1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Shkup-Athinë: Raund i ri i bisedimeve për emrin

Pas një pauze katërmujore, në Nju Jork ka rifilluar dialogu midis Shkupit dhe Athinës për çështjen e emrit me ndërmjetësim të Kombeve të Bashkuara.

Nikola Poposki

Nikolla Poposki, ministri i Jashtëm i Maqedonisë

Matthew Nimetz, ndërmjetësuesi i OKB-së për çështjen e emrit në takime të ndara është takuar me ambasadorin e Maqedonisë në Nju Jork ,Vasko Naumovski dhe atë grek Adamantios Vasilakis.

Koinçidencë apo porosi diplomatike? Në të njëjtën ditë në Nju Jork fillon raundi i ri për çështjen e emrit, ndërsa në Bruksel takimi i parë tet-a-tet i eurokomisionerit për zgjerim Johannes Hahn dhe shefit të diplomacisë maqedonase Nikolla Popovski. “Ekziston një iniciativë e Kombeve të Bashkuara, por pas 20 vjetësh, moszgjidhje të kontestit për emrin, ndoshta do të duhej të shohim nëse është e mundur një qasje ndryshe”, është shprehur eurokomisioneri për zgjerimin, Johannes Hahn. Sipas tij moszgjidhja e çështjes së emrit ndikon edhe në integrimin e mëtejshëm të vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian.

“Në Athinë për momentin nuk ekziston dëshira për dialog, andaj edhe nuk pres që së shpejti të gjendet ndonjë zgjidhje për çështjen e emrit. Do të kisha dashur të jem në atë gjendje dhe të them se i kemi kaluar kontestimet, por gjendja reale në terren më detyron të jem shumë i vëmëndshëm në dhënien e vlerësimeve”, shprehet Nikolla Popovski , ministër i Punëve të Jashtme i Maqedonisë.

Johannes Hahn

Johannes Hahn, komisioneri i BE-së për zgjerimin

Lee: SHBA e gatshme të ndihmojë procesin

Zëvendës-ndihmës sekretari amerikan i Shtetit, Brian Lee, në prag të fillimit të negociatave të reja për çështjen e emrit në Nju Jork, ka thënë se zgjidhja e kontestit të emrit është e mundur me asistencën e Matthew Nimetz. Për Ballkanin Perëndimor, për Europën e para së gjithash për Maqedoninë është me rëndësi të gjendet zgjidhja për problemin me emrin, pas saj vendi do të mund të integrohet në BE dhe NATO. Por nuk është gjithçka në dorën e njërës apo palës tjetër. Shkupit dhe Athinës u ngelet që të kenë fleksibilitetin e nevojshëm për të arritur kompromis. Me asistencë të Matthew Nimetz, i cili ka detyrë nga OKB, besoj se zgjidhja është e mundur dhe ne do ta mbështesim aq sa mundemi”, ka deklaruar Brian Lee.

Bisedimet në fazë kritike

Para fillimit të raundit të ri të bisedimeve dhe pas Samitit të Berlinit të kryeministrave nga rajoni, në Shkup u zhvillua një “shuttle diplomacy” -strategjia e ecejakave diplomatike, ku u përfshinë në bisedime autoritetet më të larta të vendit dhe përfaqësues të partive politike për të gjetur ndonjë modalitet për zgjidhjen e çështjes së emrit. Por sipas analistëve vendas edhe presioni ndërkombëtar nuk po jep rezultatet e pritura për zgjidhjen e çështjes së emrit. “Bisedimet po hyjnë në një fazë kritike për shumë arsye. Përveç që vihet në pikëpyetje çështja e stabilitetit të brendshëm, kohëve të fundit shtrohet pyetja edhe e kredibilitetit të Kombeve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian", thekson profesori për marrëdhënie ndërkombëtare, Mersel Bilalli. Sipas tij presioni është shumë i fuqishëm nga jashtë, sidomos nga Berlini dhe Brukseli. Bilalli shpreson që gjatë "dy muajve të ardhshëm do të ketë një hap konkret në drejtim të zgjidhjes së çështjes së emrit”.

Matthew Nimetz

Ndërmjetësuesi i OKB-së për çështjen e emrit, Matthew Nimetz

Ruzhin: Dialogu të zhvillohet në nivel kryeministrash

Ish-ambasadori i Maqedonisë në NATO, Nano Ruzhin thotë se bisedimet për çështjen e emrit po zhvillohen me moton “merremi vesh se nuk jemi marrë vesh”. Sipas Nano Ruzhin “po fitohet bindja se takimet po zhvillohen më shumë që të plotësohen formalitete të ndryshme, por jo që të gjendet zgjidhja e vërtetë. Negociuesit e vërtetë për çështjen e emrit nuk duhet të jenë në nivel ambasadorësh, por të dy kryeministrave të vendeve. Derisa nuk bëhet një takim i tillë, vlerësoj se do të jenë të kota të gjitha përpjekjet e mëtejme".

Ende nuk dihet nëse ndërmjetësi i OKB-së Matthew Nimetz në tryezën e bisedimeve do të japë ndonjë propozim të ri për zgjidhjen e emrit. Mediat në Maqedoni kanë sugjeruar ditëve të fundit se propozimi i mundshëm për çështjen e emrit mund të jetë “Republika e Epërme e Maqedonisë “.

Sipas profesorit Toni Deskovski, i cili si ekspert ka mbrojtur argumentet juridike të Maqedonisë para Gjykatës Ndërkombëtare për Drejtësisë në Hagë, thotë se propozimi i emrit “Republika e Epërme e Maqedonisë”, nuk do ta detyrojë Maqedoninë për ndryshime kushtetuese, si dhe nuk do ta rrezikojë identitetin e qytetarëve të Maqedonisë. “Ne duhet të bisedojmë vetëm për çështjen e emrit të shtetit, dhe nuk ka nevojë të hapim çështjen e emrit për gjuhën tonë apo identitetin. Çështja është shumë më e ndërlikuar, andaj edhe zgjidhja nuk po mund të gjendet edhe pas 20 vite negociatash” shprehet Deskovski.

Ndërsa analisti Zhidas Daskallovski, thotë se çdo shtyrje e zgjidhjes së çështjes së emrit, de fakto do të thotë edhe shtyrje e pranimit të Maqedonisë në NATO dhe BE. Në këtë periudhë, sipas tij ekziston rreziku i kthesës dramatike të raporteve ku ndikim në Maqedoni mund të ketë më shumë Rusia se sa BE dhe SHBA. Ai vëren me shqetësim se Maqedonia për momentin nuk është në prioritetet e axhendës së BE-së”.