1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Shmanget marshimi i neonazistëve në Pragë

Pavarësisht ndalimit prej gjykatës ekstremistë të djathtë dhe neonazistë u përpoqën dje të marshonin në ish-lagjen hebreje të kryeqytetit çek.

default

Pjesëmarrës në një marshim neonazist.

Prania policore masive dhe kundër-demonstrues të shumtë e penguan marshimin e planifikuar nga të djathtët në përvjetorin e pogromeve të vitit 1938 në Gjermani. Edhe një grup neonazistësh gjermanë u përpoq të merrte pjesë në marshim. Politikanë udhëheqës dhe disa mijëra qytetarë morrën pjesë në kundër-tubime.

Helikopterë të policisë në ajër, disa qindra policë me autoblinda dhe autopompa - pjesa e vjetër e qytetit të Pragësnë gjendje shtetrrethimi. Por Pavel Bém, kryebashkiaku është i kënaqur.

'Deri në këtë çast neonazistët nuk ia kanë dalë të vijnë në qendrën historike.'

Neonazistët nga Çekia, Gjermania dhe Sllovakia nuk e arritën synimin. Disa qindra ekstremistë çekë u ndaluan jashtë perimetrit të pjesës së vjetër të qytetit, pati disa të plagosur dhe shumë arrestime. Tre autobusë me neonazistë gjermanë u shoqëruan që në kufi nga automjete policore, në këtë mënyrë u pengua pjesëmarrja në veprimtari. Prej disa ditësh gjykatat e kishin shpallur të paligjshme demonstratën e planifikuar, por një grup çek me emrin Nacionaldemokratët e Rinj kishte bërë thirrje në internet për ta injoruar ndalimin.

Marshimi do të zhvillohej në lagjen e vjetër hebreje të Pragës, gjoja do të demonstrohej kundër pranisë ushtarake çeke në Irak. Por në përgjithësi kjo u vlerësua si pretekst. Do të ishte një provokim, thotë kryetari i bashkësisë hebreje të Pragës, Leo Pavlat.

'Dita e sotme, 69 vjet pas natës së xhamave të thyer, ka një kontekst shumë të hidhur në Pragë. Sepse këtu ishin planifikuar provokime nga ana e neonazistëve. E mira është që janë grumbulluar shumë njerëz që thonë qartë se jo vetëm që nuk duan të kenë të bëjnë me neonazistët, por e konsiderojnë këtë si diçka që nuk duhet të ketë vend në këtë shoqëri.'

Vërtet: Në vend të neonazistëve qendra e Pragës ishte mbushur me mijëra kundër-demonstrues, pati disa mitingje dhe në shenjë solidariteti shumë pjesëmarrës mbanin yje të verdhë hebrenjsh.

'Kjo është detyra ime morale, detyra ime si qytetare. Nëse nuk jemi ne kundër, atëherë kush? Kjo është pikëpamja jonë, jemi këtu dhe nuk kemi frikë. Dhe në rast se ndodh gjë, atëherë do t'i mbështesim hebrenjtë.'

Organizata hebreje kishin bërë thirrje për të organizuar njëfarë vetëmbrojtjeje qytetare kundër neonazistëve. Por prania policore masive e bëri të panevojshme këtë. Ajo që mbeti ishte solidariteti - për shoqërinë çeke njëfarë dëftese pjekurie, thotë politikani konservator Tomas Töpfer.

'Jam i kënaqur që kanë ardhur kaq shumë njerëz. Ky solidaritet më ka bërë përshtypje. Jam i bindur që njerëzit kanë mësuar që ngjarje si ato të vitit 1938 nuk lejohen. Ata nuk janë më indiferentë, sepse kanë ardhur në numër të madh.'

Megjithatë njëri nuk ka ardhur qëllimisht - megjithëse edhe ai është kundërshtar i shpallur i marshimit të neonazistëve: ministri i jashtëm çek Karel Schwarzenberg. Pak para aktivitetit ai tha: 'Nuk duhet t'i kushtojmë shumë vëmendje. Pasi kjo është ajo që duan ata: që për këtë të shkruhet.'

  • Data 11.11.2007
  • Autor Peter Hornung
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/CAEg
  • Data 11.11.2007
  • Autor Peter Hornung
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/CAEg