1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Shpresa e fundit Strasburgu - Përse gjithnjë e më tepër rusë ankohen në Gjykatën e Lartë Evropiane

Të gjithë njerëzit janë të barabartë para ligjit, thuhet në Nenin 7 të Deklaratës Universale për të drejtat e njeriut: një e drejtë për të cilën gjithnjë e më tepër rusë drejtohen në Gjykatën e Lartë Evropiane

default

Gjykata e lartë evropiane për të drejtat e njeriut në Strasburg

Vlerësohet se çdo e katërta ankesë në Gjykatën e Lartë Evropiane për të drejtat e njeriut është nga Rusia. Për një kohë të gjatë ishin para së gjithash ankesa të viktimave të luftës në Kaukazin Verior, të cilat kërkonin mbrojtje kundër arbitraritetit shtetëror. Për dallim sot janë më tepër aktivistë për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, politikanë dhe avokatë. Në Strasburg është ankuar edhe avokati i Grupit të Helsinkit në Moskë, Igor Fedotov, kundër kërcënimeve nga ana e organeve të sigurimit. Në vitin 2005 atij iu njoh e drejta. Prej atëherë ai përfaqëson gjithnjë e më shumë qytetarë të tjerë rusë në Strasburg. Sipas tij gjendja e të drejtave të njeriut në Rusi është katastrofale.


"Zyra jonë është një lloj rezervuari për ankesat nga të gjitha anët e Rusisë. Kur lexojmë letrat, që na vijnë, atëherë konkludojmë se njerëzit në Rusi kanë gjithnjë e më pak mundësi, që të drejtat e tyre t'i mbrojnë në vend. Eshtë e qartë se qeveritarët nuk lodhen kurrë duke shfrytëzuar të gjitha tribunat për të deklaruar se po bëhet gjithçka për mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Por unë mund ta dëshmoj se nuk është kështu. Unë jam duke regjistruar një trend krejt tjetër: mundësitë për qytetarët tanë për të mbojtur të drejtat e tyre janë gjithnjë e më të pakëta".


Aktualisht Igor Fedotov është duke u marrë me një grumbull ankesash të pensionistëve. Një prej tyre është Galina Keminova. Ka gjashtë vjet, që ajo lufton për pensionin e saj. Në vitin 2002 në Rusi pat hyrë në fuqi ligji, i cili u premtonte një shtesë të pensionit të gjithë atyre punëtorëve, që kanë punuar në kushte të dëmshme për shëndetin. Tek kjo shtresë bënte pjesë edhe Galina Keminova, por Enti Pensional nuk i njohi asaj këtë të drejtë. Tek pas tre vitesh e gjysëm ajo arrin të fitojë procesin në gjykatë, por gëzimi i saj nuk do të zgjaste shumë:


"Aty e fitova pensionin tim por menjëherë m´u tha se duhet të vërtetohet edhe diçka. Unë e di se vendimet e gjykatës nuk guxojnë të shpallen thjesht të pavlefshme. Megjithatë mua më njoftuan, se për shkak të disa rrethanave të reja pensioni im duhet të rillogaritej. Unë i jam drejtuar sërish gjykatës, ku më kanë shetitur nga dera në derë, derisa një nëpunëse më tha: këto dokumente, që ke, mund t'i hedhësh menjëherë në koshin e plehërave".


Vetëm në rajonin e Moskës janë rreth 17 000 pensionistë, të cilët kanë punuar në kushte të dëmshme për shëndetin. Çdo i dhjeti prej tyre ka arritur të sigurojë shtesën e premtuar nga shteti. Dhe kjo shtesë do të thotë shumë për të moshuarit rusë. Një pension mesatar në Rusi është 4500 rubla përkatësisht 124 euro. Ata që kanë fituar të drejtën e shtesës marrin rreth 200 euro.


Në këtë mënyrë përderisa drejtësia ruse nuk është në gjendje, apo nuk ka vullnetin e duhur, që të mbrojë qytetarët nga arbitrariteti i autoriteteve Gjykata e Lartë Evropiane për të drejtat e njeriut mbetet shpresa e tyre e fundit.

  • Data 03.12.2008
  • Autor Jegor Vinogradov
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/G7zh
  • Data 03.12.2008
  • Autor Jegor Vinogradov
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/G7zh