1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shpartallohet një rrjet gjigant pastrimi parash

Eliana Xhani29 Maj 2013

Përmes sistemit të pagesave në internet të firmës Liberty Reserve nga Kosta-Rika janë kanalizuar në sistemin e ekonomisë së ligjshme miliarda dollarë nga aktivitete kriminale si pornografia me fëmijë.

https://p.dw.com/p/18g0u
Fotografi: picture-alliance/dpa

Drejtësia flet për organizimin me përmasa më të mëdha deri tani të pastrimit të parave. Në një mision të koordinuar në plan ndërkombëtar, kundër kriminalitetit në internet, hetuesit nga SHBA kanë shpartalluar një rrjet pastrimi parash që vepronte globalisht. Firma e transferimit të parave Liberty Reserve akuzohet se ka ndihmuar kriminelë të pastrojnë rreth 6 miliardë dollarë amerikanë (4,7 miliardë euro), nga aktivitete të paligjshme si pornografia me fëmijë, tregtia e drogës apo mashtrimi me karta krediti dhe investime, bëri të ditur prokuroria e Nju-Jorkut, e cila ka qenë në krye të operacionit për zbulimin e rrjetit.

Liberty Reserve ka qenë "banka e preferuar për botën ilegale të krimit", deklaruan hetuesit. Sipas të dhënave të Ministrisë amerikane të Financave, firma është krijuar me qëllim lehtësimin e pastrimit të parave përmes internetit.

Asnjë lloj kontrolli

Pas regjistrimit, përdoruesit e internetit mund të këmbenin në platformën e Liberty Reserve eurot apo dollarët e tyre në valutën digjitale të quajtur LR dhe t'i zhvendosnin fondet tek njëri-tjetri apo t'i këmbenin në para reale përmes palëve të treta. E gjitha kjo ndodhte jashtë çdo rregulli dhe mbikqyrjeje shtetërore. Arsyeja: ndryshe nga bankat Liberty Reserve nuk ishte subjekt i asnjë kontrolli nga autoritetet e mbikqyrjes financiare. Përdoruesit në momentin e hapjes së llogarisë duhet të jepnin vetëm pak informacione për veten, të cilat Liberty Reserve si rregull nuk i kontrollonte. Për klientët ishte e lehtë të fshihnin identitetin e tyre të vërtetë, shpjegoi një prej hetuesve.

Liberty Reserve / Geldwäsche
Fotografi: Reuters

Ndalohet në Spanjë themeluesi i firmës

Liberty Reserve është themeluar në vitin 2006 dhe ndërkohë është mbyllur. Në të gjithë botën firma kishte më shumë se 1 milion përdorues, 200.000 vetëm në SHBA. Sipas informacioneve të mbledhura nga prokuroria, çdo vit firma ka kryer rreth 12 milionë transaksione të paligjshme.

Policia ndaloi themeluesin e firmës Arthur B., zëvendësin e tij dhe tre të dyshuar të tjerë të premten në Spanjë, Kosta-Rikë dhe Nju-Jork. Dy menaxherë të tjerë të firmës janë ende të lirë në Costa Rica. Autoritetet kanë sekuestruar llogari dhe domene në internet. Në misionin ndërkombëtar merrnin pjesë autoritete hetimore nga 17 vende.