1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Shqetësim për lirinë e shtypit në Turqi pas burgosjes së gazetarëve

Gjatë ditëve të kaluara në Turqi janë burgosur më shumë se dhjetë reporterë. Ata akuzohen për anëtarësi në një organizatë terroriste. Indinjata në opinionin publik është e madhe, se kështu po cënohet liria e shtypit.

default

Pranga lirisë së shtypit?

Nuk është më fjala vetëm për gazetarët, të cilët janë burgosur. "Është burgosur gazetaria", ky ishte kryetitulli i numrit të së hënës (7.3.) të gazetës turke me traditë "Cumhuriyet".

Akuza për anëtarësi në organizatë terroriste

Cilat janë rrethanat: autoritetet turke gjatë ditëve të kaluara kanë arrestuar më shumë se dhjetë reporterë, për shkak të akuzave për anëtarësim në rrjetin terrorist Ergenekon. Ky rrjet bëhet përgjëgjës për disa dhjetëra vrasje dhe atentate. Objektivi i anëtarëve të Ergenekonit thuhet se ka qenë krijimi i trazirave dhe kaosit në Turqi për të rrëzuar qeverinë konservatore të kryeministrit Recep Tayyip Erdogan. Deri tani hetimet ishin kufizuar në radhët e ushtarakëve dhe funksionarëve të lartë. Por fakti që tani po akuzohen për anëtarësi në rrjetin terrorist edhe gazetarë të njohur e ka indinjuar opinionin publik. Organizatat turke të shtypit kanë protestuar fort. Bëhet fjalë për përndjekje sistematike të reporterëve kritikë nën petkun e hetimeve ndaj Ergenekonit. Alper Turgut nga shoqata turke e gazetarëve TGC, thotë:

Nëse ne tani heshtim dhe nuk veprojmë, kjo gjendje do të vazhdojë. Ata nuk do të ndalen nëse ne heshtim, kjo është e qartë. Por edhe ne nuk duam të ndalemi. Ne do të vazhdojmë të shkruajmë dhe nuk do të heshtim."

Putsch Staatsstreich Prozess in der Türkei

Protesta para burgut në Silivri, në prag të fillimit të procesit Ergenekon. 2009.

Indinjatë dhe protestë në opinion dhe shoqatat e gazetarëve

Prokurori i përgjithshëm, i cili normalisht nuk thotë asgjë për hetimet në vazhdim, pas arrestimeve bëri të ditur se ato nuk kanë të bëjnë aspak me aktivitetin në gazetari të të paditurve. Me sa duket nën presionin e protestës së fortë të opinionit publik turk, ai deklaroi se këtu fjala është vetëm për akuzën se gazetarët kanë qenë anëtarë të Ergenekonit. Për kolegët gazetarë nga të gjitha kampet politike, akuzat janë pa bazë. Ata e akuzuan aparatin shtetëror të kryeministrit Erdogan, se kërkon të frikësojë gazetarët kritikë.

Liria e shtypit në rrezik

Rasti i gazetarëve të arrestuar indinjon aq shumë njerëz në Turqi, pasi pjesa më e madhe e reporterëve të arrestuar në të kaluarën e kanë dëshmuar paanësinë e tyre politike. Ata kanë qenë kritikë si ndaj qeverisë ashtu edhe ndaj kampit opozitar. Dhe jo vetëm kaq: dy prej gazetarëve të arrestuar më të njohur Nedim Şener dhe Ahmet Şık, kanë bërë të mundur hetimet ndaj Ergenekonit pikërisht me punën e tyre investigative. Moderatori me popullaritet në televizion Uğur Dündar i drejtoi një apel ministrit të Brendshëm turk Beşir Atalay. Ai i bëri atij thirrje të shprehej qartë në mbrojtje të lirisë së shtypit në Turqi.

Do të dëshiroja që ministri i Brendshëm të pengonte që gazetarët të cilët nuk bëjnë gjë tjetër veçse janë në kërkim të së vërtetës, të poshtërohen dhe të trajtohen pa dinjitet."

Kryeministri Erdoğan theksoi në fund të javës së kaluar se arrestimet nuk janë bërë me udhëzim të qeverisë. Ai tha se shpreson që procesi të përfundojë sa më shpejt. Por kjo nuk ka shumë gjasa të ndodhë. Pas katër vjet hetimesh në çështjen Ergenekon deri tani është ngritur padi ndaj më shumë se 300 vetëve. E megjithatë ende nuk është shqiptuar megjithatë asnjë gjykim.

Autor: Steffen Wurzel / Eliana Xhani

Redaktoi: Mimoza Cika-Kelmendi

  • Data 08.03.2011
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/10UmV
  • Data 08.03.2011
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/10UmV