1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Presidenti Topi në Shkup

19 Prill 2012

Presidenti i Shqipërisë Bamir Topi po viziton Maqedoninë. Dy vendet kanë një ëndërr të përbashkët - eurointegrimet. Shqipëria në raste krizash në Maqedoni, çdo herë luan rol konstruktiv, konstatojnë analistët.

https://p.dw.com/p/14gvV
Presidenti i Shqipërisë, Bamir Topi
Presidenti i Shqipërisë, Bamir TopiFotografi: AP

Marrëdhëniet midis dy vendeve janë shumë të rëndësishme, si për Maqedoninë ashtu edhe për Shqipërinë. Këto marrëdhënie duhet të kenë një dinamikë të vazhdueshme, veçanërisht në forcimin e bashkëpunimit politik. Maqedonia dhe Shqipëria në bashkëpunimin e tyre të sukseshëm kanë një ëndërr të përbashkët që ka të bëjë me proceset eurointegruese. Ky është vlerësimi në të cilin bashkohën analistët në Shkup, ku sot po qendron për vizitë presidenti i Shqipërisë, Bamir Topi.

Si dy vende fqinje Maqedonia dhe Shqipëria kanë një rol të rëndësishëm për rajonin. Dy vendet i lidhin shumë punë mes të cilave historia e përbashkët, gjeografia si dhe sfidat e përbashkëta në sferën e reformave.

Slobodan Casule, analist
Slobodan Casule, analistFotografi: AP

Analisti politik Sllobodan Çashule, thotë se marrëdhëniet ndërfqinjësore në Ballkan janë komplekse, meqë ka shumë çështje të hapura, por edhe krahas kësaj situate Maqedonia dhe Shqipëria kanë marrëdhenie të shkëlqyera.

Ne kemi arritur sukses që me Shqipërinë të kemi me të vërtetë  një dinamikë pozitive në raportet e përgjithshme. Është e vërtetë se ka momente kur nuk kuptohemi, por falë angazhimit të politikës zyrtare në Shkup dhe Tiranë mosmarrëveshjet shndërrohen në një dialog pozitiv”, shprehet Çashule.

Falë politikës pozitive,  Maqedonia dhe Shqipëria për mrekulli kanë rregulluar çështjen e lëvizjes së lire të qytetarëve me karta identiteti, me lehtësime për qarkullimin e mallrave në pikat doganore dhe realizimin e një sërë projektesh infrastrukturore dhe të mjedisit jetësor, në kuadër të bashkëpunimit ndërkufitar.

Shqipëria dhe Maqedonia kanë synime të njejta euroatlantike, prandaj incidentet ndëretnike që ndodhin kohë pas kohe në Maqedoni nuk do të ndikojnë në marrëdhëniet mes dy shteteve, thotë Çashule. 

Edhe krahas krizave që na ndodhin në Maqedoni, të dy etnitetet si ai maqedonas po dhe ai shqiptar, tregojnë pjekuri të lartë shoqërore dhe nuk lejojnë që të cënohet një ndër shtyllat kryesore të marrëveshjes së Ohrit, marrëdhëniet e mira ndëretnike,” thotë Çashule, duke shtuar se Shqipëria në raste të krizave në Maqedoni, çdo herë luan rol konstruktiv duke qetësuar tensionet.

Shkupi
ShkupiFotografi: Petar Stojanovski

Profesori universitar i së Drejtës Ndërkombëtare, Veton Latifi, thotë se Maqedonia dhe Shqipëria në kontinuitet kanë marrëdhënie solide,  ndonëse këto marrëdhënie do të kishin mundur të intensifikohen edhe më tepër dhe të kalojnë në një dimension të marrëdhënieve të shkëlqyera.

Në kuadër të bashkëpunimit mes dy vendeve mbase  ka mundur dhe akoma nuk është vonë që të punohet në projekte dhe iniciativa të përbashkëta ndëkufitare në një nivel të një bashkëpunimi më serioz dhe jo vetëm se deklarativ dhe formal,vlerëson Latifi.

Shqipëria është një partner serioz për Maqedoninë në rrugën e saj për integrimin në NATO, përvojat e Tiranës janë domethënëse për Shkupin.  Dy vendet fqinje duhet të kenë partneritet real dhe në këtë mënyrë  relacionet e tyre të shërbejnë për rajonin e Ballkanit si një model i shkëlqyer se si duhet të zhvillohen marrëdhëniet midis dy vendeve.

Konsideroj që të dy vendet kanë mjaft interesa të përbashkëta, është axhenda evropiane  ajo e cila mund të jetë një platformë e shkëlqyer që të dyja vendet të zhvillojnë edhe më tepër bashkëpunimin e tyre dhe të jenë sa më afër njëra tjetrës,” thotë Latifi.

Sipas analistëve politik, marrëdhëniet politike mes Tiranës dhe Shkupit kanë njohur stabilitet vitet e fundit. Procesi i integrimit europian është vendimtar për gjithë rajonin dhe marrëdhëniet mes Shqipërisë e Maqedonisë po kthehen në një shembull pozitiv.

Autor: Fatos Musliu/ Shkup

Redaktoi: Auron Dodi