1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Shpërndahet Kuvendi - Kosova shkon drejt zgjedhjeve të reja

Shpërndahet Parlamenti i Kosovës, vendi shkon drejt zgjedhjeve të reja. Nga 115 deputetë gjithsej, 90 votuan pro, katër kundër dhe tre abstenuan.

default

Me një shumicë prej 90 votash, deputetët e Kuvendit të Kosovës në një seancë të jashtëzakonshme votuan këtë të mërkurë( 07.05) për shpërbërjen e kësaj legjislature, duke i hapur rrugë kështu mbajtjes së zgjedhjeve të përgjithshme të parakohshme. Pajtimi për shpërbërjen e Kuvendit të Kosovës u arrit pas një takimi që presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga zhvilloi me udhëheqësit e partive kryesore politike të përfaqësuara deri tani në Parlamentin e Kosovës.

Shpërndarja e Kuvendit të Kosovës, ndodhi për shkak të siç u tha nga të gjithë udhëheqësit politik “jofunksionalitetit të krijuar me muaj për shkak se qeveria e Kosovës kishte humbur përkrahjen e shumicës”. Kjo u vërtetua edhe nga dështimi i një koncensusi politik që parlamenti të themelojë Forcat e Armatosura të Kosovës (FAK) dhe të zgjasë edhe për një mandat vendet e rezervuara për pakicat. Këto dy çështje tashmë do të mbesin në duar të legjislaturës së re të Kuvendit të Kosovës.

Caktimin e datës së zgjedhjeve do ta bëjë Presidentja e Kosovës pas konsultimeve me partitë politike, thuhet në një njoftim nga zyra e Presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga, pas takimeve që ajo zhvilloi me udhëheqësit e subjekteve politike.

“Presidentja Jahjaga u bëri me dije udhëheqësve të partive politike qëndrimin se veprimet e saj do të jenë në përputhje të plotë me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës, se do të veprojë menjëherë pas vendimit të Kuvendit të Kosovës për shpërbërjen e tij dhe se pas këtij vendimi të Kuvendit, në pajtim me Kushtetutën dhe ligjet e Republikës së Kosovës, do të ftojë të gjitha partitë politike në Kosovë për konsultime për përcaktimin e datës së zgjedhjeve”. Deri tani shumica e partive politike janë deklaruar që zgjedhjet e përgjithshme të mbahen me 08.06.