1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Shpronësimet pengojnë autostradën Shkodër- Han i Hotit

Shpronësimet mbajnë peng superstradën Shkodër- Hani i Hotit, që lidh Shqipërinë me Malin e Zi në rrugë nacionale tokësore. Ky është një projekt prej 40 milionë eurosh, të akorduara nga Organizata Kooperacione Italiana.

Shpronësimet pengojnë ndërtimin e autostradës dhe lidhjen e Shqipërisë me Malin e Zi

Shpronësimet pengojnë ndërtimin e autostradës dhe lidhjen e Shqipërisë me Malin e Zi

Shpronësimet vazhdojnë të mbajnë peng autostradën Shkodër- Hani i Hotit, projekt ky që do t'i jepte një zhvillim të madh kryeqendrës së veriut Shqiptar. Ndërprerja e punimeve që prej disa muajve, ka bërë që drejtuesit vendorë të rrethit të Malësisë së Madhe t'i kërkojnë qeverisë të nxjerrë një udhëzim të veçantë, për njohjen dhe pajisjen me dokument pronësie, të rreth 900 familjeve që preken nga ndërtimi i këtij aksi të rëndësishëm rrugor. Për Kryetarin e Komunës së Kastratit, Gjovalin Vneshti, çështja e pronësisë dhe mungesa e dokumentacionit zyrtar për banorët e kësaj zone, ka bërë që ato të bllokojnë punimet, duke kërkuar që të shpërblehen për dëmin e shkaktuar në pronat e tyre bujqësore:

Kryetari i komunës Kastrat, Gjovalin Vneshti:

“ Askush nga banorët e Malësisë së Madhe nuk është në kundërshtim për ndërtimin e rrugës. Të gjithë e mirpresin dhe janë të gatshëm, por kërkojnë një udhëzim të veçantë, ose nga një dokument që të njohë pronën e tyre legjitime “.

Ndërkohë që çmimi prej afro 2 dollarësh për metër katror i vendosur nga qeveria, vlerësohet si shumë i ulët dhe i papranueshëm nga të shpronësuarit e 6 njësive vendore, në tokat e të cilëve do të kalojë autostrada rreth 40 km e gjatë, deri në pikëkalimin kufitar me Malin e Zi:

“ Ne me këtë tokë jetojmë. Rruga bie përmes kësaj bahçeje. Nuk mund ta lëshojmë tokën me 2 dollarë metrin katror, aq sa e ka vlerësuar qeveria”.

“Rruga kalon në tokën time, me të cilën jetoj me gjithë familje. Çmimi që ka caktuar qeveria duhet të ndryshojë, pasi është tepër i ulët për ne pronarët “.

Ambasadori italian në Shqipëri, Saba D'elia, gjatë një inspektimi në autostradën Shkodër-Hani i Hotit, tha se zbatimi i këtij financimi po has në vështirësi të mëdha:

Ambasadori italian në Shqipëri, Saba D'elia:

“Ne kemi gatishmërinë tonë për ta realizuar këtë rrugë dhe uroj që vështirësitë burokratike të zgjidhen sa më parë, që edhe kjo rrugë t'i bashkohet finalizimit të Kooperacionit Italian, ashtu si dhe rruga Lushnjë-Fier. Përfundimi i saj është tepër i rëndësishëm për Shqipërinë ", është shprehur ambasadori italian në Tiranë, D'elia.

Situata e krijuar ka sjellë në Shkodër zëvendësministrin shqiptar të Transporteve, Ernest Noka, i cili ka deklaruar se Këshilli i Ministrave është duke përgatitur një vendim të posaçëm të shoqëruar edhe me vlerat e rritura të shpronësimit për ato familje, që përfitojnë nga ndërtimi i superstradës në tokat e tyre:

“Vendim i qeverisë do të lejojë regjistrimin e këtyre pronave dhe më pas rrjedhimisht do të bëhet edhe shpronësimi i tyre. Në të gjithë zonën ku kalon autostrada, familjet e prekura do të përfitojnë një vlerë prej rreth 50 milion lekësh”, thotë zoti Koka.

Aksi i ri nacional rrugor Shqipëri-Mali i Zi, për të cilin janë hedhur 40 milionë euro nga Kooperacione Italiana, do të ndërtohet me dy korsi me nga 4 metra secila, rrugë anësore për këmbësorë e mjete të tjera, si dhe mbikalime hekurudhore dhe baypasse të qendrave të banuara të Koplikut dhe Bajzës.

Autor: Leka Plani/ Shkodër

Redaktoi: Auron Dodi

  • Data 30.06.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/O6aD
  • Data 30.06.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/O6aD