1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Shpend Ahmeti: Ne shpresojmë në votat e atyre që duan ndryshime

Rezultati i raundit të parë nuk na ka befasuar, por na obligon edhe më shumë që të punojmë drejt fitores. Kështu thotë për Deutsche Wellen, Shpend Ahmeti, kandidat i Vetvendosjes për kryetar bashkie në Prishtinë.

Das Denkmal Newborn im Zentrum von Prishtina ist das Wahrzeichen des jungen Staates; Copyright: DW/R. Breuer

Newborn (Denkmal)

Deutsche Welle: Zoti Ahmeti, jeni të befasuar me fitoren e një numri kaq të madh të votave, apo mendoni se Prishtina me të vërtetë ka potencial për ndryshime?

Shpend Ahmeti: Kjo çka po ndodhë në Prishtinë është diçka që nuk ka ndodhur kurrë më parë: qytetarët janë bashkuar rreth një koncepti që i kalon vijat politike. Kjo është edhe votë ndëshkimi ndaj pushtetit aktual, por mendoj se ky është përfundimisht një sinjal i kthimit se gjërat mund të ndryshojnë. Andaj, nuk mund të them se jemi të befasuar, por ajo që po ndodhë këtu është diçka që nuk është parë dikund tjetër më parë.

DW: Si e shjegoni faktin që Ju si individ keni fituar më shumë vota se sa Vetëvendosja? Ka të bëjë kjo me këtë farë lloj ndryshimi të opinionit të qytetarëve, apo votuesit kanë bërë dallimin mes Ahmetit si kandidat dhe partisë së tij?

Shpend Ahmeti: Kjo ka të bëjë me nevojën e qytetarëve për të rregulluar problemet e tyre bazike. Mendoj se në shumicën e komunave të Kosovës është ndëshkuar pushteti dhe në disa komuna qytetarët kanë votuar për opcionin që e kanë parë si mundësi për ndryshime. Në Prishtinë ndryshimi ka qenë ndoshta më i madh, në një komunë ku kryetari aktual ka thënë se do ta fitojë me duar në xhepa, që nuk po ndodh. Unë me të vërtetë jam i bindur se ka potencial të madh që me 1 dhjetor të bëhet ndryshimi i madh në Prishtinë. Kjo do të kthejë shpresën për ndryshime të mëdha edhe në pjesët e tjera të Kosovës. Natyrisht ka dallim në mes të votave mes meje dhe subjektit politik, por rreth kësaj lëvizjeje janë bashkuar edhe plot të tjerë, që nuk i takojnë subjektit tonë politik, apo nuk i takojnë asnjë subjekti politik.

DW: Vetëvendosja është treguar deri tani shumë e ngurtë për koalicionin me subjektet e tjera politike. A do të bëni Ju ndonjë koalicion me subjektet e tjera dhe votat e cilit krah politik i prisni në raundin e dytë, pasi që në balotazh nuk Ju mjaftojnë vetëm votat e subjektit tuaj?

Shpend Ahmeti: Ne synojmë votuesin e subjekteve të tjera që kanë votuar për ndryshim. Ne mendojmë se ka më shumë njerëz që kanë votuar për ndryshime se sa për pushtetin aktual në Prishtinë. Me programin tonë ne duam t'i bindim ata që të votojnë për ndryshimet e domosdoshme. Ne tani për tani nuk po kërkojmë koalicione, por kemi thënë se nuk jemi të mbyllur për ekspertizën e subjekteve të tjera politike. Unë nuk e kam fare problem që në ekipin tonë të kemi ekspertë që u takojnë subjekteve të tjera, por që duan të punojnë për të mirën e Prishtinës. Por nuk e kemi parë të arsyeshme që të bëjnë koalicion me subjektet e tjera.

DW: Çfarë i ofroni Ju konkretisht Prishtinës, që mund t'ju dallojë nga kandidati i LDK-së: cilat janë pikërëndesat kryesore?

Shpend Ahmeti: Po ne në vitin 2013, në shekullin 21, kemi probleme me ujin dhe kanalizimin, me rrymën, me mungesën e çerdheve dhe cilësinë në programin primar dhe sekondar... kemi problemet shumë të mëdha me trafik dhe i kemi 35.000 njerëz në asistencë sociale. Këto janë probleme që nuk do të duhej t'i kishim 14 vite pas luftës, pesë vite pas shpalljes së pavarësisë. Në programin tonë ne japim idetë tona se si mund t'i zgjidhin këto probleme dhe ne duam t'i zgjidhim këto probleme. Ne do ta hapim komunën për të gjithë qytetarët që të shprehin problemet e tyre dhe që në këtë mënyrë të na ndihmojnë t'i zgjidhim ato sa më shpejt. Ne nuk kemi dhënë premtime shumëmilionëshe, por kemi premtuar dhe premtojmë se do të merremi me problemet e qytetarit.

