1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Shpëtim nga tortura falë Amnesty International

Amnesty International (AI) në 50 vjetët e ekzistencës ia doli që të lirojë një sërë të burgosurish politikë. Edhe seksioni gjerman i AI-së ka kontributin e vet për këtë. Disa nga të liruarit jetojnë sot në Gjermani.

50 vjet në ndihmë të të përndjekurve politikë - Amnesty International.

50 vjet në ndihmë të të përndjekurve politikë - Amnesty International.

Shtator 1973 - Ushtria në Kili bëri puç. Presidenti socialist i zgjedhur në mënyrë demokratike Salvador Allende gjeti vdekjen në rrethana të paqarta. Një juntë ushtarake nën drejtimin e Augusto Pinoçetit mori pushtetin dhe e mbajti atë deri në fund të Luftës së Ftohtë. Ruben Ruiz kujton shumë mirë, se në çfarë situate ishte ai atëherë - shtatorin e vitit 1973. Ai ishte mësues i ri, pesë ose gjashtë ushtarakë të armatosur e nxorrën atë nga ora e mësimit dhe e arrestuan:

"Më pas më vendosën në murin e shkollës dhe me sa duket donin të më eliminonin. Por ndonjëherë njeriu ka fat. Edhe unë pata fat, ra zilja, ora e mësimit mbaroi dhe qindra nxënës dolën në oborrin e shkollës. Ushtarakët nuk patën guxim të vrisnin dikë në sy të shumë dëshmitarëve. Kështu unë përfundova në burg."

Një vit më vonë Ruben Ruiz erdhi në Republikën Federale të Gjermanisë si një ndër të parët refugjatë politikë nga Kili. Ruiz dhe shumë të tjerë u dënuan me burg, ndonëse nuk ishin fajtor për asnjë shkelje. Ai dhe të bashkëburgosurit e tij janë torturuar shumë herë. Ruiz nuk do të flasë për dhimbjen e përjetuar dhe poshtërimin e thellë - ndërsa tregon për rrugën se si erdhi në Gjermani.

Ndonjëherë rojet i linin disa të burgosur që të shkonin për një ditë në shtëpi, për t'i ndjekur ata dhe për të mësuar, se me kë kanë kontakt. Nga një shok i burgut Ruiz merr një adresë. Atje ai do të gjentë dikë që do ta ndihmonte:

"Unë shkova tek ky person dhe zotëria ishte një peshkop, Helmut Frenz. Ai më ndihmoi dhe me tregoi për një organizatë, ku ai bënte pjesë dhe që unë nuk e njihja. Kjo ishte Amnesty International. Ishte hera e parë, që dëgjoja për këtë organizatë në jetën time si 23 vjeçar. Helmut Frenz më tha diçka të rëndësishme. Ai tha 'Ti duhet të largohesh nga vendi, sepse nëse viziton dikë, ti e rrezikon këtë person. Ti rrezikon këdo, që të sheh ty."

Peshkopi Frenz e çoi Ruiz në një shtëpi, në të cilën ishin arratisur shumë të tjerë. Kjo me kushtin që ai të mos vinte kurrë më në Kili, regjimi i Pinoçetit më në fund në vitin 1974 e lejoi atë të largohet nga vendi pa asnjë dokument identifikimi:

"Kështu unë erdha në Gjermani, nuk kisha asgjë dhe gjeta këtu një grup të madh njerëzish, të cilët na mbështetën. Ata quhen komiteti Kili. Aty unë njoha dikë, i cili quhet Erich Deil dhe ishte shef i një grupi të AI. Unë e pyeta atë, nëse mund të punoj në këtë grup. Që nga ajo kohë unë jam në këtë grup. Tani unë jam zëdhënës i grupit."

Gjatë historisë së vet ky grup me seli në Ratingen në Dyseldorf i ka shpëtuar jetën më shumë se 200 njerëzve, thotë Ruiz me krenari. Kjo punë duhet të vazhdojë, sepse situata e të burgosurve politikë nuk ka ndryshuar shumë. Ndoshta vendet kanë ndryshuar, por puna është e njëjtë.

Gazetari Gerd Ruge, një ndër themeluesit e Amnesty Deutschland.

Gazetari Gerd Ruge, një ndër themeluesit e Amnesty Deutschland.

