1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

140611 Griechenland EU

15 Qershor 2011

Ministrat e financave iu shmangën deklaratës së përbashkët, që ishte parashikuar për qetësimin e tregjeve të trazuara financiare. Bisedimet do të vazhdojnë të dielën (19.6.) në Luxemburg.

https://p.dw.com/p/11abz
Grevë e përgjithshme në Greqi, pamje nga Athina, 14.06.2011
Grevë e përgjithshme në Greqi, pamje nga Athina, 14.06.2011Fotografi: dapd

Ndërkohë është e qartë se plani fillestar për Greqinë nuk funksionon. Vendi me gjithë ndihmat e mëdha nuk po del nga spiralja e borxheve dhe deri në vitin 2012 nuk do të marrë dot para vetë në tregun e kapitalit, siç ishte menduar. Por si do të reagojë euro-grupi? Për presidentin e tij, luksemburgasin Jean-Claude Juncker, nuk duhet të ketë në asnjë mënyrë tabu. „Unë kam thënë se sot do t'i shikojmë të gjitha opsionet."

Ministri gjerman: Pjesë e programit shtesë është pjesëmarrja e sektorit privat

Ministri grek i Financave George Papaconstantinou në bisedë me homologun gjerman Wolfgang Schäuble
Ministri grek i Financave George Papaconstantinou në bisedë me homologun gjerman Wolfgang SchäubleFotografi: dapd

Me ide shumë të veçanta shkoi për shembull në Bruksel ministri gjerman i Financave, Wolfgang Schäuble: „Vendimtar është forcimi i forcave, që sjellin zhvillim, sepse përderisa Greqia nuk do të marrë hovin e duhur ekonomik, kjo e gjitha nuk përballohet dot. Dhe sigurisht pjesë e programit shtesë është pjesëmarrja e sektorit privat. Por sot nuk mund të prisni rezultate lidhur me të."

Marrëveshja të martën në mbrëmje (14.6.) në fakt dështoi. Dhe Schäuble e tha problemin kryesor: A duhet që kreditorët privatë, bankat dhe sigurimet, të heqin dorë nga një pjesë e pretendimeve të tyre lidhur me Greqinë? Gjermanët duan të pengojnë, që faturën ta paguajnë sërish vetëm taksapaguesit. Konkretisht qeveria gjermane parashikon, që bankat t'i këmbëjnë borxhet e vjetra greke me të reja me afat të gjatë kohor, një formë e zbutur e ristrukturimit të borxhit. Por kjo mund të ndodhë vetëm vullnetarisht, mendon ministri belg, Didier Reynders: „Unë mendoj se do të ishte gabim, që t' detyrosh partnerët për të ndërhyrë. Kjo mund të shkaktonte mungesën e aftësisë paguese dhe probleme të vështira për të gjithë eurozonën."

Homologu i tij finlandez, Jyrki Katainen, theksoi se gjermanët nuk janë të vetëm me pretendimin e tyre, edhe ai është i shqetësuar se mungesa e aftësisë paguese nuk do të kufizohet vetëm tek Greqia: „Shumica e vendeve kanë treguar, se tani përfshirja në ndonjë farë forme e sektorit privat është vendimtare. Por unë theksoj, se ne duhet të bëjmë gjithçka për ta penguar krizën financiare. Kemi një ekuilibër shumë delikat."

Për shumicën tema e mungesa e aftësisë paguese është siç duket më shumë vlerësim, sesa fakt objektiv.

Nga takimi i ministrave të Financave të vendeve të eurozonës, Bruksel më 14.06.2011
Nga takimi i ministrave të Financave të vendeve të eurozonës, Bruksel më 14.06.2011Fotografi: AP

Draghi: Bankat greke pas rënies së aftësisë paguese duhet të rikapitalizohen

Presidenti i bankës Qendrore italiane, Mario Draghi, i cili paraqitet në Bruksel para komisionit ekonomik dhe monetar të parlamentit evropian si shef i ri i Bankës Qendrore Evropiane (BQE) dhe emërimi i të cilit është mëse i sigurtë, mbështet pozicionin klasik të BQE. BQE e refuzon deri tani ristrukturimin e borxhit: „Në qofte se ka humbje, atëherë bankat qendrore kombëtare duhet të paguajnë secila kontributin e vet. Në qoftë se ka një mungesë të aftësisë paguese, aktorët duhet ta dinë se kjo do të ketë pasoja edhe për kohën pas mungesës së likuiditetit. Bankat greke pas rënies së aftësisë paguese duhet të rikapitalizohen. Ne duhet të bëhemi të vetëdijshëm për shpenzimet. A jemi të gatshëm për këtë?"

Pyetja duhet të ketë qenë retorike. Presioni për të vepruar është shumë i madh. Me çdo ditë pasigurie shtohet rreziku. Të dielën e ardhshme (19.6.) ministrat do të takohen përsëri, një ditë më parë se sa ishte planifikuar fillimisht. Madje edhe atëherë nuk dihet, nëse do të arrihet ndonjë marrëveshje. Por të paktën në samitin e ardhshëm të BE-së më 23 dhe 24 qershor do të jetë e qartë, se si do ta përballojë BE-ja një nga krizat më të mëdha të saj.

Autor: Christoph Hasselbach/ Angjelina Verbica

Redaktoi: Vilma Filaj-Ballvora