1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Shpenzimet e NATO-s për mbrojtjen ecin në drejtimin e duhur

Shtetet e NATO-s kanë vazhduar të shkurtojnë shpenzimet për mbrojtjen, por me një ritëm më të ulët, deklaroi Stoltenberg. Aleanca po diskuton një kërkesë të SHBA për të vënë në dispozicion avionët e zbulimit AWACS.

Organizata e Atlantikut Verior deklaroi të enjten se shpenzimet për mbrojtjen në vendet anëtare të Aleancës po ecin në "drejtimin e duhur", megjithë shkurtimet e vazhdueshme gjashtë vjet me radhë.

"Vitin e kaluar nisëm të lëvizim në drejtimin e duhur", u tha reporterëve në Bruksel, sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, duke publikuar raportin vjetor për vitin 2015. "Pas shumë viteve shkurtime substanciale në shpenzimet për mbrojtjen, shkurtimet praktikisht janë ndalur te aleatët evropianëve dhe Kanadaja". Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s vërejti se tensionet vazhdojnë të jenë të larta në Lindje, pas aneksimit që Rusia i bëri Krimesë në vitin 2014.

Të paktën 16 shtete anëtare i rritën shpenzimet për mbrojtjen, kurse 23 prej tyre shtuan blerjet e tankeve, aeroplaneve dhe pajisjeve të tjera ushtarake, tha Stoltenbergu. Anëtarët evropianë të NATO-s shpenzuan vetëm 0,3 përqind më pak buxhet për mbrojtjen në 2015-ën, krahasuar me 0,9 përqind vitin e kaluar.

Shefi i NATO-s shtoi se pesë shtete arritën objektivin për të shpenzuar dy përqind të Produktit të Brendshëm Bruto për mbrojtjen, përballë tri shteteve që e arritën këtë në vitin 2014. Këto shtete ishin Britania e Madhe, Polonia, Estonia, Greqia dhe SHBA. Shpenzimet për mbrojtje të Gjermanisë kanë qenë të pandryshuara, duke përbërë 1.18 përqind të PBB, sipas NATO-s.

Stoltenberg tha se kërkesa e SHBA që NATO të vërë në dispozicion avionë AWACS "po shqyrtohet" dhe vendimin për të do ta marrin 28 shtetet anëtare, duke përfshirë edhe Gjermaninë.

Duke qenë se afërsisht 30 përqind e personelit të avionëve AWACS është gjerman, Parlamenti i Gjermanisë Bundestagu duhet të japë aprovimin për operacionet - si për çdo dislokim të trupave gjermane jashtë vendit.