1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Shpresëdhënës apo zgjidhje e përkohshme?

Mihai Razvan Ungureanu sipas vullnetit të presidentit rumun, Traian Basescu duhet të jetë kreu i qeverisë së re rumune. Emërimi i ish-shefit të shërbimit sekret me jashtë në këtë post është i papritur.

Mihai Razvan Ungureanu

Mihai Razvan Ungureanu

Emërimi i Mihai Razvan Ungureanut në postin e kryeministrit të Rumanisë nuk shkaktoi habi vetëm tek opozita social-liberale rumune. Ajo kishte parandjerë diçka që pas dorëheqjes së kryeministrit Emil Boc e qeverisë së tij (06.02) dhe kërkoi njëherësh edhe dorëheqjen e presidentit Basescu. Përveç kësaj, duhej të krijohej një qeveri e përkohshme ekspertësh, sipas kërkesave të opozitës, me qëllim që të organizoheshin zgjedhjet e parakohshme. Kjo kërkesë me sa duket do të mbetet e parealizuar.

Por edhe koalicioni i qendrës me të djathtët, të cilët kanë një mazhorancë të brishtë në parlament, reagoi me habi ndaj emërimit të Mihai Razvan Ungureanut pa parti. Koalicioni do të kishte dëshiruar - sidomos në këto kohë krize ekonomike dhe në kuadër të zgjedhjeve parlamentare në Nëntor 2012 - që të vazhdonte punën me një ekip të ri e me një kryetar qeverie nga radhët e veta, deri në ditën e votimit.

Traian Basescu, presidenti rumun

Traian Basescu, presidenti rumun

Shpresëdhënësi i elitës politike

Por presidenti vendosi ndryshe. Me Mihai Razvan Ungureanun, një historian dhe profesor universiteti, Basescu ka nxjerrë në pararojë një politikan me premisa të mira nga elita e re politike rumune. Vala e parë e irritimit kaloi: Kryeministri i emëruar ka bërë të ditur se ministrat e rinj të kabinetit të tij do të zgjidhen si edhe më parë nga partnerët e koalicionit. Edhe politika ekonomike e qeverisë së mëparshme, e miratuar si nga FMN-ja, ashtu edhe nga BE, do të vazhdojë të jetë po ajo, madje me nota më të përfocuara. Kështu është shprehur Mihai Razvan Ungureanu.

Reformat e tjera, veçse do të shkojnë paralelisht me përmirësimin e kushteve të jetesës, premtoi presidenti Traian Basescu gjatë prezantimit të kreut të ri të qeverisë. Me këtë mesazh presidenti rumun synon të ulë tensionet e krijuara brenda kabinetit të tij konservator. Mijëra vetë demonstruan në Budapest e metropole të tjera javët e shkuara kundër presidentit dhe qeverisë për shkak të shkurtimeve masive të rrogave dhe rritjes së taksave.

Protest in Rumänien

Protesta në Rumani

Manovër taktike zgjedhore

Për shkak të rënies drastike të renditjeve në sondazhet e fundit, këto njoftime sigurisht bëhen edhe për taktikë zgjedhore. Në një kohë që partia konservatore PDL (Partia Liberal Demokratike) merr vetëm 20% të preferueshmërisë së votuesve së fundmi, kundërshtari opozitar, Partia USL (Unioni Social-Liberal) kap shifrën e 50%-it. Për presidentin nga radhët e konservatorëve, këto janë rezultate të pakënaqshme në mandatin e dytë dhe të fundit të tij. Nxitimi, me të cilin Basescu vendosi për kandidatin e tij, tregon se pas vendimit fshihet taktika zgjedhore.

Kryeministri i dorëhequr, Emil Boc, kryetar i PDL-s do të duhet tanimë ta drejtojë partinë e tij, - larg punës së përditshme të qeverisë - drejt ujërave më të qeta dhe ta përgatisë për fushatën e re zgjedhore. Por këtu bëhet fjalë për më shumë - për besueshmëri. Protestat e rrugës kanë treguar se shumë vetë kanë humbur besimin tek presidenti, qeveria dhe opozita. E gjithë klasa politike perceptohet si e paaftë dhe e korruptuar nga qytetarët. Tani është në dorën e kryeministrit të ri dhe kabinetit të tij të kthejë një pjesë të besimit të humbur. Në fund pastaj  janë zgjedhësit ata që vendosin, nëse Mihai Razvan Ungureanu i përmbushi pritshmëritë ndaj një politikani me perspektivë, apo dështoi si kryetar i një qeverie të përkohshme.

Autor: Robert Schwartz/Lindita Arapi

Redaktoi: E. Xhani