Gerd Ruge, një gazetar i njohur televizioni, është një ndër themeluesit e Amnesty Deutschland. Ai kujton, se qysh në fillim Amnesty synonte angazhimin për të burgosurit politikë nga nga Lindja, nga Perëndimi dhe nga bota e tretë:

"Amnesty nuk duhej të bëhej një organizatë e njëanshme, e cila të angazhohej për grupe të caktuara politike, apo për forma të ndryshme besimi, por ajo duhej të mbronte lirinë e mendimit, lirinë e fjalës, si dhe lirinë e angazhimit politik pa përfunduar në burg."

Fjala është për një liri, e cila nuk garantohej në sistemin e konfliktit afatgjatë të botës së ndarë në Lindje dhe Perëndim, madje as në pjesën tjetër të Gjermanisë. Wolfgang Welsch në vitin 1964 ishte nën survejimin e forcave të sigurmit të shtetit në Republikën Demokratike të Gjermanisë derisa u dënua me burg, vetëm sepse lexonte në publik poezi kritike ndaj sistemit. Welsh: "Në përpjekje për arratisje në vitin 1964 më arrestuan. Unë desha të largohem nga ky vend dhe kisha nisur të kryej edhe disa veprime rezistence. Unë në asnjë mënyrë nuk desha të jetoj në këtë vend, desha të arratisem dhe këtu dështova. Nga ana shëndetësore mund të thuash që isha i marrë fund. Isha dobësuar nga ushqimi i burgut, të cilin as që mund ta quash ushqim."

Autori Wolfgang Welsch.

Autori Wolfgang Welsch.

Në një letër cigaresh, që ai e nxorri fshehurazi prej burgut, Welsch përshkruante kushtet e burgimit duke e mbyllur me fjalët "shpëtoni jetën time!". Prej kësaj iu tërhoq vëmendja Amnesty International. Pë rmuaj me radhë një grup i Amensty në Leds të Anglisë i shkruante letra qeverisë në Berlinin lindor - fillimisht pa sukses.

Një ditë, kur nëna e Wolfgang Welsch e vizitoi të birin në burgun e Brandenburgut, ajo i dha atij të "falat nga daja në Londër". Një rreze shprese kjo, që Welsch e kujton edhe sot:

"Meqënëse unë nuk kisha dajë në Londër, e cila dihet që ndodhet në Perëndim, duke e dëgjuar një gjë të tillë në një burg gjermanolindor, ky ishte për mua një shkas për t'u gëzuar shumë: Ishte një sinjal i fshehur 'ah, kushdo qoftë në Londër, ose çfarëdo që të jetë nënkuptuar me këtë, mua do të më ndihmojnë. Që nga ky moment e dija: 'Unë nuk jam i humbur. Dikush është që kujdeset për mua'. Këtë as që mund ta përshkruash - kjo është një ndjenjë e pabesueshme. U çlirova nga ndjesia e angushtisë."

Megjithatë kaluan shumë muaj. Pasi Amnesty pati kontaktuar një avokat, ky ndihmoi për ta rritur presionin ndaj qeveritarëve në Gjermaninë Lindore. Më në fund në vitin 1971 Wolfgang Welsch u lirua nga burgu dhe u pranua nga ish-kancelari Willy Brandt në Republikën Federale të Gjermanisë duke i dhënë shpërblim Gjermanisë Lindore.

Për Wolfgang Welsch publiciteti që krijoi Amnesty International është edhe sot një mbështetje e rëndësishme për të burgosurit:

"Është shumë i rëndësishëm fakti që sistemi dhe regjimi, që ju keqtrajton dhe ju heq lirinë, e di, që nuk je vetëm. Një bashkësi e madhe qëndron pas.Kjo do të thotë shpëtim. Kjo do të thotë edhe liri brenda një të ardhmeje të afërt, për të burgosurin kjo është shumë. Ai nuk është më vetëm. Pra në thelb për jetën time i jam mirënjohës Amnesty International."

Vetëm vitin e kaluar në mbarë botën Amnesty International në 167 raste të reja ka kryer aksione për të burgosurit. Në mbarë botën punojnë rreth tre milionë anëtarë si dhe vullnetarë, për të çliruar njerëzit nga torturat dhe burgimi. Amnesty International ka detyrë të vetën të ndihmojë vitiktimat edhe në proceset gjyqësore jo korrekte, ose nga dëbimet nga atdheu e shtëpia, që janë shkelje të të drejtave të njeriut.

Autor: Sabine Ripperger / V. Filaj-Ballvora

Redaktoi: E. Xhani