1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Shpresë për riorientim në Iran

Në fillim të gushtit presidenti i ri iranian Hasan Rohani fillon mandatin e tij. Pritjet e lidhura me klerikun e moderuar janë të mëdha, por ai gjendet para sfidash të mëdha në politikën e jashtme dhe të brendshme.

Lista është e gjatë: lëvizje në konfliktin bërthamor, zbutje e sanksioneve, luftimi i krizës ekonomike, respektimi i të drejtave të njeriut dhe zbutja e censurës. Këto janë vetëm disa nga temat në axhendën e presidentit të ri iranian, Hasan Rohani. Me Rohanin lidhen shumë shpresa dhe pritje për ndryshim, jo vetëm në Iran por edhe jashtë vendit. Ato nuk janë pa bazë. "Irani ka nisur një kapitull të ri të moderimit", ishte mesazhi qendror i Rohanit drejtuar bashkësisë ndërkombëtare, në konferencën e tij të parë për shtyp, pas fitores në zgjedhje në 14 qershor.

Shpresa për një stil më racional

Eksperti socialdemokrat për politikën e jashtme, deputeti Rolf Mützenich

Eksperti socialdemokrat për politikën e jashtme, deputeti Rolf Mützenich

Veçanërisht në konfliktin bërthamor me Perëndimin, kleriku 64-vjeçar premton më shumë transparencë. Rohani thekson se nga këndvështrimi i tij, alternativa është vetëm një zgjidhje diplomatike. Në fakt shanset për një dialog racional janë bërë më të mëdha me zgjedhjen e Rohanit, thotë Rolf Mützenich, zëdhënës për politikën e jashtme, i grupit parlamentar socialdemokrat (SPD).

Fakt është që Perëndimi ka të bëjë tani me një president që nga 2003 deri 2005 ka qenë vetë kryenegociator në bisedimet për programin bërthamor dhe e njeh mirë praktikën diplomatike. "Në radhë të parë Gjermania mund të presë qendrim të moderuar nga presidenti i ri iranian, një stil më të mirë dhe aftësinë për të shfrytëzuar shanset. Kjo vlen edhe për konfliktin rreth programit bërthamor", thotë në një intervistë me DW, Walter Posch, ekspert për Iranin nga fondacioni Shkencë dhe Politikë në Berlin.

Shansi i fundi i Iranit?

Ashtu si paraardhësi i tij në post Ahmadinexhad, edhe presidenti i ri iranian Rohani e cilëson programin e konstestuar bërthamor të vendit të tij legjitim dhe synon të vazhdojë pasurimin e uraniumit. Sipas Posch iranianët kanë bërë përparime të rëndësishme në fushën e teknologjisë bërthamore, gjatë kohës që Rohani ishte në krye të Këshillit Kombëtar të Sigurisë, dhe ai nuk do të heqë dorë prej tyre.

Megjithatë një zbutje e sanksioneve masive kundër Iranit do të jetë shumë e vështirë pa kompromise në negociatat për programin bërthamor. Nga pikëpamja e ekspertit gjerman për Iranin, Posch, ky është shansi i fundit për Teheranin për të penguar që vendi të bëhet viktimë e një izolimi të plotë dhe një bllokade të gjerë ekonomike. Por ka edhe zëra që kërkojnë më shumë sinjale pozitive nga Perëndimi. Kështu për shembull zëdhënësi për çështje të sigurisë i grupit parlamentar të të gjelbërve, Omid Nouripour, i cili në bisedë me DW thotë: "Ne themi gjithë kohës se problemi duhet trajtuar me një paketë stimujsh dhe trysnie. Por këta stimuj nuk ekzistojnë dhe për këtë arsye është shumë mirë që tani amerikanët thonë se duan të negociata direkte me Iranin, në nivel më të lartë".

Pa Kamenein nuk bëhet asgjë

Ayatollah Ali Khamenei

Kamenei ka fjaën e fundit në çështjet vendimtare

Në llogaritë e tij Rohani duhet të marrë parasysh edhe një konstante superiore: Ajatollah Ali Kamenein, udhëheqësin shpirtëror të vendit. Në fjalimin e tij të parë zyrtar në televizion, presidenti i zgjedhur tha se politika e jashtme do të bëhet "duke marrë parasysh të gjitha të drejtat e kombit" dhe sipas udhëzimeve të udhëheqësit shpirtëror. Deri tani Kamenei është shprehur kundër bisedimeve direkte me SHBA-në dhe në politikën e jashtme ndjek një linjë të ashpër. Sidoqoftë, pasojat katastrofale të sanksioneve kundër Iranit, lufta për pushtet në gjirin e forcave konservatore dhe konflikti me ish-presidentin Ahmadinexhad, kanë lënë gjurmë tek Kamenei. Jo pak ekspertë e vlerësojnë zgjedhjen e Rohanit si shenjë të gatishmërisë në rritje për kompromis të Kameneit.

Perëndimi nuk pret sinjale pozitive vetëm në konfliktin rreth programit bërthamor, por edhe në lidhje me konfliktin në Siri. Pjesëmarrja e iranianëve në konferencën e dytë ndërkombëtare të planifikuar për Sirinë në Gjenevë, duket se është bërë më e mundshme me zgjedhjen e Rohanit.

Të drejtat e njeriut dhe kriza ekonomik

Deputeti i gjelbër Omid Nouripour

Deputeti i gjelbër Omid Nouripour

Edhe në politikën e brendshme Rohani gjendet para sfidave të mëdha. Gjatë viteve të fundit Irani ka qenë në qendër të vëmendjes jo vetëm për shkak të programit bërthamor, por edhe për shkeljen e të drejtave të njeriut duke u bërë objekt i raporteve kritike të OKB-së dhe organizatave të ndryshme të të drejtave të njeriut. Ndër premtimet elektorale të Rohanit është edhe lirimi i të burgosurve politikë, zbutja e censurës dhe survejimit të shoqërisë nga policia për moralin, si dhe zgjerimi i të drejtave të grave.

Deputeti i gjelbër gjerman Omid Nouripour, druan se Rohani do t'u japë njerëzve vetëm pak liri personale më shumë, por nuk do të prekë temat vërtet delikate. Tani e rëndësishme është të shihet sa shpejt do të lihen sërish të lirë njerëzit që janë arrestuar në mënyrë arbitrare vitet e fundit, thotë Nouripour: "Kjo fillon tek njerëzit e njohur si Nasrin Sotoudeh dhe natyrisht si ish kandidati për presidenti Musaui. Ky është testi i parë i vërtetë për Rohanin dhe premtimet e tij elektorale."

Por sfida më e madhe me të cilët përballet Rohani mbetet gjendja katastrofale ekonomike në Iran. Në prag të marrjes së postit ai njoftoi se në 100 ditët e para të mandatit do të paraqesë një "analizë realiste dhe besnike" të problemeve ekonomike dhe do të prezantojë rrugëzgjidhje dhe metoda për mposhtjen e krizës. Një zbutje e sanksioneve pas një përparimi të mundshëm në konfliktin bërthamor mund t'i jepte pak dorë ekonomisë iraniane. Por një pjesë e mirë e problemeve kanë të bëjnë me keqadministrimin nga qeveria e fundit nën drejtimin e Ahmadinexhadit. Eksperti Walter Posch pranon se Irani ka probleme jashtëzakonisht të mëdha, por e sheh megjithatë me optimizëm të ardhmen:"Rohani si një politikan i aftë të veprojë në çdo situatë politike, është me siguri njeriu i duhur."