1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Shpresa të reja për krizën në Ukrainë

Prej takimeve nuk pritet ndonjë përparim i ndjeshëm, por e rëndësishme është që kanalet e komunikimit mbeten të hapura.

Dy nisma të shpejta dhe në nivelin më të lartë: të shtunën (23.08.2014) kancelarja gjermane Merkel pritet në Kiev, ku dëshiron të flasë me Presidentin Poroshenko dhe kryeministrin Jatsenjuk. Kjo është hera e parë që kur filloi kriza, që kancelarja gjermane shkon për vizitë në Ukrainë. Vizita përkon me përvjetorin e 75-të të paktit Hitler-Stalin. Sipas eurodeputetit gjerman Michael Gahler kancelarja Merkel dëshiron që me vizitën e saj në këtë ditët ë shprehë edhe "se Gjermania nuk do të bëjë përsëri me një vend tjetër në Evropë ndonjë marrëveshje në dëm të një pale të tretë."

Të martën pritet të takohen në kryeqytetin e Bjellorusisë Minsk, presidentët e të dy palëve në konflikt, të Rusisë dhe Ukrainës, Putini dhe Poroshenko. Ata kanë folur me njëri-tjetrin për herë të fundit në fillim të qershorit në Francë. Në Minsk do të marrin pjesë në takim edhe përfaqësuesit e Bashkimit Doganor Euroaziatik të përbërë nga Rusia, Bjellorusia dhe Kazakistani, për Bashkimin Europian përfaqësuesja e jashtme Ashton, komisioneri për tregtinë De Gucht dhe komisioneri për energjinë Oettinger.

Luftimet vazhdojnë

Konferenca e Minskut është një lloj sensacioni i vogël, sepse në Ukrainën Lindore po ashpërsohen luftimet. Amanda Paul, eksperte për Evropën Lindore pranë think-tankut European Policy Centre në Bruksel nuk beson "se ndokush pret ndonjë përparim të ndjeshëm prej takimeve, por është e rëndësishme që kanalet e komunikimit mbeten të hapura." Këto mëdyshje lidhen edhe me faktin se të dyja palët duket se po shkojnë në Minsk me ide të ndryshme: Poroshenko dëshiron dhe flet kryesisht për "stabilizimin e gjendjes" në Ukrainën lindore, kurse Putini do të flasë për përkeqësimin e situatës humanitare atje. Por në Kiev dhe Bruksel ka shumë vetë, që dyshojnë se Putini i përdor argumentin humanitar vetëm si pretekst për të ndërhyrë në Ukrainë lindore dhe ndoshta edhe për ta pushtuar atë.

Roli i Merkelit dhe i politikanëve perëndimorë

Komisari për energjinë Oettinger do të përpiqet të ndërmjetësojë mes Rusisë dhe Ukrainës në grindjen për gazin, edhe sepse Ukraina është vend tranziti për gazin rus për Evropën. Komisari për tregtinë De Gucht do të shpjegojë marrëveshjen e asocimit me Ukrainën, e cila përfshin edhe një marrëveshje të tregtisë së lirë. Ai do të përpiqet t'u shpjegojë rusëve se marrëveshja nuk drejtohet kundër Rusisë, madje Rusia edhe mund të përfitojë prej saj.

Kancelarja Merkel do të bisedojë me përfaqësuesit e Ukrainës në lidhje me mbështetjen e BE-së për Ukrainën. Por edhe për ato që BE-ja pret prej udhëheqjes së Ukrainës. Por ato që Merkeli do të duhet t'u presë vrullin janë dëshirat për një anëtarësim të Ukranës në BE-së, e aq më tepër në NATO. Kjo për shkak se BE-ja megjithë qëndrimin e ashpër ndaj Moskës po përpiqet në fund të fundit të dalë nga konfrontimi, dhe kjo nuk mund të bëhet duke e integruar më ngushtë Ukrainën me perëndimin. Rreziku i vizitës së Merkel, pra, është se ukrainasit presin shumë nga ajo.