ftuar Fondacioni për Ballafaqimin me të Shkuarën e Diktaturës Komuniste për një udhëtim studimor në Gjermani.

Njëri nga stacionet: Arkivi i Stasi-t në Berlin: Mbi një tryezë të vogël buzë rafteve janë vendosur disa qese me rriska dhe copa letrash: janë dokumente të grisura nga bashkëpunëtorët e sigurimit në vitin 1989, kur populli ende qe i dehur nga gëzimi i lirisë dhe bashkimit dhe nuk mendonte për dosje. Zhdukja e gjurmëve mori fund në janar 1990, kur ministria u okupua nga aktivistët e revolucionit paqësor. 15.500 thasë me dokumente të tilla gjenden në arkiv, për rindërtimin e tyre, shteti gjerman jep miliona Euro.

Ish-sigurimi shqiptar kishte shumë më tepër kohë për të fshehur gjurmët. "Në fillim të viteve '90 u zhdukën në masë të gjitha dosjet që kishin lidhje me personat që morën pushtetin atëherë dhe që sot e kanë ende në Shqipëri", thotë Admirina Peçi.

Sesa të vështirë e bën zhdukja e dosjeve kërkimin e fajtorëve dhe nxjerrjen e tyre para drejtësisë, kjo është dëshmuar edhe në Gjermani: ku, për shembull, ish-ministri i brendshëm i RDGJ-së, Erich Mielke, nuk u dënua dot për krimet e bëra në komunizëm, por për diçka tjetër.

Por denoncimi me emër i personave përgjegjës dhe prezantimi i tyre në publik është i rëndësishëm, edhe në se ata nuk dënohen. Për Roland Jahn-in, të ngarkuarin federal për dosjet e STASI-t, fokusi i ballafaqimit me të shkuarën komuniste, sot, 28 vjet pas rënies së murit, është zhvendosur: "Nga 'kush ka bërë e çfarë ka bërë?', në 'si është sjellë ai person deri tani?' 'A është penduar?' 'A ka kërkuar falje?'" Dhe ky lloj ballafaqimi edhe në Gjermani është ende në fillesa.

Një ngushëllim i vogël për vizitorët e ardhur nga Shqipëria, që edhe Gjermania ka ende punë për të bërë në ballafaqimin me të kaluarën. Sabine Kuber, nga Fondacioni për Ballafaqimin me të Kaluarën thotë se ky është një proces që kërkon shumë durim: "Është si një maratonë, e ne ndodhemi ende në kilometrin e katërmbëdhjetë."

"Ndërsa Shqipëria është ende në fazën e nxemjes", shton Jonila Godole. Për të hapja e dosjeve është një nga sfidat kryesore që duhet të kapërcejë Shqipëria, në procesin e përballjes me të shkuarën: "Pas ligjit dhe ngritjes së autoritetit përkatës, tani duhen hapur dosjet në mënyrë që njerëzit të besojnë se vërtet do të ketë drejtësi," – kërkon drejtuesja e Institutit për Media, Demokraci dhe Kulturë.

Sabine Kuder, që e ndjek Shqipërinë tashmë prej 10 vitesh, është më e butë në gjykimin e saj. "Kur shkuam ne vitin 2006 nuk kishte thuajse asgjë, as institute historike, as muze që merren me të kaluarën, apo ndërtesa përkujtimore, kishte vetëm shoqata të përndjekurish. Dhjetë vjet më vonë ne kemi Shtëpinë e Gjetheve, Muzeun e Shkodrës, institute që merren me të shkuarën, tema është e pranishme në media, prandaj ne shikojmë një zhvillim."

Këtë pozitivizëm nuk e ndjen teksa flet me pjesëtarët e delegacionit. Sepse moshapja e dosjeve mbetet për ta një pengesë e madhe në hulumtimin e së shkuarës: "Nuk mund të kemi një shoqëri të hapur pa arkiva të hapura", thotë Admirina Peçi duke pasur parasysh jo vetëm dosjet e sigurimit, por edhe dokumente të ministrive dhe dikastereve të asaj kohe, që ende konsiderohen si "sekret". Sipas saj, për një gjë të tillë mungon vullneti politik.

Por edhe angazhimi i përbashkët i institucioneve dhe OJQ-ve që merren me këtë temë: "Zbardhja e të kaluarës nuk shihet si mision, por si treg, dhe aktivistët ngurojnë të bashkëpunojnë, sepse mendojnë se mos i hyjnë në pjesë njëri tjetrit," ankohet një nga anëtarët e delegacionit. Duke dhënë si shembull edhe faktin që disa syresh nuk njiheshin fare me njëri-tjetrin para se të vinin në Gjermani.

Pikërisht, ky ishte edhe njëri nga qëllimet e këtij udhëtimi, thotë drejtori i zyrës së Fondacionit Konrad Adenauer në Tiranë, Walter Gloss, që së bashku me degën e OSBE-së në Tiranë kishte organizuar udhëtimin: krijimi i një platforme të përbashkët bashkëpunimi për këto institucione.