1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Shkrimtar i famshëm satirik: 125 vjetori i lindjes së Kurt Tucholskyt

Kurt Tucholsky një institucion si gazetar dhe kritik i Republikës së Vajmarit. Shkrimet e tij i sollën atij shumë shqetësime, deri në kërcënime me vrasje. Ditëlindja e tij e 125-të kujton paralele me kohën e sotme.

Si kritik i mprehtë i shoqërisë shkrimtari Kurt Tucholsky bëri shpejt emër në Republikën e Vajmarit. Si pacifist dhe demokrat i majtë, siç e quante veten ai, ai shkroi artikuj, ese, krahas tyre romane dhe më shumë satira politike të mprehta. Gazeta "Weltbühne" ishte organi i preferuar i tij, një periudhë kohe ai ishte edhe botues i saj. "Ai ishte një ndër gazetarët që paguhej më mirë të kohës së Vajmarit", thotë Rolf Holsfeld, i cili ka shkruar një biografi që të tërheq vëmendjen për intelektualin militant. "Ai ka shkruar jashtëzakonisht shumë. Dhe ishte dikush që ishte i pranishëm në shumë medie. Në kohën e tij ai ishte një yll, për ta shprehur kështu."

Rruga e tij biografike si dëshmitar kritik i kohës, i cili e shihte veten në traditën e Heinrich Heines që emigroi në Francë, ka paralele tronditëse me ngjarjet aktuale në Paris: "Atë e kërcënuan, para së gjithash për shkak të artikullit të tij "Sheshi i rrethuar i betejës", në të cilin gjendet fjalia e njohur "Ushtarët janë vrasës", tregon Hosfeld. "Atëherë ai ndodhej në Suedi dhe preferoi të mos kthehej në Gjermani, sepse druhej se mund ta vrisnin në rrugë, ose mund t'i ndodhte gjë tjetër."

Frymëzimet

Modelet që e frymëzonin Kurt Tucholsky i kishte para së gjithash në Francë, tregon biografi i tij Rolf Hosfeld. "Ishin satirat kundër luftës, ishin në njëfarë mënyre edhe chanson-etat provokuese të francezëve. Kjo traditë franceze e humorit, e ironisë, e satirës, kjo ishte ajo që e krijoi stilin e tij."

Koalition der freien Szene Berlin - Kurt Tucholsky Geburtshaus

Shtëpia e lindjes së Kurt Tucholskyt në Berlin

Dashuria e tij për kulturën franceze u zgjua dhe u nxit herët. Kurt Tucholsky lindi më 9 janar 1890 në një shtëpi hebreje në Berlin-Moabit. Babai i tij ishte drejtor banke dhe i kushtonte rëndësi shkollimit të mirë. Përpjekjet e para për të shkruar të Tucholskyt i kemi në vitin 1907 në "Ulk", në fletët satirike që shoqëronin "Berliner Tagblatt". Në fillim ai u përpoq të studionte drejtësi, por njëkohësisht nisi të shkruante artikujt e parë gazetareskë për revistën socialdemokrate "Përpara".

Me talent të spikatur për thelbësoren. "Ai kishte një raport qartësisht konstruktiv me demokracinë e Vajmarit, edhe nëse kjo nuk konstatohet gjithmonë në artikujt e tij. Ata janë të mprehtë, por për sa i përket problemit ai ka qenë gjithmonë i qartë", thotë biografi Hossfeld. Tucholsky fliste rrjedhshëm frëngjisht dhe pati ndjekur gjimnazin francez në Berlin.

Me romanin e tij të parë "Rheinsberg. Një album për të dashuruarit", Kurt Tucholsky bëhet i njohur si shkrimtar. Ky libër kthehet në fillim të viteve '30 në Bestseller-in më të shitur. "Nuk dihet se çdo të qe bërë me të po të mos kishte ndodhur Lufta e Parë Botërore", thotë Hosfeld. Përjetimet e tij si ushtar në frontin e Lindjes duhet të kenë qenë traumatike për Tucholsky-n.

"Traumatik qe për të kolapsi i civilizimit. Dhe para së gjithash paaftësia - para së gjithash në Gjermani- për ta rivlerësuar këtë luftë dhe për të kaluar nga mentaliteti militarist sërish në mentalitetin e civilizuar. Ajo që ai e ka quajtur gjithmonë militarizmin në mendjet e njerëzve."

Kthimi

I dëmtuar në mendje dhe me probleme shëndetësore Tucholsky kthehet në vitin 1918 në Berlin. Nga komuniteti hebre ai kishte dalë që para Luftës, në vitin 1918 ai pagëzohet në fenë evangjeliste. USPD socialdemokrate bëhet atdheu i tij. Ai shkruan chanson-eta, lirikë provokuese, kritikë muzikore dhe shumë gjëra kritike për kulturën në "Weltbühne" dhe në gazetat e Berlinit. Por rrymat politike i ka në fokus. "Ai ishte dikush që kishte një gjykim shumë të mprehtë për antisemitizmin që po zhvillohej me shpejtësi. Dhe këtu bënte pjesë edhe një formë e caktuar e kulturës berlineze-hebreje, për të cilën është kujdesur edhe ai", shton Hosfeld.

Në vitin 1924 Tucholsky shkon për dy vjet si korrespondent i kulturës në Paris, në fillim me eufori të madhe për mënyrën e çlirët të jetesës së francezëve. Por ai përmendet shpejt, klima e përgjithshme politike në Evropë e prek rëndë. "Ai vuri re shpejt se edhe Franca nuk është vend pa kontradikta. Edhe në Francë kishte gjëra, për të cilat mund të revoltoheshe ngjashëm si në Gjermani. Edhe në Francë kishte lëvizje fashiste, kishte edhe antisemitizëm."

Kurt Tucholsky und Lisa Matthias

Kurt Tucholsky dhe Lisa Mathias në korrik 1929 në Gripsholm

Jashtë Gjermanisë

Në Berlin, publicisti tashmë i famshëm bëhet botues i gazetës "Weltbühne". Me artikujt e tij të qëlluar dhe shpesh me komente polemike ai krijon shpejt armiq në kampin e nacionalsocialistëve që po forcoheshin. Ndërkohë Tucholsky nuk i botonte të gjithë artikujt me emrin e tij, por me pseudonim. Emrin Ignaz Worbel ai e përdorte për pikëpamje politike të mprehta. "Ne jemi tradhtarë të atdheut. Por ne tradhëtojmë një shtet, të cilin e mohojmë, në emër të një vendi, të cilin e duam- për paqen dhe për një atdhe të vërtetë: Evropën", shkruan ai në vitin 1928.

Në vitin 1929 ai kthehet në Paris, në vitin 1930 shkon në emigrim në Suedi. Shkrimet e tij përfundojnë në vitin 1933 në turrën e druve të librave që digjnin nacionalsocialistët. Si armik i shtetit Tucholsky e pa veten në krye të listës së atyre që nazistët u hoqën nënshtetësinë. Pa atdhe dhe i copëtuar brenda vetes, analisti politik brilant dhe autori përjeton si e zgjerojnë pushtetin e tyre nazistët dhe si e neutralizojnë jetën kulturore në Rajhun e tretë.

Më 21 dhjetor 1935 Kurt Tucholsky vdes nga një mbidozë medikamentesh. Nëse kemi të bëjmë me vetëvrasje apo me një aksident, kjo nuk është sqaruar deri sot.