1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Shoqata e të Dëbuarve ofron zgjidhje për fundin e grindjes me drejtuesen Steinbach

Pas ngecjes në vendnumëro për disa muaj me radhë lidhur me postin e Këshillit të Fondacionit Federal "Arratisje, Dëbim, Pajtim" ka lëvizje: Erika Steinbach ofron dorëheqje me kushte nga njëri post në Fondacion.

Erika Shtajnbah, kryetare e Shoqatës së të Dëbuarve

Erika Shtajnbah, kryetare e Shoqatës së të Dëbuarve

Në një deklaratë të formuluar ashpër Erika Steinbach ankohet për "ndërhyrjen" e politikës ndaj Shoqatës së të Dëbuarve, një gjëje që sipas saj duhet t' i jepet fund. Ajo kërkon që shoqata e saj të ketë më shumë peshë në fondacionin "Arratisje, Dëbim, Pajtim". Shoqata kërkon të ketë më shumë përfaqësues në Fondacion nga maksimumi tre që ka aktualisht.

"Të dëbuarit gjermanë nga atdheu e kanë pasur atdheun e tyre në të gjithë Evropën Qendrore, Lindore dhe Juglindore. Ne kemi 21 shoqata sipas vendeve, ndërkohë që lejohemi të kemi vetëm tre përfaqësues, një numër i shumë i vogël ky. Ndaj numri i përfaqësuesve duhet shtuar. Tani unë kurrsesi nuk dua të përcaktoj shifra."

Dy milionë anëtarë ka shoqata e fuqishme, e cila përfaqëson interesat e të dëbuarve nga atdheu dhe në krye të të cilëve qysh nga viti 1998 qëndron deputetja kristiandemokrate Erika Steinbach. Shoqata kujton fatin e 12 deri 15 milionë gjermanëve të dëbuar, të cilët gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe pas saj u dëbuan nga territoret e sotme të Polonisë dhe të Çekisë.

Kohët e fundit objektivi më i rëndësishëm i Shoqatës së të Dëbuarve ka qenë hapja e një qendre dokumentacioni në Berlin për historinë e të dëbuarve. Kjo nismë është konsideruar mjaft e vështirë si brenda edhe jashtë vendit, sepse në vendet fqinje padrejtësia e dëbimeve shpesh herë konsiderohet si një kompensim ndaj krimeve të nacionalsocializmit, ose lihet në harresë. Ndër vështirësitë historike dhe objektive konsiderohet personi Erika Steinbach: Politikania kristiandemokrate ka një imazh mjaft negativ në Poloni, edhe sepse në vitin 1991 në Bundestag (parlamenti gjerman) ajo votoi kundër Marrëveshjes gjermano-polake për Kufirin.

Kompromisi konsistonte për qeverinë e mëparshme të kristiandemokratëve/kristiansocialëve dhe socialdemokratëve, që qendra e dokumentacionit të mos realizohej nga Shoqata e të Dëbuarve, por nga fondacioni i pavarur i federatës, i themeluar përpara një viti. Të dëbuarit në këtë fondacion, ndonëse kanë të drejtën e fjalës, fjalën e fundit e ka gjithmonë qeveria. Erika Steinbach kërkon tani, që fondacioni të jetë i pavarur, pra të shkëputet nga lidhja me federatën. Për këtë duhet të ndryshohet ligji.

"Sidoqoftë duhet të hiqet kapitulli, që shoqatën tonë gjatë gjithë muajve e ka vendosur nën tutelë."

Presidentja e shoqatës së të dëbuarve, për shkak të grindjes politike lidhur me personin e saj deri tani nuk është anëtare e këshillit të fondacionit. Vendin e saj ajo e la bosh në mënyrë demonstrative, për aq kohë sa socialdemokratët në qeveri ishin kritikë ndaj saj. Por edhe qeveria e tanishme e përbërë nga koalicioni mes kristiandemokratëve/kristiansocialëve dhe liberalëve nuk ka gjetur një zgjidhje, sepse ministri i Jashtëm liberali Guido Westerwelle gjithashtu është shprehur kundër emërimit të saj. Tani Steinbach kërcënon, se nëse kërkesat e saj nuk plotësohen, ajo do të zerë vendin në këshillin e fondacionit.

Nëse ministri Westerwelle, i cili ngre si argument marrëdhëniet e mira me Poloninë kundër Stenibach-ut, do ta pranojë propozimin kjo mbetet ende e hapur:

"Unë do të shqyrtoj në mënyrë konstruktive çdo propozim, sepse qëllimi im është, që të mos rëndohen marrëdhëniet e mira gjermano-polake. Unë do të bëj gjithçka që i shërben këtij objektivi e edhe do ta mbështesë atë."

Qëkurse Westerwelle insiston kundër emërimit të Steinbach-ut, ka paqartësi në qeverinë mes konservatorëve dhe liberalëve. Partitë e unionit konservator e mbështesin politikanen kristiandemokrate Steinbach dhe i përshëndesin kërkesat e saj aktuale. Liberalët tërhiqen, socialdemokratët dhe ekologjistët në opozitë e akuzojnë Steinbach-un se po ushtron presion.

Autor: Nina Werkhäuser/ Vilma Filaj-Ballvora

Redaktoi: Auron Dodi

  • Data 06.01.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/LMa1
  • Data 06.01.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/LMa1