1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shpresa që raportet e mira Shqipëri Kosovë të reflektojnë në bashkëpunimin rajonal

Bekim Shehu8 Janar 2009

Presidenti i Shqipërisë, Bamir Topi qëndron të enjten (08.01.) për një vizitë zyrtare në Kosovë. Kjo është vizita e parë e presidentit shqiptar pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

https://p.dw.com/p/GUXE
Fotografi: AP

Presidenti i Shqipërisë, Bamir Topi në Kosovë u prit nga udhëheqësit kryesor politikë kosovarë me një ceremoni të nivelit të lartë shtetëror. Presidenti shqiptar gjatë kësaj vizite shoqërohej edhe nga një delegacion shtetëror nga Shqipëria, ministra, deputetë dhe përfaqësues të biznesit. Në një konferencë të përbashkët për media, presidenti shqiptar Bamir Topi dhe presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu thanë se raportet e mira ndërmjet dy vendeve janë të natyrshme dhe synohet që këto raporte të reflektojnë një frymë bashkëpunimi në të gjitha vendet e rajonit.

Presidenti shqiptar, Bamir Topi, kërkoi drejtpërdrejt nga Serbia që të luajë një rol më konstruktiv në stabilizimin e rajonit: "Sikurse Shqipëria është projektuar për t'u futur në NATO dhe në BE edhe Kosova është e projektuar drejt ëndrrës euroatlantike dhe ashtu duhet të jetë e interesuar edhe Serbia për të qenë pjesë e BE-së, por duke respektuar standardet. Standardet që kanë të bëjnë me të gjitha elementet e një jete civile në respekt të sigurisë stabilitetit dhe në respekt të minoriteteve. E përmend edhe njëherë, Serbia duhet të respektojë të drejtat e shqiptarëve në Luginën e Preshevës".

Të dy presidentët, si ai shqiptar ashtu edhe ai kosovar shprehën besimin se shumë shpejt Kosova dhe Shqipëria do të nënshkruajnë një marrëveshje për lëvizjen e lirë të qytetarëve pa pasur nevojë kontrolli pasaportash.

Presidenti Sejdiu është shprehur se një nismë të tillë do t'ia propozojë edhe Maqedonisë dhe Malit të Zi. Sejdiu: "Ky le të jetë një shembull në komunikim edhe me vendet tjera të rajonit në këtë rast edhe me Maqedoninë dhe Malin e Zi, për të cilat do të ketë nevojë për procese përgatitore. Unë kam dhënë një ide dhe e kemi biseduar edhe me presidentin Topi që rajoni i Ballkanit të jetë një "minishengen" në lëvizjen e qytetarëve".

Presidenti shqiptar Bamir Topi, gjatë vizitës në Kosovë ka një axhendë të ngjeshur me takime, duke përfshirë edhe takimet me opozitën dhe përfaqësues të pakicave kombëtare. Presidenti shqiptar, Bamir Topi në Kosovë do të qëndrojë edhe gjatë ditës së premte. Nga kuvendi komunal i Ferizajt ai do të nderohet me titullin "Qytetar Nderi".