1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Shkenca duhet të ndjekë kriteret shkencore - Mbi diskutimet për Enciklopedinë maqedonase

Në Maqedoni është duke u diskutuar aktualisht mbi Enciklopedinë e parë të Akademisë maqedonase të Shkencave dhe Arteve, e cila i ka indinjuar shumë shqiptarët dhe ka shkaktuar reagime të shumta.

Konrad Clewing

Konrad Clewing, Zëvendësdrejtor i Institutit për Evropën Juglindore në Regensburg, ekspert për Ballkanin.

Në Enciklopedi thuhet se shqiptarët kanë ardhur gjithnjë e më shumë në Maqedoni në shekujt e 16 deri 18 dhe në Luftën e Dytë Botërore, duke spostuar popullsinë maqedonase. Përveç kësaj shqiptarët emërtohen arbanasë, arnaturë, shqiptarë, apo të ardhur nga malet.

Ndaj kësaj kanë reaguar jo vetëm partitë politike shqiptare dhe NGO-të në Maqedoni por edhe kryeminsitrat e Shqipërisë, Kosovës si dhe Ambasadat e Britanisë së Madhe dhe SHBA. Ndërkohë, kryetari i Akadamisë së shkencave të Maqedonisë deklaroi se Akademia do ta tërheqë Enciklopedinë dhe do ta korigjojë këtë pjesë duke e ribotuar atë. Zëvendësdrejtori i Institutit për Evropën Juglindore në Regensburg, eksperti për Ballkanin, dr Konrad Clewing jep këtë intervistë për Deutsche Wellen.

Deutsche Welle: Akademia maqedonase e Shkencave ka pranuar të bëjë korrigjimet e duhura për shqiptarët dhe historinë e tyre në Enciklopedinë e sapobotuar. Cilat janë sipas mendimit tuaj dobësitë më të mëdha të pjesës për shqiptarët, që shkaktuan protesta të mëdha?

Dr. Conrad Clewing : Dobësitë gjenden në mungesën e një argumentimi mbi baza shkencore dhe një pozicionim të përgjithshëm, të cilin dua ta shpreh me një citat nga "Gjurmime albanologjike". Aty thuhet: "Ndërkombëtarizimi i problemit të Kosovës dhe çështja shqiptare në përgjithësi bëjnë të nevojshme, që të shkruhet historia e Kosovës dhe Enciklopedia e Kosovës. Projekte këto, që do të shërbejnë si mjet i natyrshëm dhe efikas për njohjen e së vërtetës shqiptare në Kosovë edhe në sferën evropiane dhe botërore përgjithësisht." Besoj se ky ishte pikërisht problemi edhe në anën maqedonase. Pala maqedonase, apo hartuesit në Akademinë e Shkencave, janë përpjekur të paraqesin një të vertetë maqedonase, e cila mund të ekzistojë po aq pak nga këndvështrimi shkencor, sa ç' nuk mund të ekzistojë edhe një e vërtetë shqiptare. Shkenca duhet të ndjekë kriteret shkencore dhe jo të shpallë (proklamojë) të vërtetat shqiptare, apo maqedonase.

Deutsche Welle : Tani që duhet rishkruar pjesa e Enciklopedisë çfarë mendoni se duhet patur kujdes nga ana metodike? Ju si historian çfarë do t'u sugjeronit kolegëve maqedonas?

Dr. Conrad Clewing : Tani që është fjala për korigjim do të thoja që të mendohet më mirë terminologjia. Citatet, ne flasim këtu për citatet që qarkullojnë, librin nuk e ka parë askush, tregojnë se kritikohet fakti si emërtohen shqiptarët nga popujt fqinjë, psh shqiptar.

Deutsche Welle : A nuk duhet të çlirohet më në fund emërtimi shqiptar nga perceptimi si negativ, sepse ky është emërtimi, që i bëjnë fundja vetë vetes shqiptarët në Shqipëri?

Dr. Conrad Clewing : E drejtë. Por problemi vjen nga mënyra se si përdoret kjo fjalë, nqs ajo do thuhej pa koment, arbanasi, arnauti, shqiptari, këto janë fjalë për shqiptarët tek popujt fqinjë, e gjitha kjo është e vërtetë. Por duhet sqaruar, dhe kjo detyra e një enciklopedie, që t'i vendosë gjërat në kontekstin se fjala shqiptar në gojën e maqedonasve, apo serbëve ka një konotacion fyes, pexhorativ. Po të ishte shkruar kjo edhe në enciklopedi, nuk do të kishte asnjë shkak për lexuesit shqiptarë që të acaroheshin, sepse ky është një fakt. Kështu edhe në gjermanisht ekziston emërtimi polak për polakët, ky është emërtimi i polakëve për vetveten, por është një version fyes në gjuhen gjermane.

Deutsche Welle : Deri në ç'masë është e nevojshme mbështetja tek historia dhe ç` vlerë reale ka kërkimi dhe gjetja e fakteve historike për të sotmen?

