1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Shoqëria civile duhet t'i paraprijë revolucionit!

Rrënjët e demokracisë në shoqërinë civile janë paradoksalisht premisa themelore për zhvillimin e revolucioneve. Përndryshe të drejtat e qytetarit dhe reformat civile nuk kanë baza të forta, argumenton Bejamin Barber.

Aspiratat për liri shkaktojnë kryengritjet, rrëzojnë herët a vonë autokratët nga froni dhe çojnë përpara përpjekjet për demokraci. Megjithatë, kur trazira ka shpërthyer një herë, është tepër vonë për të argumentuar lidhur me efektin e revolucionit si paraprijës i demokracisë.
Historikisht demokracia është arritur në rrugë të ndryshme dhe nuk është e qartë, nëse një kryengritje e armatosur, edhe në qoftë se prej saj rrëzohet një tiran, çon detyrimisht në demokraci. Përkundrazi kryengritjet revolucionare, si ajo e Parisit në vitin 1789, e Moskës në vitin 1917, apo e Teheranit në vitin 1979, qenë të suksesshme në rrëzimin e tiranëve, por demokraci ato nuk sollën. Shumë shpesh rezultati është paqëndrueshmëri, anarki, luftë civile, apo përsëri një tirani me fytyrë të re.

A sjellin revolucionet anarki?

Revolucionet synojnë të arrijnë qëllimet, të cilat në rastin ideal kanë ekzistuar, para se të fillonte revolucioni. Shumë ndryshime radikale në botën arabe dhe në Afrikën e Veriut në vitet e fundit u paraprinë nga rrëzimi me revolucion i një regjimi autokratik (për shembull në Libi dhe Egjipt).

Milicë të armatosur në Libi

Milicë të armatosur në Libi

Përmbysja e diktatorëve nuk solli automatikisht një formë më të lirë qeverisjeje, apo një shoqëri civile më të aftë, për të mos folur për kompetencën e qytetarëve, apo të shteteve ligjore. Përkundrazi pasojat e revolucioneve, megjithë qëllimin e mirë, që patën, i shërbyen më shumë anarkisë se sundimit të ligjit. Kjo tregoi, se sa pak kapacitete të shtetit të së drejtës ekzistojnë në këto shoqëri në tranzicion, përveç qeverisjes formale.

Pa respekt për shtetin e së drejtës

Në Libi vrasja e një diktatori shumëvjeçar, që e nxori ngadalë vendin nga radhët e shteteve problematike dhe solli përparime shumë modeste në shoqërinë civile dhe të drejtat e njeriut, pati pasoja problematike. Megjithë përpjekjet dhe vendimet në letër për të krijuar një qeveri të unitetit kombëtar, realiteti është tjetër. Atje është forcuar sundimi i decentralizuar i fiseve dhe i ushtarakëve. Ndërmjet Lindjes dhe Perëndimit të vendit që atëherë sundon një gjendje e ngjashme me luftë civile.

Një shenjë tjetër e gjendjes aktuale të trishtuar të Libisë është paaftësia e qeverisë në Tripoli, për të bindur "Zinta Milicia", që mban të burgosur, Saif Gaddafi-n, të birin e diktatorit, që t'ia dorëzojë atë pushtetit qendror, apo Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë. Një tregues tjetër janë sulmet e pandërprera kundër xhamive sufiste, të cilat nuk ndiqen nga policia dhe nuk dënohen nga gjykatat. Gjithashtu shqetësuese është lëvizja e lirë e forcave afrikanoveriore të Al Kaidës, që u liruan nga burgjet pas rrëzimit të Muamar Gadafit.

Për ta thënë qartë: Nëse nuk ka qytetarë të përgjegjshëm dhe një shoqëri civile me rrënjë të forta, atëherë është gati e pamundur të zhvillohet një qeveri e qëndrueshme dhe respekti për sundimin e ligjit. Vdekja e Gadafit i dha fund në fakt shtypjes më të rëndë, por tani sundon më shumë anarkia se stabiliteti. Gjërat do të qetësohen me kohë dhe forcat përgjegjëse në këtë vend do të arrijnë një farë progresi. Por forcat e brendshme reformatore me siguri që me kalimin e kohës do të kishin arritur të njëjtën gjë, pa pasojat e tmerrshme, që solli me vete rrëzimi i Gadafit. Edhe pse ndoshta pa ndjenjën dehëse të çlirimit, që i krijoi rrëzimi i Gadafit libianëve.

Ndryshimet revolucionare në fokus të kritikës

Ägypten Kairo Proteste Tahrir Platz

Protesta n sheshin Tahrir

Në mënyrë të ngjashme është zhvilluar historia edhe në Egjipt. Mubaraku nuk është më, megjithatë vendi mbahet ende i kapur për fyti nga politika islamiste dhe ushtria. Liberalët e rinj sekularistë, të cilët demonstruan në sheshin Tahrir dhe rrëzuan diktaturën, ndjehen tani të injoruar në luftërat aktuale për pushtet. Gratë margjinalizohen ashtu si dhe më parë, të drejtat e njeriut shkelen vazhdimisht, ndasitë politike dhe fetare vështirësojnë krijimin e një uniteti kombëtar.
Nuk bëhet fjalë për atë, se nuk duhej të kishte ndodhur revolucioni. Por mbetet e vërtetë, se transformimi revolucionar nuk është patjetër mënyra më e mirë, për të krijuar një shoqëri të shëndoshë civile dhe një qytetari të angazhuar.

