1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Shkupi optimist mbi çështjen e emrit nga fitorja e Syrizas

Fitorja e "Syrizas" në Greqi dhe formimi i qeverisë së re kryesuar nga Aleksis Tsipras, ngjall optimizëm në disa qarqe politike në Maqedoni, se negociatat për zgjidhjen e çështjes së emrit mund të avancojnë më shpejt.

Ministri i Punëve të Jashtme i Maqedonisë Nikolla Popovski, shpreson se me kabinetin e ri qeverisës në Athinë do të përshpejtohet dialogu në negociatat për çështjen e emrit. “ Nuk dua të spekuloj në lidhje me formën apo qëndrimin lidhur me këtë çështje nga qeveria e ardhshhme greke. Ajo që është e rëndësishme dhe që dua ta theksoj është, se nga Maqedonia ka një përkushtim maksimal për ndërtimin e një mardhënieje të hapur dhe konstruktive mes dy vendeve. Ne këtë përkushtim dhe energji do ta bëjmë me cilëndo qeveri në Greqi, pasi është në interesin tonë të zgjidhet çështja e emrit”, shprehet Nikolla Popovski.

A do të tejkalohen stereoptipet në negociatat për emrin?

Ndryshimi i skenës politike në Greqi dhe fitorja e Syrizas, mund të ofrojë një impluls të ri në bisedimet reth emrit thotë analisti Ismet Ramadani. “Vlerësoj se edhe Tsipras do ta respektojë vijën e kuqe të strategjisë greke rreth çështjes së emrit, por kryeministri i ri lë të shpresosh se mund të dalë nga stereotipet e politikës së deritanishme greke dhe se do të jetë i gatshëm të zhvillojë bisedime të drejtpërdrejta me Shkupin”, thotë Ramadani .

Profesori universitar Ylber Sela thotë se pa një presion nga faktori ndërkombëtar, vështirë se palët mund të lëvizin nga pozicionet e njohura në negociatat për çështjen e emrit. “Edhe pse fitorja e Syrizas ka tronditur pritshmëritë e Ballkanit, besoj se qeveria e re greke do të luajë një rol të ri në rethanat gjeopolitike të Ballkanit. Por forcat e reja në Greqi pa ndonjë presion ndërkombëtar, nuk besoj se do të kenë prioritet zgjidhjen e çështjes së emrit”, shprehet Sela.

Nikovski: Çështja e emrit jashtë prioriteteve greke

Ish-ambasadori i Maqedonisë në NATO, Risto Nikovski, thotë se kryeministri i ri grek Alexis Tsipras njihet për qëndrimet e tij edhe më radikale se të ish-liderëve të tjerë grekë për çështjen e emrit. Grekët kanë një konsensus të fortë për çështjen e emrit dhe jo vetëm kaq, por Aleksis Tsipras si politikan opozitar, kishte një qëndrim shumë më radikal kundrej Maqedonisë, thotë Nikovski. “Fitorja e Tsipras shkaktoi një tërmet në Europë, politika greke ka paralajmëruar se do të ndryshojë raportin me BE-në, FMN-në dhe NATO-n . Dhe në një situatë të tillë të turbullt, liderit të Syrizas jo vetëm që nuk do t'i bjerë ndrëmend çështja e emrit me Maqedoninë, por vlerësoj se as BE-ja nuk do të kërkojë diçka nga ai lidhur me kontestin rreth emrit”, shprehet ish-ambasadori Risto Nikovski.

Njohësi i çështjeve ndërkombëtare Alajdin Demiri vlerëson se ndryshimi i pushtetit në Greqi ndoshta mund të sjellë ndryshime edhe në raporte me Maqedoninë, por vetëm sa i përket fillimit të negociatave. “Tsipras është më fleksibil në raport me paraardhësit e tij, por ai ka qenë fleksibilitet opozitar. Tani si kryeministër nuk besoj se do të jetë edhe aq fleksibil, për arsye se pozicionimi tani është më i rënduar, zgjidhja e krizës ekonomike është prioritet mbi prioritetet ndërsa politika e jashtme, ku bënë pjesë edhe çështja e emrit, është prioritet i dorës së dytë. Por te ky politikan shoh një minimum shprese se ai do të mund të fillojë negociatat e drejtpërdrejta me Shkupin për çështjen e emrit”, thotë Demiri

Jo vetëm Athina por edhe Shkupi duhet të tregojë gatishmëri

Bojan Mariçiç nga Qendra Maqedonase për Edukim Europian thotë, se qëndrimet më fleksibile dhe sinjalet pozitive që në të kaluarën kanë ardhur nga Syriza, lenë hapësirë për optimizëm. Lëvizje pozitive mund të ketë nga pala greke, megjithëse edhe pala maqedonase duhet të tregojë gadishmëri më serioze për zgjidhjen e kontestit të emrit. “Nëse Syriza dëshiron të negociojë si parti në pushtet në Greqi, ajo duhet të gjejë partner serioz në palën maqedonase. Nëse kjo është e mundur, e deri tani ishte thuajse e pamundur, pra nuk është çështja nëse Syriza dëshiron ta zgjidhë çështjen e emrit, por nëse këtë çështje dëshiron ta zgjidhë qeveria maqedonase dhe në çfarë mënyre”, shprehet Mariçiç.

Syriza me në krye Tsipras viteve të kaluara ka qenë pjesë e së ashtuquajturës 'vijë e kuqe greke' në strategjinë për zgjidhjen e çështjes së emrit. Duke pasur parasysh këtë fakt është iluzionn të shpresohet se Tsipras do të kalojë Rubikonin e politikës greke, thotë profesori i universitetit Stevo Pendarovski. “Syriza do t'i japë prioritet çështjeve ekonomike, bisedimeve për kursimet, këto ishin premtimet parazgjedhore, çështja e emrit pothuajse fare aspak nuk është përmendur në fushatën parazgjedhore të Syrizas. Ndaj nuk duhet të jemi optimist se qeveria e re greke do t'i japë ndonjë impuls të ri negociatave për emrin", shprehet Pendarovski

Marrë në përgjithësi, analistët politikë në Maqedoni vlerësojnë se Shkupi duhet ta shfrytëzojë këtë moment politik të ndërrimit të qeverisë greke dhe të shfrytëzojë të gjitha përparësitë që mund të dalin nga kryeministri Tsipras që të zgjidhë një herë e përgjithmonë kontestin e emrit, i cili është bërë pengesa kryesore dhe e vetme për antarësimin e Maqedonisë në NATO dhe BE.