Dr. Conrad Clewing : Historia ndikon tek raportet e sotme pjesërisht përmes vazhdimit të efektit të saj, por në rradhë të parë në mënyrën si ne e perceptojmë atë. Dhe këtu vetëm kërkimi i fakteve historike, apo më mirë shkëmbimi i interpretimeve historike ka me të vertetë vlerë. Sepse në këtë debat u pa shumë mirë se qëllimi është të pohohet në rrafshin simbolik, se mua dhe vetëm mua më takon e drejta të jem në vendin ku ndodhem. Formulimet, që citohen prej Enciklopedisë Maqedonase kanë ngjashmëri me atë shqiptare, sepse argumentimi shqiptar i Akademisë së Shkencave në Tiranë ishte siç dihet se gjuha jonë dëshmon se ne kemi qenë gjithmonë aty, ku jemi. Kjo është nga ana shkencore absurditet. Gjuha një herë nuk dëshmon se ke qenë, ku ndodhesh sot. Kontekstin, konotacionin se nuk ligjërohet prania e tjetrit aty ku ndodhet, kanë dashur të shprehin pa dyshim disa nga autorët maqedonas, në atë që kanë shkruar dhe kjo është fatale. Për historinë duhet diskutuar dhe mund të diskutohet.

Deutsche Welle : A ekzistojnë burime historike, që nuk lënë vend për interpretime sipas interesave dhe dëshirës? Si Akademia e shkencave në Tiranë ashtu edhe Akademia e Shkencave në Maqedoni mbështeten në burime historike, në regjistrimet e perandorisë turke. Deri në ç' kohë mund të ndiqet historia në këtë rajon?

Dr. Conrad Clewing : Burime historike unike natyrisht që nuk ekzistojnë, ka një shumëllojshmëri burimesh nga koha osmane, që janë analizuar pak, sepse kërkojnë shumë punë nga pikëpamja metodologjike dhe nga ana tjetër mundësojnë interpretime të ndryshme. Le të marrim psh Polog-un pranë Tetovës. Aty kanë jetuar shqiptarë dhe maqedonas. Nuk ka burime, që thonë se këtu kanë jetuar vetëm shqiptarë ose se këtu kanë jetuar vetëm maqedonas. E qartë është pikërisht në rastin e Maqedonisë, e kjo do të ishte me rëndësi edhe për shkencën shqiptare që merret me Maqedoninë, se bashkësia shqiptare në Maqedoni ashtu si edhe ajo maqedonase atje ka përvoja të shumta emigracioni. Nuk është e vërtetë që shqiptarët ndodhen që prej antikitetit aty, ku janë sot dhe as që maqedonasit ishin aty, ku ndodhen sot që prej mesjetës së hershme. Ka patur shumë lëvizje të popullsisë, të cilat me interpretime të ndryshme mund t'i ndjekësh disi. Siç thashë nuk ka një të vërtetë shqiptare, një të vertetë maqedonase për Maqedoninë dhe Kosovën. Mund të ketë perspektiva shqiptare, perspektiva maqedonase dhe këta duhet ta pranojnë kritikën e njëri-tjetrit me realizëm. Është fakt që të vertetat gjenden me vështirësi dhe është e sigurtë se jo të gjithë kanë jetuar atje, ku ndodhen sot. Kjo siç duket është e vështirë të pranohet.

Deutsche Welle : Çfarë mësimi mund të nxirret nga ky debat, me qëllim që të shihet përpara në favor të interesit të përbashkët në këtë vend apo rajon, ku respekti reciprok të jetë në plan të parë?

Dr. Conrad Clewing : Besoj se në këtë rast, së paku përsa i përket anës shkencore një gjë mund të mësosh mirë. Ndarja e plotë e të dy botëve shkencore e shqiptarëve maqedonas dhe sllavëve maqedonas në Maqedoni ka pasoja negative për të dy palët. Nuk është keq që të ketë institucione për të dyja dhe pjesërisht edhe të ndara, por në ndonjë rrafsh psh në Akademinë e Shkencave ata duhet të mblidhen dhe të diskutojnë për konkluzionet. Prandaj për mendimin tim është e gabuar kërkesa e disa partive shqiptare të Maqedonisë, apo përfaqësuesve të këtyre partive se tani është koha për të hapur një Akademi shqiptare në Maqedoni. Jo, në redaktimin e një vepre të tillë dhe kjo ishte e para Enciklopedi për Maqedoninë, në redaktimin e një vepre të tillë maqedonasit dhe shqiptarët duhet të takohen, në rast nevoje edhe të grinden, por pastaj të arrijnë në rezultate më të mira.

Deutsche Welle : A shihni diçka pozitive nga ky zhvillim?

Dr. Conrad Clewing : Nga njëra anë nuk është shenjë e mirë që ka patur aq shumë reagime të forta politike, por ato mbase dhe duhej të bëheshin. Edhe Ambasada Britanike dhe Amerikane janë pozicionuar lidhur me këtë Enciklopedi dhe partitë kanë kërkuar që të tërhiqet ky libër. Në fakt nuk është detyra e partive të ndërhyjnë në shkencë. Nga ana tjetër kjo vepër me sa duket ka mangësi serioze. Redaktori kryesor Blazhe Ristevski është një historan nacionalist maqedonas dhe duket se kjo linjë ka dominuar këtë vepër. Si përfundim është një rezultat i mirë, që kjo vepër në dallim me zhvillimet serbe të viteve 80-të, do të korrigjohet kaq shpejt. Tregon edhe ndryshimin e raporteve politike dhe një farë dobësimi të nacionalizmit, i cili është shprehur fort edhe në ndonjë sferë tjetër në këtë vend.

Autor : Angelina Verbica

Redaktoi : Aida Cama

  • Data 25.09.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/JpEw
  • Data 25.09.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/JpEw