1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

040410 Südafrika Terreblanche

5 Prill 2010

Vrasja e përkrahësit afrikanojugor të apartejdit Eugene Terreblanche pak para zhvillimit të Kampionatit Botëror të Futbollit ka shkaktuar shqetësime për trazira racore. Të gjitha palët u shprehën të shokuar nga ky veprim

https://p.dw.com/p/Mni9
Tabela nga koha e apartejdit në Afrikën e Jugut
Tabela nga koha e apartejdit në Afrikën e JugutFotografi: AP

Agjitatori i apertejdit u vra sipas të dhënave të policisë më 03 prill nga dy punëtorë zezakë në fermën e tij në pjesën perëndimore të Johanesburgut. Shkau i kësaj vrasjeje të kryer me mjete rrethanore, një manshetë dhe një shkop, mendohet se ka qenë një mosmarrëveshje për shkak të mospagimit të rrogës.

Por kjo vrasje mund të marrë të tjera përmasa më të mëdha dhe në vend është përhapur frika se mund të shpërthejnë trazira të reja racore. Duke e përmendur këtë vrasje në predikimet e tyre me rastin e Pashkëve ipeshkvët afrikano-jugorë bënë thirrje për një bashjëkjetëse paqësore. Edhe politikanët e kampeve të ndryshme po bëjnë përpjekje për të qetësuar situatën. Helen Zille, kryetarja e Aleancës Demokratike, në opozitë, tërhoqi vëmendjen se vrasja mund ta polarizojë Afrikën e Jugut – ku gjithsesi tensionet ekzistojnë: “Gjëra të tilla ndodhin kur disa njerëz manifestojnë brutalitet dhe i konsiderojnë vrasjet si mundësi të pranueshme për të zgjidhur problemet. Por kjo nuk i zgjidh kurrë problemet. Kjo e vështirëson edhe më shumë që vendi ynë të ketë sukses si një demokraci anti-raciste dhe kushtetuese.”

Ekziston shqetësimi që vrasja mund të jetë nxitur nga kryetari i organizatës së rinisë të partisë në pushtet, ANC. Në mars Julius Malema kishte filluar të këndonte gjatë një takimi studentësh një këngë të diskutueshme, në refrenin e së cilës bëhet thirrje për dhunë kundër të bardhëve. Që prej kësaj ngjarjeje po shtohen akuzat se në Afrikën e Jugut mund të nxitet klima kundër burëve, si quhen pasardhësit e kolonizatorëve të parë holandezë në Kejptaun. Policia kërkoi shprehimisht që vrasja të mos lidhet me këngën në fjalë. Megjithatë partia e vogël “Fronti i lirisë Plus”, e cila përfaqëson në kabinet fermerët e bardhë, kaloi në ofensivë.

Kryetari i saj Pieter Mulder, i cili është dhe zevëndësministër i Bujqësisë, tërhoqi vëmendjen se situata është shpërthyese dhe i bëri thirrje Presidentit të Afrikës së Jugut Zuma që ta dënojë këtë këngë publikisht. “Si president, Zuma e ka sipas kushtetutën tonë për detyrë që të kujdeset që të gjithë afrikano-jugorët të kenë stabilitet dhe siguri. Presidenti Zuma tani duhet të tregojë tani fuqinë e tij drejtuese dhe t'i dënojë këto këngë agresive, sepse ato mund të provokojë klimën e dhunës." Zëdhënësi i Zumës theksoi se edhe presidenti ishte tronditur nga ngjarja.

Eugene Terre'Blanche ishte përkrahës i ndarjes racore. Organizata e tij ekstremiste e djathtë "Lëvizja e rezistencës afrikane" u përpoq në vitet 90' ta parandalonte me dhunë ndalimin e apartejdit. Pas kësaj Terre'Blanche kishte hyrë shpesh herë në konflikt me ligjin. Për shkak se ishte përpjekur të vriste një roje me ngjyrë ai ishte dënuar me katër vjet heqje lirie. Vrasja tani pikërisht e këtij personi po shoqërohet tek afrikano-jugorët me reagime të përziera.

"Çdo vdekje e dhunshme është e tmerrshme. Ngjyra e lëkurës apo çfarë feja s'kanë rëndësi." - thotë një grua.

"Unë mendoj se Terre'Blanche ishte njeri i mirë, gjithmonë i sinqertë,“ - shton një burrë.

"Mirë ia bënë, ai ishte racist, nuk i donte zezakët," - thotë një grua. "Vrasjet janë gjithmonë të tmerrshme, por Eugene Terre'Blanche nuk ishte kurrë njeri i mirë."

“Lëvizja e Rezistencës Afrikane”, shefi i cë silës ishte Terre'Blanche, bëri në deklaratën e saj të parë pas vrasjes, thirrje për hakmarrje. Por deklarata pasuese e zëdhënësit të saj Andre Nienanber ishte më pak e ashpër. Si ai edhe familja e Terre'Blanche kërkuan që të ruhet qetësia dhe të mos ndërmerren hapa të pamenduar.

Në shumë ferma të Afrikës së Jugut ka dhunë të madhe. Dhe vitet e fundit janë vrarë vazhdimisht fermerë të bardhë. Por tani, dhjetë javë para fillimit të Kampionatit Botëror të Futbollit, këto ngjarje që pushtojnë faqet e para të mediave, nuk i vijnë Afrikës së Jugut aspak për shtat.

Autor: Jana Genth / Mimoza Cika-Kelmendi

Redaktoi: Pandeli Pani