1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Shoqata e Evropës Juglindore përballet me të kaluarën

Kryesia e Shoqatës së Evropës Juglindore ka caktuar një komision historianësh që do të merret me me paradigmën ideologjike të studiuesve të Evropës Juglindore.

Disa ditë para nderimit me medaljen "Rudolf-Vogel" në muajin shkurt Andreas Ernst, korrespondent i gazetës "Neue Zürcher Zeitung" në Beograd, e njoftoi kryesinë e Shoqatës së Evropës Juglindore (SOG), se e refuzon këtë çmim. Arsyeja: Në internet shkruhet që Rudolf Vogel ka qenë gazetar i propagandës naziste. Presidiumi i SOG e mori seriozisht këtë shqetësim dhe ia ndërroi emrin çmimit duke e quajtur "Çmimi për Gazetarët i Shoqatës së Evropës Juglindore". Andreas Ernst u bë fituesi i parë i këtij çmimi. Duke marrë shkas nga ky rast dhe nga 60 vjetori i themelimit të saj, kjo shoqatë filloj të përballej edhe me historinë dhe parahistorinë e saj.

1945 nuk ishte viti zero

Politiker Rudolf Vogel CDU

Rudolf Vogel

Rudolf Vogel ishte pas Luftës së Dytë Botërore, deputet, sekretari shteti, ambasador pranë OECD-së në Paris dhe për dekada të tëra kryetar apo nënkryetar i Shoqatës së Evropës Juglindore. Edhe pse që nga viti 1950 ndaj tij janë bërë akuza të përsëritura për veprimtarinë e tij propagandistike në kohën e Gjermanisë naziste (p.sh. në revistën Der Spiegel apo Süddeutsche Zeitung ) Vogel nderohet në shkrimet e SOG-së, p.sh. në vitin vitit 1986 si " anti-nazist " dhe "anti-fashist i sprovuar". Në vitin 1991 me emrin e tij u quajt edhe çmimi për gazetarët i shoqatës SOG.

Michael Martens Korrespondent der Frankfurter Allgemeinen Zeitung Istanbul

Rudolf Vogel

Michael Martens, korrespondent për Frankfurter Allgemeine Zeitung në Stamboll dhe një nga fituesit e medaljes "Rudolf Vogel" shpjegon se deri në vitet 1980 Vogel nuk kishte pse të përballej me diskutime për të kaluarën e tij, sepse në krye të Shoqatës së Evropës Juglindore ishin asokohe persona që kishin një " reputacion të lartë shkencor", por që gjatë epokës naziste "kanë luajtur një rol të rëndësishëm dhe për këtë arsye domosdoshmërisht edhe shpesh katastrofal në kërkimet për Evropën Juglindore."

Studjues të Evropës Juglindore si Fritz Valjavec apo Franz Ronneburger ishin anëtarë të Partisë Naziste ose SS. Ata e vunë shkencën në shërbim të nacional-socializimit apo u morën me studime per gjenet duke përcaktuar grupe njerëzish nga Evropa Juglindore që mund të përbënin rrezik për Gjermaninë naziste. Por gjatë Luftës së Ftohtë nevojiteshin njerëz që njihnin Evropën Lindore dhe Juglindore dhe për këtë në institutet e ngritura në vitet 1950 me para shtetërore që merreshin me Evropën Lindore dhe Juglindore filluan të punonin sërish njerëz që qenë marrë me këtë rajon para vitit 1945, sqaron profesor Gerhard Seewann nga Universiteti i Pécs në Hungari.

Vështirësitë në përballjen me të kaluarën

Por ishte pikërisht merita e këtij grupi personash që kishin qenë aktivë gjatë kohës së nazizmit që ngritën pas vitit 1945 në Republikën Federale të Gjermanisë institucionet shkencore që merreshim me studime për Evropën Juglindore. Ata themeluan Institutin për Evropën Juglindore, Shoqatën Kulturore Gjermano-Juglindore (1951), Shoqatën e Evropës Juglindore (1952) dhe Komisionin Historik Gjerman për Evropën Juglindore (1957). Këto institute nxirrnin dhe botime, organizonin takime shkencore dhe veprimtari kërkimore. Përveç kësaj, këto organizata bënë të mundur në kohën e Luftës së Ftohtë që të mbahej kontakti me shkencëtarët e Evropës Juglindore, thotë presidenti i Shoqatës së Evropës Juglindore Walter Althammer.

Në të gjitha fushat e shkencës në Gjermani kishte pas luftës shkencëtarë që gjatë kohës së nazizmit e kishin vënë punën e tyre në shërbim të ideologjisë naziste. Pra nuk kishte pse të ishte ndryshe në rastin e studimeve për Evropën Juglindore. Për arsye besnikërie edhe nxënësit nuk u morën më pas me biografitë e profesorëve të tyre gjatë kohës së nazizmit, mendon Andreas Wirsching, Drejtor i Institutit të Historisë Bashkëkohore në Munih.

Ç'do të bëhet më tej?

Professor Ulf Brunnbauer

Profesor Ulf Brunnbauer

Kryesia e Shoqatës së Evropës Juglindore ka caktuar një komision historianësh që do të hartojnë deri në shkurt 2014 propozime konkrete. Profesor Ulf Brunnbauer, drejtor i Institutit të Studimeve për Evropën Lindore dhe Juglindore në Universitetin e Regensburgut, theksoi se Komisioni do të përgatisë pyetjet që lidhme paradigmën ideologjike të studiuesve të Evropës Juglindoreen menjëherë pas luftës dhe punën e tyre. PO ashtu do të shikohet edhe se çfarë roli ndërmjetësues ka luajtur Shoqata e Evropës Juglindore midis Gjermanisë dhe Ballkanit gjatë Luftës së Ftohtë, a ka ndikuar ajo për shtensionimin gjatë Luftës së Ftohtë, a ka pasur lidhje me shërbimet sekrete, a ka ndikuar në veprimtarinë e qeverive të vendeve të Evropës Juglindore. Përgjigjet për këto pyetje priten me padurim.