1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Shpresa të mëdha- Kancelarja Merkel takohet me Presidentin Sarkozy

Kancelarja gjermane Angela Merkel dhe presidenti francez Nikolas Sarkozy diskutojnë këtë të martë (16.08.) në Paris mbi masat që duhet ndërmarrë për stabilizimin e eurozonës, para së gjithash për propozime konkrete

Kancelarja Angela Merkel dhe Presidenti Nicolas Sarkozy

Kancelarja Angela Merkel dhe Presidenti Nicolas Sarkozy

Pritjet nga takimi franko-gjerman janë të larta. Aq të larta sa edhe një deklaratë e shkurtër e zëdhënësit të qeverisë gjermane, Steffen Seibert, ndikoi të hënën (15.8.) në bursën e Parisit. Ajo kishte të bënte me pyetjen nëse Angela Merkel dhe Nicolas Sarkozy do të flasin për eurobondet e diskutueshme. Nuk do të flasin për këtë, tha Seibert. Gjysmë ore më vonë, indeksi francez i aksioneve CAC 40 ra në minus.

Nuk janë vetëm shtetet e futura në krizë si Greqia apo Italia ato të cilat shpresojnë për të ashtuajturat bonde evropiane. Gjithnjë e më shumë përfaqësues të ekonomisë kërkojnë kredi të përbashkëta të vendeve të eurozonës. Por deri tani kjo nuk u ka bërë shumë përshtypje Merkelit dhe Sarkozys. Megjithatë mbetet çështje e hapur nëse ata do të mund të përballojnë presionin e tregjeve. Ministri francez i Ekonomisë, Francois Baroin është i sigurtë që Franca mund ta kapërcejë edhe kështu krizën aktuale.

Franca për ndalimin e letrave fiktive me vlerë

Angela Merkel dhe Nicolas Sarkozy gjatë një takimi në Berlin

Angela Merkel dhe Nicolas Sarkozy gjatë një takimi në Berlin

"Unë nuk i dëgjoj kurrë - as sot, as dje apo nesër - profetët e apokalipsit. Ne kemi përgjegjësi. Ka instrumente teknike, ka vendime politike. Kjo është ajo në të cilën ne besojmë - dhe kjo do të funksionojë."

Baroin mendon me këtë për shembull ndalimin e shitjeve të letrave fiktive me vlerë, për të cilat Franca është shprehur javën e kaluar. Këto veprime shumë spekulative janë ndaluar aktualisht në gjashtë vende të BE-së, përfshirë këtu edhe Gjermaninë. Sa më shumë vende që t'i bashkohen këtij ndalimi aq më efektiv mund të jetë ai.

"Tek aksionet fiktive për një kohë të shkurtër mund të fitohen shumë para pa qenë vet pronar i aksioneve. Bizneset e tilla duhet të kufizohen patjetër."

Francezët besojnë më shumë Merkelin në zgjidhjen e krizës financiare

Sarkozy në një takim me ministrat e kabinetit të tij

Sarkozy në një takim me ministrat e kabinetit të tij

Kështu shprehet ministri francez i Ekonomisë. Po ashtu edhe një koordinim më i mirë i politikës ekonomike të BE-së do të jetë në rendin e ditës në takimin Merkel - Sarkozy. Të dy duan të evitojnë që në këtë kohë të ndjeshme për tregjet, informacionet kontradiktore nga Brukseli të shkaktojnë lëvizje shtesë në bursa.

Për presidentin e Francës takimi ka edhe një kuptim krejt tjetër. Fakti që ai e fton Merkelin në Francë për të diskutuar për krizën e euros është edhe një mesazh për bashkëkombasit e tij. Ata duhet ta përjetojnë një Sarkozy energjik, i cili e ka ekonominë nën kontroll. Aktualisht vetëm çdo i treti francez beson që Sarkozy mund të menaxhojë një krizë të re financiare në vend. Sipas një sondazhi aktual fracezët kanë besim para së gjithash tek Angela Merkeli.

Autor: Daniela Junghans / Esat Ahmeti

Redaktoi: Mimoza Kelmendi