Askush në vendet, ku ndodh një transformim i dhunshëm, si për shembull në Siri, nuk mund të parashikojë qartë, se kush do të përfitojë në të vërtetë nga rrëzimi i regjimit alevit të presidentit Bashar al-Asad. Shoqëria civile? Apo një diktaturë e re shiite? Apo Al Kaida? Fundamentalistët islamikë? Apo liberalizmi sekular? A do të ketë me të vërtetë një Siri të bashkuar, apo një vend, që rrëshqet ngadalë në luftë civile? A do të mbizotërojë atje pluralizmi? A do të shkelet ligji, apo jo?
E vërteta është se zemërimi i njerëzve, të sunduar me breza nga autokracia dhe shtypja, shpesh zgjat më shumë se reformat graduale. Mbreti George III. dhe qeveria e tij mund ta kishin shmangur revolucionin amerikan, sikur të kishin reaguar më parë ndaj ankesave të amerikanëve ndaj shtypjes. Sepse edhe revolucioni amerikan nuk solli vetëm lirinë, por edhe një republikë skllevërish për 80 vjet dhe luftën e përgjakshme civile. Republika e lirë qytetare u krijua gati një shekull pas kryengritjes, me përfshirjen e të gjithë qytetarëve burra (pa gratë).

Shoqëria civile çelësi i suksesit

Po t'i hedhësh një vështrim kombeve evropianolindore, që aspironin rrëzimin e Bashkimit Sovjetik, më të suksesshmet duket se janë (Polonia, Hungaria dhe Republika Çeke), të cilat sollën nga epokat më të hershme një shtresë qytetare të aftë, apo që e njihnin qëndresën civile, si për shembull në Poloni me lëvizjen e Solidaritetit dhe kishën katolike.
Nga kjo mund të konkludohet se reformat qytetare dhe një shoqëri civile, që ka ekzistuar para ndryshimeve radikale, janë çelësi i suksesit. Paradoksale, por me sa duket një shkallë e caktuar e aftësive qytetare është e nevojshme, për të shkundur autokracinë dhe për të krijuar një qeveri, që mbështet dhe forcon kapacitetet qytetare. Pra ato kapacitete civile, që krijojnë transformimet politike, është e nevojshme të ekzistojnë që para ndryshimeve politike.

Roli fatkeq i mediave

Die Hilfen für Solidarnosc aus Deutschland, Proteste und Kundgebungen für Unterstützung für die delegaliesierte Solidarnosc Bewegung, ,Arbeitsgruppe Solidarnosc Eschweiler Aachen piketa przed ambasada. *** Nur von Barbara Cöllen von der Polen-Redaktion im Zusammenhang mit dem 30. Jahrestag von Solidarność zu verwenden. Foto Mieczysław Zarzyczny ***

Aktivist t levizjes Solidarność n Poloni

Largimi i një autokrati dhe i një elite politike sjellin me vete ndryshime shoqërore. Por nëse këto transformime janë bërë, atëherë grushti i dhunshëm i shtetit dhe kostot e tij të larta mund të parandalohen ndoshta. Mediat kanë luajtur shpesh një rol fatkeq, sepse kanë nxitur rebelimet e dhunshme. Për pasojat ato nuk kanë mbajtur asnjë përgjegjësi. Masmedia e do spektaklin dhe adhuron fytyrat e lyera me gjak të rebelëve. Por pikërisht këto media nuk janë më aty, kur revolucioni nuk ka pasur suksesin e duhur, kur shpërthen një kundërrevolucion, apo edhe kaosi i vërtetë.
Perëndimi dhe mediat duhet të jenë pak më të kujdesshëm në nxitjen e kryengritjeve në një botë, ku gjithçka është e ndërlidhur fort me njëra-tjetrën, ku pasojat e anarkisë civile dhe jostabilitetit politik mund të kapërcejnë kufijtë dhe të jenë shumë të kushtueshme. Sepse pasojat e tyre janë krejtësisht të pallogaritshme dhe Perëndimi nuk ka përse t'i vuajë pasojat.

Një kalë demokratik para qerres revolucionare
 

Është e vështirë të thuhet se çfarë mësimesh duhet të nxjerrim nga historia, apo nga konteksti më i gjerë historik i revolucioneve politike. Historia krijon fakte. Revolucionet nuk mund të zhbëhen më, pa marrë parasysh se çfarë pasojash mund të sjellin. Ato gjithashtu sjellin fundin e shtypjes së tmerrshme dhe i japin popullit të shtypur një ndjenjë lirie, dinjiteti dhe të një fillimi të ri. Kanë për t'u bërë gabime, por ato janë të tyret dhe jo të tiranëve.
Revolucionet më të suksesshme dhe produktive megjithatë kanë ndodhur në shoqëritë, ku ndërkohë ekzistonin fillimet e demokracisë dhe shoqëria civile, pra atje ku rebelët nuk ishin më raja, por qytetarë. Ky duhet të shërbejë si argument, me qëllim që para një karroce revolucionare të vihet një kal demokratik, përpara se të cytet një revolucion problematik. Me qëllim që të realizohet me të vërtetë transformimi i shoqërisë.

Benjamin R. Barber është një studiues i Kërkimeve në Qendrën për Filantropi dhe Shoqërisë Civile, Qendra e diplomuar në Universitetin e qytetit të Nju Jorkut dhe themeluesi i Lëvizjes ndërvarësisë. Ai ka qenë këshilltar i qeverisë e kësisoj edhe i presidentit amerikan. Ai ishte këshilltar i qeverisë së SHBA-së nën presidentin Bill Clinton dhe ka shkruar Bestsellers të shumta, duke përfshirë "Xhihadi kundrejt McWorld".