1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Shkupi ngurron edhe më tej të vendosë marrëdhënie diplomatike me Kosovën

Politika zyrtare e Maqedonisë nuk jep hollësi për zvarritjen e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis Shkupit dhe Prishtinës. Analistët këtë e shpjegojnë me dëshirën për të balancuar marrëdhëniet me Serbinë

Ne foto: Ulica Makedonija, Shkup. Shkupi i lë kohë vetes për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike me Kosovën

Shkupi i lë kohë vetes për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike me Kosovën

Qeveria e Maqedonisë: vendosja e marrëdhënieve diplomatike me Kosovën do të bëhet në momentin më të përshtatshëm

Edhe pas shtatë muajve prej njohjes së pavarësisë së Kosovës nga ana e Maqedonisë, marrëdhëniet diplomatike midis Shkupit dhe Prishtinës ende nuk janë vendosur. Në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Maqedonisë zvarritja e emërimit të ambasadorit dhe hapjes së selisë diplomatike në Prishtinë sqarohet me një refren tani më të përsëritur disa herë, se vendosja e marrëdhënieve diplomatike do të bëhet në momentin më të përshtatshëm. Ky qëndrim nuk është zbërthyer asnjë herë deri në fund, apo e thënë më mirë se çka nënkupton momenti i përshtatshëm. Analistët politikë vlerësojnë se përzgjatja e procesit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis Maqedonisë dhe Kosovës mund të shkaktojë reagime negative tek subjektet politike shqiptare në vend si dhe ngecje në marrëdhëniet ekonomike. Analistët shkojnë edhe më tej, duke vlerësuar se mungesa e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike është një tentim i autoriteteve të Maqedonisë në favor të normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë.

“Mosvendosja e marrëdhënieve diplomatike është tentim për balancim dhe për t'i kënaqur deri diku dëshirat e Prishtinës dhe Beogradit. Maqedonia e njohu Kosovën si shtet, megjithatë duhet të pritet rreth vendosjes së marrëdhënive diplomatike, por edhe të shihet se sa shtete do ta njohin Kosovën”, vlerëson politikologu Ilija Talev.

Analisti Albert Musliu thotë se politikbërja e jshtme e Maqedonisë duhet të fokusohet në mbylljen sa më të shpejtë të çështjes së marrëdhënive diplomatike me Kosovën. Sipas tij nuk bëhet fjalë vetëm për balancim të politikave të Shkupit karshi Beogradit, por këtu kemi të bëjmë edhe me problemin se me cilin emër do ta njohë Kosova Maqedoninë.

''Kosova nuk insiston shumë që mardhëniet diplomatike të ngrihen në nivel të ambasadorëve, edhe pse kemi disa iniciativa më shumë nga ana e intelektualëve dhe mediave, sesa nga qeveria e Kosovës. Nga ana tjetër Maqedonia nuk insiston shumë që Kosova ta pranojë me emrin kushtetues edhe pse në Maqedoni ka pasur disa vërejtje nga intelektualë dhe analistë që të ndodhë kjo''.

Analisti Hristov: absurd që të ftohet Presidenti Sejdiu në Shkup kur nuk janë vendosur marrëdhëniet diplomatike me Kosovën

Analisti Bobi Hristov e vlerëson si absurd faktin që të ftohet Presidenti Sejdiu ta vizitojë Maqedoninë në një periudhë kur nuk janë vendosur marrëdhëniet diplomatike me Kosovën. Presidenti Sejdiu ka marrë ftesë për të vizituar Shkupin më 28 Maj, dhe do të jetë presidenti i parë i një shteti të huaj që do ta takojë presidentin e ri të Maqedonisë, Gjorgje Ivanov.

‘'Nëse zbatohet protokoli standard me ngritjen e flamurit kosovar dhe me intonimin e himnit kosovar, absurditeti i mosvendosjes së marrëdhënieve diplomatike bëhet edhe më i madh,'' thotë Bobi Hristov.

Kritika për funksionimin e Zyrës Ndërlidhëse të Maqedonisë në Prishtinë

Mosvendojsa e marrëdhënieve diplomatike mes Maqedonisë dhe Kosovës në periudha të caktuara ka rezultuar me ftohje të marrëdhënieve midis partnerëve të koalicionit qeveritar BDI dhe VMRO-DPMNE. Subjektet politike shqiptare në Maqedoni me aklamacion janë deklaruar se janë për pavarësinë dhe marrëdhënie të mira me Kosovën. Çdo zvarritje e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis Shkupit dhe Prishtinës për ta do të jetë e pa justifikueshme.

Aktualisht në Kosovë funksionon Zyra ndërlidhëse e Maqedonisë, e cila në hierarkinë e përfaqësimit diplomatik radhitet dy shkallë nën nivelin e ambasadës. Për funksionimin e deritanishëm të Zyrës së Maqedonisë në Prishtinë janë shprehur kritika, si nga subjektet politike, poashtu edhe nga përfaqësues ekonomikë nga vendi.


Autor: Fatos Musliu/ Shkup

Redaktoi: Auron Dodi



  • Data 18.05.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/Hsls
  • Data 18.05.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/Hsls