1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

140911 Stammzellen für Medikamententests

15 Shtator 2011

Në Izrael është e mundur diçka që në Gjermani është e ndaluar me ligj: Atje kërkuesit lejohen të marrin qeliza burimore prej embrioneve disaditëshe, që kanë tepruar nga fekondimi artificial, për t'i zhvilluar më pas.

https://p.dw.com/p/12ZVj
Fotografi: DW

Këto përdoren për projekte kërkimore të shumta, pasi qelizat burimore mund të shndërrohen në çdo lloj qelize, te to mund të studiohet lindja e jetës dhe zhvillimi i sëmundjeve. Në këtë kuadër kërkues gjermanë janë lejuar të bashkëpunojnë me kërkues ndërkombëtarë; për shembull një ekip nga Universiteti i Bonit po bashkëpunon me një ekip të Universitetit Teknik të Haifës. Synimi i tyre: Të përftojnë qeliza burimore prej të rriturve, t'i shumojnë dhe me to të testojnë në përmasa të mëdha barna kundër sëmundjeve të sistemit nervor.

Kur viziton laboratorin që drejton Michali, do të jesh edhe vetë njëherë një qelizë burimore e tillë. "Ato duan shumë butësi, dashuri dhe përkujdesje." Gati askush nuk e di më mirë se Michal Amit-i se si u jepet më mirë kjo qelizave burimore. Kërkuesja 43-vjeçare është specializuar në kultivimin e qelizave burimore: t'i mbajë ato në temperaturën e duhur në enën e duhur me tretësirën ushqimore të duhur. Në mënyrë të tillë që ato të vazhdojnë të ndahen pa humbur potencialin e tyre të jashtëzakonshëm: aftësinë e tyre për t'u zhvilluar në çdo lloj tipi qelize sapo këtë e duan kërkuesit. "Këto qeliza janë të pavdekshme."

Laboratori që drejton Michal-i bën pjesë në një sektor të madh kërkimesh me qelizat burimore në Universitetin Teknik të Haifës. Por, vetëm në këtë laborator këtu kultivohen qeliza burimore. Ndër të tjera prej asistentes Maria. Ajo po thith me zotësi me një tub tretësirën ushqyese nga një pjatë e vogël kultivimi prej qelqi, derisa qelizat burimore mbeten të ngjitura në fundin e pjatës. "Tretësirën ushqyese e ndërroj çdo ditë dhe i shpërndaj qelizat në enë të tjera sapo bëhen tepër shumë. Përgatis tretësirën e tyre ushqyese dhe kujdesem për qelizat e tjera, që mbahen në lëng."

Laboratori-pension i qelizave burimore

Frigorifer për qeliza burimore
Frigorifer për qeliza burimoreFotografi: DW

Michal-i dhe ekipi i saj kultivojnë qeliza burimore jo vetëm në pjata qelqi, po edhe në të ashtuquajtura spinner flasks: shishe të vogla qelqi, në të cilat mund të mbahen sasi të mëdha qelizash burimore në një lëng. Dhe në një reaktor biologjik, një tub i madh plastik, i cili është vazhdimisht në lëvizje.

Në këtë laborator-pension për qeliza burimore nga njëra anë ushqehen me kujdes qelizat burimore nga embrionet, etikisht të diskutueshme, dhe bëhen që të shumohen, nga ana tjetër edhe të ashtuquajturat qelizat burimore të induktuara pluripotente (IPS). Këto qeliza IPS përftohen nga qelizat e njerëzve të rritur. Për shembull, prej qelizave të tyre të lëkurës. Me ndihmën e gjeneve këto qeliza lëkure riprogramohen, kështu që ato janë sërish të mjaft të ngjashme me qelizat burimore embrionale. Atëherë ato kanë pothuajse të njëjtin potencial të gjithanshëm si qelizat embrionale. Megjithatë, vetëm pothuajse. Qelizat IPS nuk janë aq të parashikueshme, ndonjëherë ato parapëlqejnë të bëjnë mutacion. Megjithatë, këtu hyn në lojë Simone Haupt. Ajo ka interes të madh për këto qeliza IPS, për sasi të madhe qelizash IPS, të cilat kanë një njëjtën cilësi, falë teknikës së kultivimit të Michal-it. Prandaj biologja nga Boni dhe ekipi i saj bashkëpunojnë me atë të Michal-it.

Kërkuesja e qelizave burimore Simone Haupt, Universiteti i Bonit (përpara) dhe Michal Amit, Universiteti Teknik i Haifës
Kërkuesja e qelizave burimore Simone Haupt, Universiteti i Bonit (përpara) dhe Michal Amit, Universiteti Teknik i HaifësFotografi: DW


"Projekti, me të cilin punojmë këtu quhet 'IPS Neuro'. Bëhet fjalë për dëshirën për të krijuar një platformë industriale, me të cilën mund të prodhohen si qeliza burimore të induktuara pluripotente, ashtu edhe qeliza nervore të derivuara prej tyre; në shkallë të madhe, për t'i shfrytëzuar ato më pas në zhvillimin e barnave," thotë Simone Haupt.

 

Do të thotë: Ekipi izraelit kultivon sasi të mëdha qelizash IPS, i ngrin ato dhe i dërgon te Instituti partner për Neurobiologji Rekonstruktive i Universitetit të Bonit. Kërkuesit përreth Simone Hauptit në Bon i bëjnë më pas qelizat IPS që të shndërrohen në qeliza nervore. Te këto qeliza nervore do të testohen më pas barna kundër sëmundjeve neurologjike. Deri tani për këtë merren qeliza kafshësh.


Grupi i Michal Amit-it dhe und Simone Haupt-it do të bëjë të mundur në projektin e tij konkret, që substanca mjekësore të testohen në masë të madhe në qeliza nervore të ndryshme, të sëmura. Projekti mbështetet për tre vjet me fonde të BE-së dhe të Bashkësisë Gjermane të Kërkimit. Teknikat dhe idetë që zhvillojnë kërkuesit gjatë kësaj pune synohet të shfrytëzohen drejtpërdrejt nga sektori i teknologjisë biologjike.

Autor: Marlis Schaum / Elert Ajazaj

Redaktoi: Angjelina Verbica