1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Shkupjanët e vlerësojnë si integruese veprën e Nënë Terezës

100 vjetori i Nënë Terezës është shënuar me manifestime të shumta në vendlindjen e saj në Shkup. Përmes aktiviteteve shkencore, mbledhjeve solemne dhe ekspozitave është kujtuar vepra e Nënë Terezës.

Motra të Urdhrit të Nënë Terezës pranë Monumentit të Nënë Terezës në Shkup

Motra të Urdhrit të Nënë Terezës pranë Monumentit të Nënë Terezës në Shkup

Me rastin e 100 vjetorit të lindjes së Nënë Terezës, në vendlindjen e saj në Shkup janë organizuar një sërë manifestimesh në të cilat është rikujtuar vepra madhështore e humanistes, nobelistes shqiptare Gonxhe Bojaxhiu- Nënë Tereza. Kryetari i asociacionit “Shkupjania Nënë Tereza”, Stojan Trençevski thotë se ky jubile është rast i mirë që të ndihen parimet e veprës së humanistes së madhe shkupjane.

“Si shkupjania më e njohur në botë, ajo i takon gjithë njerëzimit, andaj vepra e saj ndihet lirshëm, të bën krenar. Duke qenë ajo shkupjane, atë e ndiejnë si të vetën të gjitha religjionet që bashkëjetojnë në Shkup,” thotë Trençevski.

Vepra e Nënë Terezës ka një domethënie të veçantë për të gjithë qytetarët e Maqedonisë, thotë Vllado Dimovski nga Qendra për tolerancë ndëretnike.

“Vetë emri i Nënë Terezës do të thotë afrim i popujve që jetojnë në Maqedoni, ajo është sinonim i tolerancës, mirësisë dhe humanitetit,” shprehet Dimovski.

Nënë Tereza - shpresë për gjeneratat

Në Institutin për Trashëgimi Kulturore me rastin e 100 vjetorit të lindjes së Nënë Terezës është mbajtur një tribunë shkencore, ku është folur për veprën e figurës madhore, që nderon tërë njerëzimin.

“Ne bashkëqytetarët e saj krenohemi që në këtë vend lindi një figurë, që do të jetë krenari jo vetëm e shqiptarëve, por do të jetë shpresë edhe për të gjitha gjeneratat, që kanë nevojë më së shumti për të,” shprehet Abdylaqim Ademi zëvendëskryeministër i Maqedonisë.

“Nënë Tereza - nëna e të varfërve” është titulluar ekspozita e fotografit kroat Zvonimir Atletiç. Hapja e ekspozitës në vendlindjen e Nënë Terezës është një emocion i veçant për të.

Krenari për prejardhjen shqiptare

Ajo gjithmonë ka ruajtur kujtimet për vendin nga e ka pasur prejardhjen dhe është krenuar me atë që është shqiptare, çdoherë e ka potencuar këtë fakt,” thotë fotografi Zvonimir Atletiç.

Piktori shqiptar, Miftar Memeti me rastin e jubileut ka sjellë përmes 100 pikturave të gjitha fazat e jetës së bamirëses shqiptare nga fëmijëria deri në Lumturimin e saj, duke krijuar imazhin e një tabloje të vetme të shenjtores së të varfërve.

“Duke dashur të tregoj dashurinë e nënës sime, unë nuk kam gjetur figurë më të madhe se Nënë Tereza, prandaj do t'i përkushtohem këtij portreti, kësaj figure derisa të mundem,” thotë piktori Miftar Memeti.

Me rastin e 100 vjetorit të lindjes së Nënë Terezës, Parlamenti i Maqedonisë ka mbajtur një seancë solemne.


Autor: Fatos Musliu/Shkup

Redaktoi: Auron Dodi

  • Data 26.08.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/Owr5
  • Data 26.08.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/Owr5