DW: Zoti Ahmeti, identifikimi i problemeve është një, ndërsa zgjidhja e tyre një problem tjetër. Si do t'i zgjidhni Ju këto probleme?

Shpend Ahmeti: Për secilën prej këtyre pikave, në programin tonë 17 pikësh ne kemi dhënë propozimet për zgjidhjen e tyre. Për ujin për shembull, ne kemi thënë që brenda 6 muajve do të bëjmë identifikimin e problemeve që kanë të bëjnë me rrjedhjen e panevojshme të ujit. Në gjashtëmujorin e dytë ne do ta bëjnë planin e investimeve, të cilin do ta përfundojmë brenda 24 muajve. Kështu kemi folur edhe për çerdhet publike, ku fillimisht do ta bëjmë identifikimin e nevojave në secilën lagje. Prishtina i ka vetëm tetë çerdhe publike, të cilat kujdesen për rreth 2000 fëmijë, ndërkohë që vetëm në dy vitet e fundit në Prishtinë na kanë lindur mbi 7000 fëmijë. Çdo lagje duhet ta bëjë vlerësimin e nevojave për çerdhe dhe më pas të shikohen mundësitë për zgjidhjen e këtij problemi. Në këtë drejtim duhe të shfytëzojmë kapacitetet ekzistuese, kapacitetet private dhe duhet të hapim kapacitete të tjera. Ne kemi programe për zgjidhjen e secilit problem, por kjo nuk do të thotë se e kemi në dorë shkopin magjik dhe se mund t'i zgjidhim të gjitha problemet brenda natës. Megjithatë ne besojmë thellë se brenda katër vitesh të këtij mandati mund ta zgjidhin pjesën më të madhe të problemeve elementare.

DW: Për zgjidhjen e këtyre problemeve me siguri që ju duhet edhe mbështetja e pushtetin qendror, pra e qeverisë së Kosovës. Si e mendoni bashkëpunimin me Partinë Demokratike të Kosovës dhe partitë e tjera që aktualisht janë në pushtet?

Shpend Ahmeti: Kryetari i komunës së Prishtinës është kryetar i të gjithë qytetarëve dhe nuk duhet të konsiderohet si kryetar i anëtarëve të një subjekti politik. Unë nuk e shoh veten vetëm si kryetar të anëtarëve të Vetvendosjes por të gjithë qytetarëve të Prishtinës. Unë nuk e shoh as kryeministrin si kryeministër të anëtrëve të një subjekti, por të të gjithë qytetarëve të Kosovës. Komunikimi me qeverinë do të jetë transparent dhe me synim përmirësimin e kushteve për të gjithë qytetarët e Prishtinës. Ne nuk do të kemi takime dhe diskutime të fshehta, siç ndodhë tani. Ne duam të punojmë për të mirën e qytetarëve dhe për të gjithë ata që jetojnë këtu. Nuk shoh asnjë kryeministër, pavarësisht se cilit subjekt politik i takon, që do të guxojë të bllokojë punë për shkak të interesave personale, sepse këtë do ta dinë shumë shpejt të gjithë qytetarët e Kosovës.

DW: Zoti Ahmeti, ti kthehemi edhe një herë subjektit tuaj: Si e shpjegoni faktin që Vetëvendosja ka shënuar rezultate të dobëta në komunat e tjera?

Shpend Ahmeti: Unë nuk do t'i quaja të dobëta, sepse është hera e parë që lëvizja Vetëvendosje merr pjesë në zgjedhjet lokale, sepse deri tani kemi folur vetëm për çështjet nacionale. Kemi bërë një fushatë, e cila nuk ka pasur tepër kohë të futet thellë në problemet elementare të nivelit lokal. Nuk është ndonjë rezultat i kënaqshëm, ashtu siç dëshirojmë ne. Por mendoj se suksesi i Vetvendosjes duhet të matet në zgjedhjet nacionale, sepse zgjedhjet lokale dhe nacionale janë dy gjëra krejt të ndryshme.

Intervistoi: Bahri Cani

Redaktoi: Mimoza Kelmendi