1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Portret

"Shoqëria e re kërkon integrim"

Sa shqiptare, po aq edhe gjermane ndjehet Dr. Irena Sherameti, që e lumtur jeton me familjen e saj në Gjermani. Karrierën e filluar në Tiranë po e vazhdon në Jenë.

Irena Sherameti

Irena Sherameti

Karrierën e saj si biologe Irena Sherameti e fillon në Universitetin e Tiranës, ku i ka mbaruar studimet në degën Biologji speciale. Dhjetë vite rresht ajo punon me sukses në fushën e Fiziologjisë së kafshëve. Në kuadër të projektit "Tempus" të financuar nga Komuniteti Evropian për herë të parë ajo viziton Gjermaninë. Qëllimi i këtij projekti ishte që ndërmjet Universitetit të Tiranës dhe Universitetit të Jenës të shkëmbehen përvojat pedagogjike, me qëllim përmirësimin e metodave mësimore dhe marrjen e përvojave. E etur për njohuri dhe përvoja të reja shkencore në fillim të vitit 1998 ajo vendoset përfundimisht në Gjermani: "Kam punuar në Universitetin "Ludwig Maximilian" në Mynih, në fushën e fiziologjisë së bimëve-Departamenti i Botanikës dhe Fiziologjisë së bimëve."

Pas një viti Irena u largua nga Universiteti i Munihut për të vazhduar më tej në Universitetin e Jenës, ku pikërisht kohë më parë kishte njohur bashkëshortin e saj Ralfin. Pasi ajo bëhet nënë, me shumë shkathtësi ia del të mbajë jo vetëm familjen, por edhe të vazhdojë karrierën. Çdo mëngjes ajo e dërgon Dorianin shtatë vjeç në shkollë. Më pas me bashkëshortin e saj merr rrugën për në punë. Pasi pijnë kafenë e mëngjesit së bashku me kolegët, Irena fillon punën në laborator.

Lidhje të fuqishme me vendlindjen

Dita e parë e shkollës së Dorianit

Dita e parë e shkollës së Dorianit

Ndonëse prej 13 vjetësh ajo jeton e lumtur me bashkëshortin e saj Ralfin dhe Dorianin 7 vjeç në Gjermani, lidhjet më të fuqishme miqësore e shpirtërore i ka ende në Shqipëri. Sa herë që ajo viziton familjen e saj në Tiranë, ajo nuk harron të vizitojë edhe kolegët në departamentin e Biologjisë, ku ka punuar dikur. Kontaktet e shpeshta me këtë institucion kanë bërë që bashkëpunimi ndërmjet Universitetit të Jenës dhe atij të Tiranës të intensifikohet. "Shkojmë bashkë në fakultetin e Shencave të Natyrës takojmë kolegët, bashkëshorti u jep ndonjë leksion në gjuhën angleze studentëve, ose flasim diçka për punën shkencore. Kjo ka stimuluar në njëfarë mase ardhjen e studentëve, ose doktorantëve nga Fakulteti i Shkencave të Natyrës në grupin tonë të punës."

"Për t'u ndjerë i respektuar në një shoqëri të re, duhet të integrohesh në të."

Krahas angazhimeve në punë dhe në familje ajo me zemërgjerësinë dhe bujarinë e vet, që ka, gjen kohë edhe për studentët shqiptarë, që studionjnë në Universitetin e Jenës duke u ofruar atyre miqësi dhe aktivitete. Meqënëse bashkëshorti i saj Ralfi gatuan shumë mirë, ajo nuk heziton që ata ndonjëherë t'i ftojë edhe për darkë në shtëpinë e vet.

Në pushim

Në pushim

Që të ndjehesh mirë, i pranueshëm dhe i respektuar në një shoqëri të re, duhet të integrohesh në të, thotë ajo. "Ne duhet të punojmë që të integrohemi dhe integrimi fillon në rradhë të parë nëpërmjet gjuhës. Duke ditur gjuhën e vendit, ne e respektojmë më shumë vendin, të cilin e vizitojmë e kësisoj jemi edhe më të mirëpritur nga vendasit."

Intensifikimi i bashkëpunimit mes universiteteve

Irena me bashkëshortin e saj Prof. Doc.Ralf Oelmüller punojnë në fushën e Fiziologjisë së bimëve, më konkretisht në bashkëveprimin e mikrobeve në bimën Arabidopsis thaliana. Kontributi i saj në shkencë është botimi i dy librave në gjuhën angleze: "Metalet e rënda në Tokë" / 2010 (Soil Heavy Metals)dhe Detoksifimi i metaleve të rënda / 2011 (Detoxification of Heavy Metals), të botuara nga shtëpia botuese Springer të Gjermanisë. Përveç departamentit të Biologjisë në Tiranë është në proces e sipër edhe fillimi i bashkëpunimit me Fakultetin e Bujqësisë së Tiranës, çka dëshmon për lidhjet e fuqishme të Irenës me vendlindjen.

Autor: Qeriman Bekteshi

Redaktoi: Angjelina Verbica