1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Shkrirje akujsh në Moskë?

Mijëra vetë u lejuan të protestojnë kundër qeverisë në Rusi, kritiku i Kremlimit, Dadin u la i lirë, opozitari Navalny vazhdon fushatën zgjedhore. Po ndryshon kurs Putini? Nuk ka shkrirje akujsh, analizon Juri Rescheto.

Mijëra vetë protestuan në sheshin Pushkin me kërkesën "Rusia pa Putinin”, të dielën e shkuar (26.02) Një kërkesë që për orë me radhë u dëgjua në kryeqytetin rus. Në marshin përkujtimor për Boris Nemcov, kritikun e Kremlinit të vrarë para dy vitesh, një grup njerëzish bërtiste me parulla si "Duart larg nga tatarët e Krimesë”. Policia ndiqte me sy protestën, asnjë ndërhyrje. Skena të njëjta u panë edhe në Shën Peterburg, Nishni Novgorod, Novosibirsk. Askush nuk u arrestua. Askush nuk u tërhoq zvarrë.

Në Siberi, Barnaul në të njëjtën kohë u lirua Ildar Dadin. I burgosuri i parë politik, që vuajti për një një vit e gjysmë burgun pas shkeljes së rregullores për mitingjet publike. Autoritetet në fund u shprehën, se ai qëndroi pa të drejtë në burg. Dadin madje pret për dëmshpërblim moral dhe material. Ai do të luftojë për të drejtat e të burgosurve e kundër torturës në burgje.

Në Sverdlovsk, Ural po fundjavën që sapo përfundoi. Politikani opozitar, Alexej Navalny vazhdon fushatën zgjedhire. Ai hapi shtabin e tretë zgjedhor, i rrethuar nga të rinjt, Navalny, i cili e quan Kremlinin "një grup të vogël miqsh mafiozë, që jetojnë si sheikë dhe mbretër", dëshiron të jetë president i Rusisë vitin e ardhshëm, dëshiron të luftojë kundër kësaj mafieje. Askush nuk mund të më ndalë, thotë Navalny.

Ngrica dhe i ftohti mbeten

Si mund të quhen këto sinjale? Rastësi apo po vjen pranvera politike në Rusi që në shkurt 2017? Aspak. Ngrica dhe i ftohti mbeten. Demonstrata në kujtim të Nemcovit nuk u lejua të kalojë në vendin, ku u vra opozitari rus, pranë një ure që të çon tek Sheshi i Kuq. Afërsia me Kremlinin duket shqetësuese për autoritetet. Uniformat shkatërruan përgatitjet përkujtimore në urë. Një vend, ku gjatë ditës njerëzit vazhdojnë të vendosin lule.

Rescheto Juri Kommentarbild App

Juri Rescheto

Dadin u lirua, sepse drejtësia pranoi hapur se ka bërë gabime. Gabime në procedurë, jo gabime ligjore. Ligji vazhdon të jetë në fuqi, edhe më tej rusët i kërcënojnë prangat, nëse protestojnë kundër sistemit të Putinit. Ndërsa për sa i përket Navalnyt, mbetet të shihet, se sa liri lëvizjeje do t'i lejohet politikanit opozitar. Kremlini ende nuk është pozicionuar qartë për këtë rast. Luftëtari kundër korrupsionit ende kërkon të luftojë për të drejtën e tij kushtetuese, megjithë dënimin që i është bërë për krim ekonomik. Ende. Sepse mjafton një shkak sado i vogël që ai të përfundojë sërish pas hekurave. Ky do të ishte edhe fundi i fushatës zgjedhore të Navalnyt.

Ruajtje e fasadës

Për krerët atje lart është më pak e kushtueshme të lejojnë të marshojnë paqësisht disa mijëra vetë e të protestojnë kundër njërës nga vrasjet më të paturpta politike të kohëve të fundit. Më pak e kushtueshme se sa shpërndarja me dhunë e protestuesve dhe forcimi i imazhit të një shteti policor. Duket më pak e kushtueshme të lirohet një opozitar, pas një viti e gjysmë burg, një rast që pushtoi mediat botërore, një njeri që vuajti torturën. Më pak e kushtueshme se vazhdimi i torturës dhe sehiri i botës për gjendjen e tmerrshme njerëzore në burgjet ruse.

Pra më pak e kushtueshme se arrestimi i menjëhershëm duket ruajtja e fasadës së demokracisë dhe tolerimi i të vetmit opozitar të vërtetë si kandidat për president. Por të gjitha këto vetëm për momentin.

 

Ju mund të jepni opinionin Tuaj në fund të artikullit. Ne ju mirëpresim!