1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Shpëtimtarët e euros guxojnë të shprehin pak optimizëm

Pas muajsh kritikë në verë, ministrat e financave të BE-së po përhapin tani pak optimizëm. Se sa do të zgjasë kjo atmosferë, nuk e di askush, sepse vendimi në lidhje me vatrën e krizës Greqinë u shty.

Kryetari i vendeve të eurozonës Jean-Claude Juncker ishte me humor të mirë në takimin e ministrave të financave në kryeqytetin qipriot Nikozia. Megjithëse ka ende shumë probleme që janë bërë kapicë, (qoftë në Greqi, në Qipro apo në Spanjë) sipas interpretimit të kryeministrit luksemburgas dhe të shumë të tjerëve që angazhohen për të njëjtën çështje, ka shenja të para për shpresë. Pasi Banka Qendrore Evropiane premtoi blerje obligacionesh dhe Gjykata Kushtetuese Gjermane shtroi terrenin për ombrellën e përhershme të shpëtimit, në tregjet financiare po fillon një shtensionim i lehtë. Madje edhe shefja aq kritike në raste të tjera e Fondit Monetar Ndërkombëtar, Christine Lagarde, i lavdëroi këtë herë evropianët. "FMN-ja shpreson që ky hov, i cili natyrisht është i mirë, do të vazhdojë. Sukseset e para në tregje duhet të kthehen në suksese afatgjata. Ky zhvillin nuk lejohet të kthejë", tha Lagarde, e cila kishte ardhur në Qipro enkas për mbledhjen.

"Shenja inkurajuese"

Shefja e FMN-së Lagarde lavdëron presidentin e ECB-së Draghi

Shefja e FMN-së Lagarde lavdëron presidentin e ECB-së Draghi

Edhe Komisari i BE-së përgjegjës për Monedhën Olli Rehn e lavdëroi vendimin e Bankës Qendrore, që në rast nevoje të blejë në mënyrë të pakufizuar obligacione të shteteve që janë ngushtë. Ai vuri në dukje se Irlanda dhe Portugalia i plotësojnë detyrimet e tyre të kursimit dhe të reformave. Programi është i suksesshëm, tha Rehn. "Kjo ndodh në një kohë kur po shfaqen shenja të para inkurajuese të një stabilizimi në eurozonë. Njëri prej çelësave për këtë stabilizim është paralajmërimi i Bankës Qendrore për të blerë obligacione shtetërore", tha Olli Rehn. Kritikë ndaj vendimit të ECB-së pati shprehur vetëm përfaqësuesi gjerman në Këshillin e ECB-së, presidenti i Bankës Federale Gjermane Jens Weidmann. Me gjasa ai do të jetë i vetmuar gjatë bisedave të tij në Qipro.

ECB-ja u përmbahet kushteve

Ministri spanjoll i Financave de Guindos heziton me kërkesën për ndihmë

Ministri spanjoll i Financave de Guindos heziton me kërkesën për ndihmë

Presidenti i Bankës Qendrore Evropiane, i lavdëruar shumë, Mario Draghi, qëndroi modest dhe u përpoq gjatë një konference për shtyp që mundësisht të mos thoshte asgjë. Së fundi ai ia uli rëndësinë vetes dhe tha se veprimet e ECB-së po mbivlerësohen. Draghi i refuzoi sërish pritjet e Spanjës dhe të Italisë, se mund të siguronin para të ECB-së edhe pa detyrime të ashpra dhe mbikëqyrje. "Na duhet të kujtojmë se programi është i lidhur me kushte", tha Draghi duke tërhequr vëmendjen. Këto kushte për para nga ECB-ja i pati kërkuar vazhdimisht edhe Ministri gjerman i Financave Wolfgang Schäuble. Ministri spanjoll i Financave Luis de Guindos dëshiron të negociojë vetëm një lloj "kredie overdraft-i" për vendin e tij. Kërkesë pranë ombrellës së shpëtimit ESM ai nuk planifikon të dorëzojë hë për hë, për të shmangur kontrollin nga jashtë.