1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Shpresa të vakura për një fillim të ri në Ukrainë

Ndërrimi i pushtetit në Ukrainë i nisur me protestat e një viti më parë po përmbyllet. Pas zgjedhjeve të parakohshme presidenciale në maj tani në fund të tetorit zgjidhet një parlament i ri. Fituesi dihet ndërkohë.

Ndërsa në lindje të vendit qëllohet megjithë armëpushimin formal, ukrainasit me 26 tetor zgjedhin një parlament të ri. Pesë muaj pas zgjedhjeve të parakohshme presidenciale deputetët e Verhovna Rada, parlamentit ukrainas, zgjidhen sërish. Është "fillimi i ri", të cilin demonstruesit opozitarë e kërkuan dimrin e kaluar. Në krahinat separatiste Donezk dhe Luhansk zgjedhjet do të kryhen më vonë, megjithëse zgjedhjet në rajonet separatiste duken si të pamundura.

Pas vitit 1994 dhe 2007 këto janë zgjedhjet e treta të parakohshme parlamentare në historinë e re të Ukrainës. Këtë herë ato janë "jashtëzakonisht të rëndësishme", thotë Viktor Samjatin nga Qendra për Studime Ekonomike dhe Politike, Razumkov në Kiev. "Fjala është, nëse Ukraina mund të mbijetojë si shtet", i tha eksperti Deutsche Welles. 29 parti konkurrojnë për 450 vende. Votohet për gjysmë, si nga listat e partive ashtu edhe me mandate të drejtpërdrejta.

Presidenti është fituesi

Petro Poroschenko prezanton programin reformator Strategjia 2020

Petro Poroschenko prezanton programin reformator "Strategjia 2020"

Fituesi dihet prej muajsh: Petro Poroshenko. Aleanca e Presidentit ("Blloku i Poroshenkos") kryeson në sondazhe. Ajo mund të marrë rreth një të tretën e votave. Ajo është themeluar në fund të gushtit 2014 mbi bazën e Partisë së Poroshenkos "Solidaritet".

Kështu miliarderi Poroshenko është kampion në politikën ukrainase. Partia e tij e deritanishme "solidaritet", e cila është shkrirë në aleancën e re, ka ekzistuar deri tani vetëm në letër dhe nuk ishte e përfaqësuar në parlament. Për Poroshenkon si president këto zgjedhje duket se janë shumë të rëndësishme. Sipas kushtetutës parlamenti dhe qeveria kanë më shumë pushtet se presidenti. Prandaj qëllimi i Poroshenkos është shumica e tij, thonë vëzhguesit. Kjo mund të arrihet me mandate të drejtpërdrejta dhe partnerë koalicioni.

Kthimi i brezit Jushçenko

Presidenti u përpoq të fitojë kryeministrin Arsenij Jazenjuk për partinë e tij. Por ato nuk ranë dot dakord. Në vend të Jazenjukut "Bllokun e Poroshenkos" e drejton tani kryetari i bashkisë së Kievit dhe kampioni i botës në boks, Vitali Klitçko. Partia e Kliçkos UDAR (goditje), e përfaqësuar tashmë në parlament, është bërë shtylla kryesore në aleancën e Poroshenkos.

Me Kliçkon si kandidati kryesor, apo ish ministrin e brendshëm Yuri Lutsenko si udhëheqës të partisë, "blloku i Poroshenkos" përbëhet pjesërisht nga politikanë nga koha e presidentit properëndimor Viktor Jushçenko. Kjo kthen një brez, që ka qenë në pushtet deri në vitin 2010. Vemendjen e publikut e kanë tërhequr dy emra të rinj: Mustafa Najem dhe Serhij Leshçenko. Gazetarët e njohur në shkallë kombëtare të gazetës online "Ukrainska Pravda" ishin që nga fillimi në protestat e opozitës.

Vlerat e larta të Bllokut të Porosheknos në anketime janë rezultat i disa faktorëve, mendon eksperti Samjatin. "Në radhë të parë shumë zgjedhës lidhin me Poroshenkon një zgjidhje paqësore të konfliktit në Ukrainën lindore." Edhe programi reformator i Poroshenkos "Strategjia 2020" m sa duket pritet mirë. Presidenti premton ndër të tjera se do ta çojë Ukrainën në BE.

Njeriu me sfurk

Por situata në lindje të Ukrainës mund të bëhet fatale për Poroshenkon. Vendimi i tij, për t'u dhënë separatistëve autonomi më të madhe, është kritikuar nga disa si gabim. Oleh Ljashko, populist i djathtë dhe udhëheqës i "Partisë Radikale", flet për shembull për "kapitullim". Në sondazhe partia është në vendin e dytë dhe mund të merrte më shumë se dhjetë për qind. 41-vjeçarit i përlqen të prezantohet si patriot pa kompromise. Ljashko herë fotografohet me një sfurk, simbol i revoltave fshatare, herë duke mbajtur një kallashnikov. Lista e tij zgjedhore përfshin edhe prominentë, si këngëtarja dhe pjesëmarrësja në Euro Vision Slata Ogneviç.

"Ato, që sot votojnë për Ljashkon, në vitin 2012 kanë votuar për partinë nacionaliste 'Svoboda' (liria)", thotë eksperti Samjatin. Ndërsa "Svoboda" sot nuk e ka të sigurtë hyrjen në parlament. Edhe "Sektori i djathtë", një parti e djathtë nacionale e themeluar në vitin 2014, sipas sondazheve nuk e kalon dot pragun e pesë përqindshit. Ndërsa "Svoboda" dhe "Sektori i djathtë" kanë edhe degë të forta të ekstremit të djathtë dhe një bazë ideologjike kjo nuk mund të thuhet për "Partinë Radikale" të Ljashkos. "Ai është populist", mendon Samjatin. Ljashko bën shpejt sherr dhe bën bujë me thënie të tilla si "vdekje ministrit të brendshëm".

Timoshenko dhe Jazenjuk dalin secili më vete

Arsenij Jazenjuk është që nga fundii shkurtit kryeministër i Ukrainës

Arsenij Jazenjuk është që nga fundi i shkurtit kryeministër i Ukrainës

Si kundërshtare e Poroshenkos pozicionohet edhe ish kryeministrja Julia Timoshenko me partinë e saj "Batkivshtshina" (Atdheu). Ajo mund të marrë më pak vota se në vitin 2012. Në atë kohë Timoshenko ndodhej në burg pas një procesi të kritikuar ndërkombëtarisht dhe partia e saj drejtohej nga kryeministri i tanishëm Arsenij Jazenjuk. Këtë herë Timoshenko dhe Jazenjuk dalin secili më vete. Kryeministri drejton aleancën e tij zgjedhore, "Fronti Popullor". Disa politikanë nga kampi i Timoshenkos janë bashkuar me të.

Si humbësit e mëdhenj të këtyre zgjedhjeve konsiderohen mbështetësit e presidentit të ikur në Rusi, Viktor Janukoviç. Shumë janë bashkuar në një "bllok opozitar". Nëse ata arrijnë të hyjnë në parlament, është e diskutueshme. Votuesit kryesorë të tij jetojnë në Krimenë e aneksuar nga Rusia dhe në Ukrainën lindore. E njëjta gjë vlen edhe për komunistët.

Një gjë është e qartë: Në Parlamentin e ri ka për herë të parë një shumicë të gjerë properëndimore. Megjithatë shpresat për një fillim të ri zbehen. "Në këto zgjedhje për fat të keq nuk ka patur konkurrencë të vërtetë të ideve dhe programeve," thotë eksperti Samjatin.