1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Shpjegim: Minoritetet gjermane në Rumani

Zgjedhja e papritur e gjermanit të Rumanisë, Klaus Johannis si president i vendit të tij e zhvendos edhe minoritetin gjerman të Rumanisë në qendër të vëmendjes.

Klaus Iohannis, presidenti i ri i Rumanise

Klaus Iohannis, presidenti i ri i Rumanise

Koncepti "gjermanë të Rumanisë" është koncept përmbledhës për minoritetet tradicionale gjermane, të cilat jetojnë në territorin e Rumanisë së sotme. Në numërimin e fundit të popullatës të vitit 2012, si të tillë u deklaruan rreth 40.000 shtetas rumunë. Grupet më të mëdha janë Saksonët e Transilvanisë (Siebenbürgen) në zonën qendrore të vendit dhe Shvabët e Banatit.

Që në shekullin e 12-të arritën kolonët e parë gjermanë nga zona e Rinit të Mesëm dhe e Mozelit (nga Luksemburgu, Lotringeni/Lorena si dhe nga ipeshkvitë e Këlnit dhe Tririt) në territorin e Transilvanisë së sotme, e cila bënte pjesë në mbretërinë hungareze. Mbretërit hungarezë tërhoqën kolonë gjermanë - të quajtur "saksonë" në kufirin lindor të Perandorisë së tyre, për ta mbrojtur këtë territor më mirë nga sulmet e popujve endacakë nga Azia e Vogël. Vendosja e kolonëve u krye në disa valë. Kolonët gëzonin një sërë privilegjesh, deri në njohjen si komb i veçantë. Saksonët e Transilvanisë, që në kohën e Reformacionit janë kryesisht evangjelistë-luterianë. Me kalimin e kohë ata ngritën qytetet e tyre - si për shembull Hermannstadt (Sibiu), Kronstadt (Brasov), Schäßburg (Sighisoara)- bërthama mesjetare e të cilëve ka mbetur e ruajtur deri më sot. Edhe Presidenti i sapozgjedhur i Rumanisë, Klaus Johannis është nga saksonët e Transilvanisë.

Prej shekullit të 17-të u vendosën të ashtuquajturit Shvabë të Banatit - emigrantë nga Gjermania e Jugut- në rajonin e Banatit, që atëherë bënte pjesë në Perandorinë Habsburgase. Edhe vendosja e tyre u bë me disa valë. Shumica e kolonëve vinin nga familje fshatare. Para së gjithash në kohën e Perandores Maria Theresa ata morën mbështetje të rëndësishme financiare dhe lehtësime në taksa. Shvabët e Banatit janë kryesisht katolikë. Qyteti i tyre më i rëndësishëm është Temeswar (Timisoara), qytete të tjera janë Arad dhe Lugosh. Përfaqësues të shquar të Shvabëve të Banatit janë mbajtësja e Çmimit Nobel të Letërsisë, Herta Müller, mbajtësi i Çmimit Nobel të Kimisë, Stefan Hell etj.

Shkolla në gjuhën gjermane në Rumani

Siebenbürgen (Transilvania) dhe Banati u bënë pas Luftës së Parë Botërore dhe Marrëveshjes së Trianonit pjesë të Rumanisë. Para Luftës së Dytë Botërore në Rumani jetonin rreth 800.000 pjesëtarë të minoritetit gjerman. Por trazirat e Luftës së Dytë Botërore, shpërnguljet me detyrim të nazistëve si dhe deportimet për punë të detyruar në Bashkimin Sovjetik pas marshimit të Ushtrisë së Kuqe në Rumani bënë që minoriteti gjerman i Rumanisë të pakësohet në mënyrë drastike. Gjatë diktaturës komuniste në vitet 1970 dhe 1980, disa dhjetëra mijëra gjermanë nga Rumania u blenë për t'i nxjerrë në liri në kuadër të të ashtuquajturave "bashkime familjare". Por eksodi masiv ndodhi pas rrëzimit të diktatorit Nicolae Çaushesku në dhjetor 1989: në vitet e para të kthesës politike, rreth 200.000 gjermanë e braktisën atdheun e tyre rumun.

Sot, megjithë pakësimin në numër të minoritetit gjerman në Rumani ka gjithsej 61 shkolla fillore shtetërore të formimit të përgjithshëm si dhe 21 gjimnaze me departamente të gjermanishtes ose krejtësisht në gjuhën gjermane, ku marrin mësim rreth 17.000 nxënës. Rreth 90 përqind e tyre janë nga popullsia shumicë rumune.