1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Shpresa për Greqinë: Takimi i ministrave të Financave të eurozonës

Lufta kundër krizës së borxheve është në qendër të takimit të ministrave të Financave të BE-së dhe drejtorëve të bankave qendrore që ka filluar sot në Bratislavë të Polonisë. Greqia mund të marrë kredi të reja emergjente

Kriza e euros diskutohet nga ministrat e Financave

Kriza e euros diskutohet nga ministrat e Financave

Ministrat e vendeve të eurozonës po diskutojnë në Bratislavë mbi gjendjen kritike në Greqi dhe zbatimin e planit të kursimeve në Portugali dhe Irlandë, vende që po ashtu janë të varura nga ombrella e shpëtimit të euros. Lajmi i mirë për Greqinë është se ky vend mund të shpresojë për kredi të reja emergjente nga eurozona. Në takimin e ministrave të Financave nga 17 vende në eurozonë, ministrja austriake e Financave, Maria Fekter tha se mund të paguhet kësti tjetër i kredisë për Greqinë. Austria bën pjesë tek kritikët më të mëdhenj të Athinës. Ministri grek i Financave, Evangelos Venizelos u tregua i bindur se ekspertët evropianë dhe ata të FMN-së do të gjejnë përparime në përpjekjet e qeverisë greke.

Në takim merr pjesë për herë të parë edhe ministri amerikan i Financave, Timothy Geithner. Para takimit ministri amerikan i Financave, Geithner ka kërkuar më shumë përpjekje të Europës për të zgjidhur krizën e borxheve. Por ministri gjerman i Financave, Wolfgang Schäuble është kundërpërgjigjur: Ekziston një përgjegjësi e përbashkët, ka thënë ai. Si Evropa ashtu edhe SHBA kanë probleme me malin e madh të borxheve.

Vendoset zgjerimi i paketës së shpëtimit

Ministrat e Financave të eurozonës duan që të jenë të gatshëm për përdorim instrumentat e fondit të shpëtimit, të miratuar nga kryetarët e shteteve dhe qeverive të BE-së më 21 korrik.

Kë do të mbrojë ombrella e euros?

Kë do të mbrojë ombrella e euros?

Në këtë takim u vendos zgjerimi i paketës së shpëtimit. Në takimin e Bratislavës ata do të diskutojnë si duhet të funksionojnë konkretisht instrumentat e reja të fondit, i cili mund të blejë në të ardhmen si masë preventive obligacione shtetërore. Por fondi i shpëtimit të BE-së mund të vihet në funksionim, vetëm po qe se të 17- vendet anëtare e kanë miratuar marrëveshjen. Fondi do të ketë një vëllim prej 440 miliardë eurosh, 40 prej tyre shërbejnë për financimin e Portugalisë dhe Irlandës.

Në kuadër të takimit të ministrave të Financave të eurzonës, ministri belg i Financave, Dider Reynders ka ridhedhur edhe një herë për diskutim eurobondet. Ai ka kërkuar negociata të eurozonës për futjen e tyre. Në muajt e ardhshëm duhet të merremi me temën e eurobondeve, tha ai. Por kancelarja gjermane, Angela Merkel, i hodhi poshtë deklaratat për eurobondet. "Eurobonde nuk do të ketë", tha ajo në Berlin. Ajo që është e rëndësishme është të stabilizohet eurozona, tha Merkeli. "Çdo gjë që nuk i shërben këtij qëllimi është për t'u lënë mënjanë", tha kancelarje gjermane.

Autor: dpa/Arapi

Redaktoi: Auron Dodi