1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Shmangie nga përgjegjësia – Bota arabe dhe aksionet ushtarake kundër Libisë

Ndonëse Liga Arabe e kërkoi vetë krijimin e zonës së ndalimfluturimit në Libi, tani ajo po distancohet hapur prej aksioneve ushtarake perëndimore ndaj regjimit të Libisë.

default

Qysh në fillim ishte e qartë: Aksionet ushtarake kundër regjimit të Muamar Al-Gadafit janë me rrezik dhe shansi për të pasur sukses nuk është i sigurtë. Diktatori libian nuk tërhiqet, por i mobilizon përkrahësit e tij për luftë të armatosur kundër objektivave perëndimore. Trupat ndërkombëtare janë superiore ushtarakisht. Por ato nuk u kundërvihen regjimeve me trupat e këmbësorisë. Si dhe kur do të përfundojë kjo luftë asimetrike është e pasigurtë. Ndaj ne duhet të përgatitemi edhe për më të keqen: Kjo mund të jetë një luftë e gjatë. Mund të ketë shumë të vrarë.

Megjithatë bashkësia ndërkombëtare parimisht ka vepruar drejtë: Të mbajturit sehir, ndaj asaj se si një diktator mposht kryengritjen e qytetarëve në vendin e tij, do të ishte katastrofale. Bashkësia ndërkombëtare duhej të dëshmonte, se solidariteti i saj me lëvizjet për liri në botën arabe nuk është vetëm me fjalë. Ajo u konfrontua me dy opcione morale mjaft problematike dhe duhej të vendoste nën një presion të jashtëzakonshëm kohe.

Duhej më shumë prani e botës arabe në misionin kundër Gaddafit

Sidoqoftë është e rrezikshme, që SHBA, Franca dhe Britania e Madhe përkundër të gjitha përbetimeve nuk insistuan sa duhet për një prani më të dukshme të vendeve arabe. Liga Arabe kërkoi me mjaft insistim krijimin e një zone ndalim fluturimesh dhe tani emirati i vogël i Gjirit, Katari ka nisur pjesëmarrjen ushtarake, Por ajo që të bie në sy është fakti, se të gjitha fijet e rëndësishme të komandës po kalojnë në hemisferën perëndimore, ndërkohë që udhëheqësit e shteteve arabe deri tani kanë mundur të shmangen me sukses ndaj çdo përgjegjësie.

Deutsche Welle Rainer Sollich

Gazetari i DW-së Rainer Sollich

Këtu qëndron një rrezik i jashtëzakonshëm për legjitimitetin e kësaj ndërhyrjeje në të gjithë rajonin. Krahasuar me ndërhyrjet ushtarake në Irak dhe në Afganistan ndërhyrja në Libi vërtetë ka tani më shumë akceptancën e botës arabe: Shumë njerëz solidarizohen me rebelët dhe luftën e tyre kundër Al-Gadafit. Por kjo atmosferë shumë shpejt mund të ndryshojë, në qoftë se në YouTube apo në kanalet e mëdha televizive do të shfaqen gjithnjë e më shumë pamje me civilë të vrarë prej sulmeve të SHBA-së.

Liga Arabe ndërkohë ka shprehur kritikë ndaj qëndrimit perëndimor, por këtë e bën pa treguar alternativa. Kjo është një shenjë alarmuese: Indinjata, që po shprehin prej muajsh popujt arabë ndaj regjimeve të veta, shpejt mund të ndryshojë duke u kthyer në një qëndrim anti-perëndimor. Kjo do t' u vinte për mbarë sundimtarëve që ndodhen nën presion.

Autor: Rainer Sollich

Redaktoi: Lindita Arapi

  • Data 21.03.2011
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/10d3T
  • Data 21.03.2011
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/10d3T