1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Shpresë për një fitore të shpejtë kundër islamistëve

Në veri të Malit janë të lehtësuar për nisjen e një ofensive ushtarake franceze kundër islamistëve. Por njëkohësisht ekziston frika, se konflikti do të vazhdojë.

Luftetare islamike ne Mali

Luftetare islamike ne Mali

Gjashtë muaj me radhë zgjati sundimi i islamistëve mbi qytetin Gao në veri të Malit. Të vetëshpallurit "mbrojtës të besimit" të Ansar Dine marshuan atje në fund të qershorit 2012 dhe arritën t'i dëbojnë prej atje ish-aleatët e tyre, kryengritësit Tuareg. Si kudo në vend, edhe në Gao ata donin të zbatonin interpretimin e tyre të rreptë për të drejtën islame - sharian. Ata ndaluan muzikën dhe vallëzimin, u prisnin hajdutëve duart dhe godisnin me gurë çiftet e pamartuara. Pas sulmeve të fundit të avionëve luftarakë francezë, islamistët morën arratinë nga Gao, deklaroi të hënën (14.01.13) ushtria e Malit. Në bisedë telefonike me DW, një banor i Gaos shprehet i lehtësuar. "Njerëzit kanë dalë jashtë dhe po pinë të qetë cigare", deklaroi ai. "Megjithatë para pak pati sulme ajrore. Dhe islamistët janë ende këtu, po rrinë brenda në automjetet e tyre dhe nuk vrapojnë në këmbë nëpër qytet". Të gjitha pozicionet që janë sulmuar deri tani ndodheshi jashtë qytetit. Prandaj nuk janë prekur as civilë, thotë burri, i cili nga frika e kryengritësve preferon të mbetet anonim.

Mali: zona të bombardime të avionëve francezë,15.01.13

Mali: zona të bombardime të avionëve francezë,15.01.13

Pushim pas ofensivës së kryengritësve

Shumë banorë të Malit duket se janë të gëzuar për vendimin e papritur të Francës, për të ndërhyrë ushtarakisht në konfliktin e Malit. Për muaj të tërë patën diskutuar më parë Kombet e Bashkuara, Bashkësia Afrikane e shteteve ECOWAS dhe BE për një ndërhyrje të mundshme ushtarake. "Në sajë të Francës, Mali ka mundësi të mbushet me frymë!" shkruante "Journal de Mali" të hënën (14.01.13) në një koment.

Lehtësim ndihej edhe në Sevare, në një qytet të vogël më në jug. Sevare ndodhet në kufi me një zonë që islamistët e kontrollonin deri tani plotësisht. Baza ushtarake e ushtrisë së Malit konsiderohet me rëndësi strategjike.

Tërheqje apo taktikë

Pas tërheqjes së islamistëve, shumë besuan se lufta do të mbarojë për pak ditë, tregon Bessema, një mësues i qytetit. "Por kryengritësit kanë aftësi të fshihen. Ata zhduken në kaçube, i shmangen qytetit dhe pastaj krejt papritur shfaqen në një vend tjetër."

Refugjate nga Mali në Burkina Faso

Refugjate nga Mali në Burkina Faso

Mijëra vetë kanë marrë arratinë

Sipas të dhënave të ushtrisë së Malit, aviacioni francez sulmoi edhe pozicione të kryengritësve në afërsi të Diabalit. Në këto sulme u vranë të paktën pesë luftëtarë islamistë. Po t'i besosh të dhënave të ushtrisë së Malit, kryengritësit janë tërhequr në një pjesë të konsiderueshme nga qytetet e mëdha të veriut.

Kombet e Bashkuara vlerësojnë se nga luftimet e fundit e kanë marrë arratinë rreth 30.000 vetë. Një numër edhe më i madh personash është i gatshëm të largohet.

Autor: Peter Hille/ Auron Dodi

Redaktoi: Mimoza Kelmendi