1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

"Shpresa për një jetë të re në Gjermani vetëm një iluzion"

Federata dhe landet në Gjermani në sfondin e rritjes në mënyrë dramatike të numrit të azilkërkuesve nga Kosova kanë rënë dakord të veprojnë shpejt.

Innenministerkonferenz in Bonn

Ministrat e brendshëm të landeve dhe ministri i Brendshëm Federal, Thomas de Maiziere

Siç njoftoi Ministria Federale e Punësve të Brendshme dhe ministritë e disa landeve të premten (13.02), përmes një konference telefonike është rënë dakord që të mundësohet procedurë e përshpejtuar për shqyrtimin e kërkesave për azil. Në Baden-Vyrtenberg, në Renainë Veriore - Vestfali dhe në Saksoninë e Ulët, ku kanë ardhur veçanarisht shumë njerëz nga Kosova, procedurat e azilit do të përmbyllen brenda dy javësh dhe të gjithë do të kthehen.

Për ta përshpejtuar procedurën, sipas të dhënave të një zëdhënësi të ministrit të Brendshëm, kristiandemokrati Thomas de Maizière, landet janë të gatshme t'i mbajnë azilkëkruesit nga Kosova në vendstrehimet e para të pritjes së refugjatëve. Vetëm nëse administrata e qendrave përkatëse dhe azilkërkuesit ndodhen në të njëjtin vend, mund të realizohet procedura e përshpejtuar, tha zëdhënësi.

Migrimi masiv rrezik për stabilitetin në rajon

Ministria Federale e Punëve të Brendshme vazhdimisht ka shprehur shqetësimin nga numri në rritje i azilkërkuesve nga Kosova. Nëse përgjatë gjithë vitit 2014 janë paraqitur rreth 7.000 kërkesa për azil, vetëm në janar të këtij viti numri i aplikimeve ka qenë mbi 3.000. Sipas të dhënave të ministrisë që nga fillimi i vitit janë shpërndarë nëpër landet e Gjermanisë mbi 18.000 kosovarë. Qeveria lëvizjen e migracionit në këto përmasa e konsideron si rrezik për stabilitetin në të gjithë rajonin e Ballkanit.

Ministrat e brendshëm të premten u shprehën për shtimin e numrit të personelit në Entin Federal për Migracionin dhe Refugjatët, në mënyrë që procedurat të shqyrtohen shpejt. Gjithashtu qeveria do që përmes mbështetjes në kufi të kujdeset, që të ndalet vala e refugjatëve nga Kosova drejt Gjermanisë. Ajo ka dërguar 20 policë kufiri për të ndihmuar në kufirin serbo-hungarez.

"Shpresa për një jetë të re në Gjermani vetëm një iluzion"

Ministri i Brendshëm i Renanisë Veriore Vestfalisë, Ralf Jäger, dhe ai i Saksonisë së Ulët, Boris Pistorius (të dy socialdemokratë), nënvizuan gjithashtu rëndësinë e punës sqaruese në rajon. Njerëzve atje duhet t'u bëhet e qartë, se «dëshira e tyre për azil është pothuajse pa asnjë shans për sukses dhe se ata do të kthehen shpejt», i tha Pistorius agjencisë së lajmeve EPD. Ai u bëri thirrje autoriteteve federale, që të veprojnë në këtë drejtim. Jäger tha, se njerëzit duhet ta dinë, që shpresa e tyre për një jetë të re në Gjermani është një iluzion. «Ata janë viktimë e premtimeve të rreme dhe paguajnë me kursimet e tyre kriminelë dhe kontrabandistë», tha ai.

Kuota e njohjes së kërkesave të kosovarëve për azil në janar ishte vetëm 0,3 përqind, shumë më e ulët se mesatarja vjetore në vitin 2014 me 1,1 përqind. Ky zhvillim ka rindezur debatin për klasifikimin e vendeve të tjera si vende të sigurta origjine. Disa ministra të brendshëm landesh të partisë kristiandemokrate e kanë kërkuar këtë. Ministria e Brendshme Federale ndërkohë nuk e ka planifikuar një nismë të tillë.